MENU
klinika

Pikturat

Tablot e Trump-it mes ish-presidentëve të Amerikës

16.10.2018 - 13:58

Arti, si bukuri, në syrin e shikuesit.

Të Dielën, kur miliona njerëz u sinkronizuan të shihnin intervistën e gjerë të Presidentit Trump dhënë për “CBS News”, shikimi i shpejtë i veprave të artit në murin e Shtëpisë së Bardhë tërhoqi vëmendjen e shumë prej tyre.

Presidenti Trump, vërejtën teleshikuesit, kishte një pikturë të vetën ulur qark një tavolinë me ish-presidentët republikanë, përfshirë Abraham Linkolnin, Ronald Reganin dhe Riçard Niksonin.

Njëri prej tyre ishte edhe editori i “Indipendent Journal Review”, Josh Billinson, i cili e vuri në dukje praninë e pikturës përmes rrjetit social Twitter.

Titulluar “Klubi i Republikanëve”, vepra u krijua nga Andy Thomas. Artisti, i cili jeton në Misuri, në Shtetet e Bashkuara, ishte “i mahnitur” kur zbuloi që vepra e tij ishte ekspozuar në Shtëpinë e Bardhë, tha për Time.

Thuhet se Presidentit ia dha kongresmeni republikan Darrell Issa.

“Ç’është e vërteta, shpeshherë dhuratat nuk i gjejmë të varura në mur, ato thjesht i strukim diku në ndonjë dollap, – shprehet z. Thomas. Kur zbulojmë se faktikisht ajo qëndron varur në mur, kjo të jep një kënaqësi të vërtetë”.

Z. Thomas ka pikturuar një sërë portretesh të personaliteteve dhe ngjarjeve që i përkasin historisë së SHBA-së, përfshirë edhe betejat e luftës civile dhe portrete të ish-presidentëve, të cilët e kalojnë kohën së bashku. Artisti ka pikturuar edhe variantin ekuivalent të skenës varur në Shtëpinë e Bardhë me presidentët demokratë.

Kritikët e artit nuk vonuan të paraqisnin pikëpamjet e tyre në rrjetet sociale. Disa e quajtën pikturën “ngjitëse”, ndërsa të tjerët vlerësuan talentin e artistit. Madje, një përdorues i rrjeteve sociale e përqasi me karakterin komik të Alan Partridge.

 

Pashmangshmërisht, të tjerë përdorën softuerin e fotomontimit për t’i bërë tablosë ndryshimet sipas këndvështrimit të tyre.

Në muajin janar, presidenti Trump kërkoi të merrte hua veprën e Van Gogut “Peisazhi me dëborë” nga muzeu “Guggenheim” në Nju Jork. Muzeu nuk pranoi, por u ofrua t’i jepte Presidentit një tualet të artë nga koleksioni i tyre.

Kush ndodhet rreth tryezës?

• Abraham Linkolni mbetet një ndër udhëheqësit më të famshëm në historinë e Amerikës. Pasi u bë presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara, në 1861, në vitin 1863 ai nxori Proklamatën e Emancipimit, që u jepte lirinë skllevërve në zonat që ishin ende nën kontrollin e Konfederatës gjatë Luftës Civile Amerikane. E vranë në vitin 1865.

• Teodor “Tedy” Ruzvelt u bë presidenti i 26-të i Shteteve të Bashkuara në shtator 1901, kur u vra presidenti William McKinley. U rizgjodh në vitin 1904. Në vitin 1906 ai u nderua me çmimin Nobel për Paqen, për rolin që pati në dhënien fund të luftës ruso-japoneze.

• Duajt Ajzenhauer ishte Komandanti Suprem i Aleatëve në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai u bë presidenti i 34-të i Shteteve të Bashkuara në vitin 1953.

• Riçard Nikson ishte zëvendëspresidenti i Ajzenhauerit. I zgjedhur në presidencë në vitin 1968, është i vetmi që u detyrua të japë dorëheqjen nga posti, pas skandalit të Uotergejtit.

• Gerald Ford ishte pasardhësi i Niksonit dhe i vetmi president i SHBA që nuk fitoi qoftë edhe një zgjedhje kombëtare të çfarëdo lloji. Ai u bë zëvendës-president në vitin 1973, kur Spiro Agnew dha dorëheqjen për shkak të akuzave për korrupsion. Pas dorëheqjes së Niksonit, vitin e ardhshëm ai u bë presidenti i 38-të i vendit.

• Ronald Regan u zgjodh president i 40-të i Shteteve të Bashkuara në vitin 1980. Regani konsiderohet si figura kyçe në rënien e Bashkimit Sovjetik dhe përfundimin e Luftës së Ftohtë.

• Xhorxh HW Bush shërbeu dy mandate si zëvendëspresidenti i Reganit, para se të zgjidhej si pasardhësi i tij në vitin 1988. Së bashku me Mikhail Gorbaçovin e Rusisë, në vitin 1989, dy liderët e superfuqive lajmëruan fundin e Luftës së Ftohtë.

• Xhorxh W Bush u bë presidenti i 43-të në vitin 2001. Ai mbikëqyri të diskutueshmen “luftë kundër terrorizmit”, që pasoi sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001

• Donald Trump mundi Hilari Klintonin në zgjedhjet për presidentin e 45-të të Shteteve të Bashkuara në vitin 2016. Miliarderi dhe ish-ylli televiziv është një figurë përçarëse, i cili gëzon përkrahje të gjerë mes republikanëve, por po aq kundërshtohet edhe nga radhët e demokratëve.

 

Burimi: BBC News