MENU
klinika

Nga Igli Tola

PPP-ja një ‘marrëzi’ e pafund

18.10.2018 - 15:43

PPP-ja që kur z. Rama fitoi zgjedhjet qëndrore në verën e 2013, termi PPP është kthyer në ‘kryefjalën’ jo vetëm të ekonomisë, duke ‘zaptuar’ çdo aktivitet jetik të vendit.

Duke na u servirur nga qeveria si ‘risi’ ekonomike, sikur të ishte ndonjë derivatit kompleks i inxhinierisë financiare; u përfshimë të gjithë në ‘vorbullën’ e debatit të kotësirave (teknikaliteteve të parëndësishme), duke harruar të drejtojmë ‘5W’ e famshme (5 pyetjet bazë: Kush, Ҫfarë, Si, Pse, Ku).

U kujdesën aq shumë të na shpjegonin e ri-shpjegonin se konçensioni dhe PPP-ja nuk ishin e njëjta gjë, vetëm që vëmendja e audiencës të mos mos shkonte drejt kuptimit të tablosë së plotë, pasi aty fshihej çelësi i kësaj ‘kutie Pandore’.

ppp-konica.al
ppp-konica.al

Një shfaqje iluzioniste (magjie) që luhet paralelisht në disa skena mediatike, në mënyrë persistente për të na shpërqendruar.

Mjeshtërit e magjisë thonë se lëvizja e madhe maskon atë të voglën, që d.m.th. se me anë të një lëvizjeje të madhe ata fshehin nga shikuesit marifetet e tyre të vogla, të cilat kanë rëndësi për bërjen e trikëve të tyre të magjisë.

Në ndihmë të realizimit të ‘shfaqjes’ u vihet edhe truri ynë, përmes fenomenit të njohur si “vëmendja e përbashkët”.

Kështu, kur njeriu sheh në rrugë një turmë që shikon në qiell, edhe ai vetë, instinktivisht, do të shikojë lartë.

Nëse magjistari dëshiron që të pranishmit ta shikojnë një objekt të caktuar, atëherë ai do të shtiret kinse tërë vëmendjen e ka të përqendruar tek ai.

ppp-konica.al
ppp-konica.al

Ndaj, duke u munduar për pak kohë ti rezistojmë tundimit për të parë puntatën e rradhës së këtij ‘mega-show’ le të sqarojmë disa koncepte bazike mbi PPP-në, për ti kthyer përgjigje ‘5W’.

Partneriteti publik–privat (PPP) konsiston në një marrëveshje bashkëpunimi midis qeverisë dhe entiteteve private.

Sektori privat bëhet pjesëmarrës në vendimmarrje, por dhe në investime për prodhimin dhe ofrimin e të mirave publike dhe shërbimeve të cilat tradicionalisht janë mbuluar nga sektori publik.

Privati merr përsipër realizimin e tyre me qëllim përfitimin duke marrë përsipër rrisqet, kurse sektori publik në kuadër të këtij partneriteti i ofron atij lehtësira fiskale, mbështetje proceduriale si dhe ndihmë logjistike dhe burokratike për mirëfunksionimin e çdo procesi apo hallke të këtij bashkëpunimi.

Dy format më të njohura të partneritetit publik privat janë koncensionet dhe ofrimi i shërbimeve. Koncensionet bazohen në transferimin e të drejtave nga sektori publik në atë privat për shfrytëzimin e tyre nga ky i fundit.

Ofrimi i shërbimeve është transferimi i detyrimeve që ka shteti për dhënien e shërbimeve publike prej tij në sektorin privat.

ppp-konica.al
ppp-konica.al

Ndërkohë ‘origjinën’ e PPP-së e gjejmë disa mijëra kilometra në ishullin që po i shkakton aq ‘kokëçarje’ BE-së, pikërisht në Britaninë e Madhe.

Fillimisht, shumica e këtyre Partneriteteve u negociuan individualisht mes shtetit dhe kontraktorit, si marrëveshje të menjëhershme, dhe shumica e këtij aktiviteti filloi në fillim të viteve 1990 në Britani të Madhe.

Presioni për të ndryshuar modelin standard të prokurimit publik lindi nga shqetësimet në lidhje me nivelin e borxhit publik, i cili u rrit me shpejtësi gjatë dislokimit makroekonomik të viteve 1970 dhe 1980.

Kështu, qeveritë u përpoqën të inkurajojnë investimet private në infrastrukturë, fillimisht në bazë të manipulimeve kontabël, që rrjedhin nga fakti se llogaritë publike nuk bënin dallime midis shpenzimeve korrente dhe kapitale.

Ideja se sigurimi privat i infrastrukturës përfaqëson një mënyrë për të siguruar infrastrukturën pa kosto për publikun, tani është braktisur përgjithësisht nga shtetet europiane, por interesimi për alternativa përkundrejt modelit standard të prokurimit publik ka vazhduar.

me-koncesion-punimet-ne-pranvere-te-2017-konica.al
me-koncesion-punimet-ne-pranvere-te-2017-konica.al

Në veçanti, është argumentuar se modelet që përfshijnë një rol të shtuar për sektorin privat, ku një organizatë e vetme private (ose konsorcium mes tyre) merr përgjegjësinë për shumicën e aspekteve të dispozitave të shërbimit për një projekt të caktuar, mund të japë një alokim më të mirë të riskut, duke ruajtur përgjegjësinë publike për aspektet thelbësore të ofrimit të shërbimeve.

Tashmë duke dashur të shkëputemi nga konteksti historik i çështjes, tu hedhim një sy kalkulimeve mbi situatën aktuale.

Mbretëria e Bashkuar falë ‘kontributit’ të laburistëve dhe konservatorëve ka angazhuar deri tani 1033 miliard (billion) euro në formën e konçensioneve me PPP, duke zënë 58% të totalit të PPP-ve të dhëna në të gjithë Europën.

Po ashtu, MB zë vendin e parë edhe në një tregues po kaq sinifikativ, atë të raportit që zënë PPP-të ndaj PBB (GDP) kombëtare.

Nëse në Angli kjo shifër është 39,4% dhe në shtetet e saj ‘simotra’ si Gjermania apo Franca, nuk tejkalohet niveli 3,4 dhe 7%; në Shqipëri ky tregues shënon 17%. E për çudi renditemi të dytët në Europë për PPP të dhëna krahasimisht me GDP.

Zakonisht jemi mësuar me ‘medaljen e argjendtë’, pasi jo më larg se disa vite më parë rivalizonim me Gjermaninë për rritjen ekonomike, por duke se këtë herë qeveria jonë është e vendosur që të ‘rivalizojë’ deri në fund për podium, pavarësisht se përballë kemi një super-fuqi të G8.

‘Puna’ drejt arritjes së këtij objektivi vijon përditë. Qeveria ka angazhuar deri më tani katër projekte nga paketa “1 miliard” në formën e koncesioneve me Partneritet Publik-Privat me vlerë 86 miliardë lekë, nga 148 miliardë lekë që pritet të angazhohen në total këtë vit.

Së bashku me koncesionet PPP të dhëna deri në dhjetor 2017 (deri në fund të vitit të kaluar, vlera e kontratave të dhëna me PPP ka arritur në 111 miliardë lekë, të cilat dominohen nga kontrata shërbimesh në shëndetësi dhe tre impiantet e trajtimit të mbetjeve në Tiranë, Fier dhe Elbasan), vlera totale e koncesioneve me PPP arrin në 259 miliardë lekë.

Ashtu sikurse kishte paralajmëruar më herët pas marrjes së mandatit të dytë, qeveria ka nisur ‘vrullin’ e PPP-ve e përqendruar te rrugët. Aktualisht totali i kilometrave që do t’i shtohet asetit rrugor shqiptar përmes projektit të Rrugës së Arbrit, Thumanë-Kashar, Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat llogaritet rreth 167 kilometra.

Kostoja e tyre paraprake llogaritet në 654 milionë euro, edhe pse deri më tani e firmosur me kontratë është vetëm Rruga e Arbrit, me vlerë 240 milionë euro.

Rruga-e-Arbrit-me-koncesion-punimet-ne-pranvere-te-2017-konica.al
Rruga-e-Arbrit-me-koncesion-punimet-ne-pranvere-te-2017-konica.al

Këtu na shfaqen të paktën 2 probleme thelbësore. Së pari, është problemi i ingritur edhe nga FMN-ja për sa i përket transparencës ku ndikimi i projekteve PPP ndryshe nga praktika aktuale, duhet të reflektohet në borxhin publik dhe llogaritë fiskale të vendit.

Deri më sot përmes këtij ‘marifeti’ kontabël, qeveria e përfshin borxhin vetëm në pasqyrat e vitit kur ndodh, ndërkohë SNK (Standartet Ndërkombëtare të Kontabilitetit) kërkojnë përfshirjen edhe të efektit të interesave. Kështu, borxhi publik ‘de-facto’ nga llogatitjet del mbi 85%, kurse në librat e shtetit luhatet te 70%.

Përpos transparencës, problemi është edhe investimi real që do të realizohet. Dihet se biznesi do të kërkojë financim për të realizuar këto vepra.

E vetmja alternativë është kredia në vendin tonë (në mungesë të Bursës) dhe normat e interesit për kredi me kohë shlyerje relativisht të gjatë (10-15 vjet) luhaten diku te 10-13%. Nga një llogaritje e thjeshtë me vlerat mesatare të tyre dhe duke kërkuar një normë fitimi normale, rezulton se kredia kushton afro 2 herë më shumë se vlera e huazuar.

Pra me pak fjalë, do të investohet në rastin më të mirë 500 mln euro, por fatura për tu paguar është 1 miliard.

Problematika të tjera mund të rendisim, mungesën e studimeve të fisibilitetit dhe rentabilitetit për projektet e ndërmarra, dyshimet për favorizimin dhe klientizim të disa operatorëve privat që shihen të lidhur me qeverinë, ‘propozimet e pakërkuara’ që financohet edhe pse mund të mos përbëjnë interes për publikun etj.

Më duket se u zgjata shumë dhe kam frikë mos humbasim puntatën e rradhës të ‘mega-show’. Edhe pse në të mungojnë përmbajtja, faktet apo argumentat, le të argëtohemi me formën dhe lojën e aktorëve.