MENU
klinika

Liberalizimi i vizave për Kosovën

Ndërkombëtarët: Të mos keqpërdoret liberalizimi i vizave

10.10.2018 - 12:22

Në fillimin e fazës së re të fushatës për liberalizimin e vizave, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ju ka kërkuar zyrtarëve të lartë shtetëror që të shmangin premtimet për afatet për lëvizjen pa viza në Zonën Shengen, duke u cilësuar si “afate artificiale”.

Ajo ka thënë se Kosova ende nuk është gati për vendimin përfundimtar.

Akoma s’kemi arritur në cak. Vendimi përfundimtar ende nuk është marrë. Dhe tani varet nga Këshilli dhe vendet anëtare. Në këtë fazë nuk dihet se kur mund të merret një vendim i tillë. Kosova duhet të shmangë afatet artificiale për lëvizjen pa viza”, është shprehur Apostolova.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se në rast të keqpërdorimit të procesit të liberalizimit, ai mund të hiqet në çdo kohë.

Ai ka theksuar se pas liberalizimit duhet zbatuar në përpikëri edhe obligimet që dalin nga kjo.

Jemi mbledh me i shpjeguar qytetarëve tanë se lëvizja e lirë është një e drejtë, një liri, një privilegj, por i ka edhe disa obligime që duhet t’i dimë. Kjo është një punë jo e lehtë, liberalizimi i vizave edhe kur jepet mundet me u sanksionuar pastaj. Me bo me u mërzit ndonjë vend anëtarë mund të propozoj pezullimin”, theksoi ai.

Dhurata Hoxha, ministrja e Integrimit Evropian, bëri të ditur se kjo fushatë do të shkojë në çdo qytetet e fshat, duke porositur qytetarët e vendit se në rast të heqjes së vizave, ky proces nuk bënë të keqpërdoret.

Institucionet e Kosovës kanë punuar intensivisht për plotësimin e kritereve. Qytetarët janë ata që më së shumti po vuajnë nga mos liberalizimi i vizave. Tani jemi një hap afër, sfida e fundit është votimi në Këshill. Kemi ndërmarrë dhe po ndërmarrim hapa që të adresojmë shqetësimet e secilit shtet veç e veç. Fushata vetëdijësuese ka për qëllim kryesor qasjen tek qytetarët me informata të sakta se çka është dhe çka nuk është liberalizimi i vizave ku edhe sa mund të qëndrohet. Do të japim mesazhe të qarta se liberalizimi i vizave nuk guxon dhe nuk duhet të keqpërdoret”, u shpreh Hoxha.

Në fund, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, tha se vendi i tij do ta mbështesë Kosovën në reforma. /Konica.al