MENU
klinika

Shkrimtari Veli Stafa

Platonicus shqiptar në një botim të ri

08.10.2018 - 18:27

Profesor Alfred Çapaliku pak kohë më parë ka botuar monografinë kushtuar poetit të ëmbël Veli Stafa i cili, ndonëse jetoi vetëm 24 vjet, u bë mjaft i njohur në rrethet letrare dhe intelektuale të viteve ’30. Me këtë libër, Çapaliku mbyll triologjinë e atyre që njihen si treshja harmonike, ku përveç Stafës janë edhe Gasper Pali dhe Kolë Mirdita.

Penda e poetit Stafa ishte origjinale, plot finesë dhe e sigurtë, ndikuar nga Shkodra, qyteti ku pati fatin të formohet kulturalisht dhe të arsimohet fillimisht në Kolegjin Saverian ku mes të tjerëve, mësues të parapëlqyer kishte dom Ndre Mjedën.

Është vetë studiuesi, historiani dhe shkrimtari Injac Zamputi i cili jep një dëshmi interesante për jetën shkollore të Platonicus:

Kur po shkrueja diplomen e maturantit Veli Stafa më erdhi pranë mesuesi i tij Ndre Mjeda dhe tue vu gishtin te vendi ku do të shkruhej nota e letërsisë shqipe më tha tekstualisht këto fjalë: ‘Ketu veni nje dhetë me bojë të kuqe!

Veli Stafa lindi në Elbasan më 25.10.1915 në një familje të borgjezisë së mesme. Ishte i dhënë marrëzisht pas letërsisë dhe filozofisë, por ndoqi dëshirën e prindërve dhe studioi për mjekësi. Më 5 korrik 1938 diplomohet duke mbrojtur një temë në lidhje me gjenetikën dhe duke u bërë studiuesi i parë shqiptar i problemeve gjenetike.

Në shtator të po atij viti shkon në Glonik të Jugosllavisë për t’u mjekuar nga turbekulozi, por nuk ja del betejës me sëmundjen dhe ndërroi jetë në Sanatoriumin “Rueil Malmaison” afër Parisit.

Pavarësisht jetës së shkurtër, Stafa la pas një krijimtari të gjerë në poezi, prozë dhe publicistikë letrare dhe pikërisht kjo është një pjesë e pasurisë së mbledhur në monografinë që është shkruar për të.

Vetë studiuesi Çapaliku, aktualisht pedagog në Universitetin e Shkodrës, shprehet për Stafën:

Doktor Veli Stafa në profesion, përndryshe Platonicusi në ekspresion të mozaikut plot shkëlqim të Letërsisë së Pavarësisë është një gur lidhës i bukur pa të cilin ngjyrimi artistik nuk del i plotë!

Alfred Çapaliku, i cili nxjerr në dritë këtë figurë bashkë me veprën e tij, lindi në Shkodër në vitin 1952 dhe pasi kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, punoi si mësues në disa fshatra të qytetit. Prej shumë vitesh, është pedagog pranë Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Përpos veprës në fjalë, është autor i më tepër se dhjetë veprave të tjera ku dallojnë vëllime me poezi, publicistikë si dhe studime e monografi.

Për të shkruar këtë libër, Çapaliku tregon se iu deshën tre vjet. Libri përmban edhe foto nga jeta e Platonicus si dhe shkrime që dalin në dritë për herë të parë pas një heshtjeje prej disa dekadash.

 

/Andreas Dushi

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit