MENU
klinika

Ndryshimi i autorsisë

Plagjiatura që iu bë nga komunizmi intelektualëve

04.10.2018 - 20:17

Në kopertinë, disa intelektualë në gjyq

Sikurse kemi thënë edhe më parë, komunizmi dënoi shtresën intelektuale, veçanërisht atë të Shkodrës, pasi i frikësohej ndonjë kryengritjeje që kjo e fundit mund të bënte, dhe sepse e dinte se kjo shtresë njerëzish nuk mund të binte asnjëherë dakord me idetë e marksizëm – leninizmit. Këto dënime ishin të të gjitha fomrave dhe të vazhdueshme. Kështu, nëse dikush interrnohej apo burgosej, dënimi vazhdonte dhe ndiqte gjithë familjen e tij. Në rast se dikush vritej, dënimi ndiqte gjithë çfarë ai kishte lënë pas.

Të gjithë priftërinjtë françeskanë qenë intelekualë që u burgosën apo u vranë. Asnjëri nuk “ja hodhi paq”. Përposë tyre, edhe studiues të tjerë si Ndoja apo Gurakuqi. Kishte edhe prej atyre që nuk u dënuan, por vepra dhe studimet e bëra i’u morën me dhunë duke u hequr çdo të drejtë që mund të kishin mbi to.

Para disa vitesh, Leka Ndoja ka botuar një libër shumë interesant. Titulli i tij është “Tjetërsimi i veprës intelektuale gjatë komunizmit në Shqipëri”, botuar nga ISKK. Në një pjesë të saj, vepra flet për plagjaturën dhe tjetërsimin e teksteve të autorëve të përsekutuar.

Poster i përgatitur nga ISKK

Mes tyre përmenden M. Ndoja, H. Lacaj, A. Xhuvani, Atë Kurti, Atë Palaj e të tjerë.

Plagjiatura apo pjesë së interpoluara në “Letërsia e huaj”, tekst universitar i M. Xhaxhiut dhe Andrea Varfit në 1971 [janë marrë] tekste që s’e kanë patur autorsinë të shënuar në botimet e viteve ’47 – ’49 e më tej, pasi ishin botime që dilnin me emrin e Institucioneve si “Instituti i Lartë Pedagogjik” (1947), “Letërsia e Huaj” hartuar nga Mark Ndoja dhe “Literatura e huaj – Antologjia e letërsisë Perëndimore”, Vëllimi I (1947 – 1948)”.

Sikurse Ndoja shkruan, ky tekst universitar është plot pjesë që nuk janë shkruar nga autorët e tij, por nga të tjerë studiues shumë serioz, vepra e të cilëve vijon akoma dhe sot të ketë vlerë. Me të do të merremi në ditët në vijim.

Për etërit françeskanë, Ndoja shkruan: [Nga] Atë Donat Kurti e Atë Bernardin Palaj, “Cikli i Kreshnikëve” dhe “Përalla shqiptare”, pjesa emblematike e “Visaret e kombit”, 1940 – 1942, mbledhur dhe redaktuar nga Atë Donat Kurti [si dhe] “Fjalori i fjalëve të rralla të shqipes” nga Atë Nikollë Gazulli, “Visaret e Kombit”, Tiranë 1942.

Sikurse shihet, “Cikli i Krenshikëve” i botuar e ribotuar me dhjetra herë gjatë komunizmit dhe më pas nën emra të ndryshëm mbledhësish, në të vërtetë është mbledhur nga dy studiuesit e përmendur më lart. Ndërsa “Fjalori i fjalëve të rralla të shqipes” me autor të sopuzuar një studiues të njohur, i përket Atë Gazullit.

Debati i plagjaturave ka lindur qysh pas viteve ’90, kur shumë studiuesve u doli në pah “vjedhja” e bërë. Nën zë diskutohej shpesh her ndër rrethe intelektualësh se si X.Y studiues ia ka marrë punimet shkencore, fjala bie Atë Justin Rrotës apo edhe të tjerë emrave.

Leka Ndoja është i pari që mori guximin t’i shkruaj këto padrejtësi. Për këtë, duhet respektuar. Ndërsa ribotimet e këtyre veprave shpresojmë dhe urojmë të bëhen nën autorsitë origjinale.

 

/ A. D