Mësohet së fundmi se Prokuroria e Katanias ka mbyllur hetimet për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin.
Në dt 15.03.2018, në përfundim të hetimeve që zgjatën thuajse 5 muaj, Prokuroria e Antimafies në Itali i ka kërkuar Gjykatës Italiane të mbyllë hetimet me arsyetimin se “nuk ka prova dhe fakte” që implikojnë ish – ministrin Tahiri.
“Për sa më sipër, megjithëse nuk ka dyshim për citimet e bëra nga Moisi Habilaj gjatë bisedave të përgjuara, veçanërisht ku përmend se ka për t’i dhënë 30.000 Euro SAIMIR –it, ose në pjesët ku flet për blerjen e bizhuterive për bashkëshorten dhe nënë e Saimir Tahirit, në vlerësimin e prokurorisë, në mungesë të provave të vlefshme nuk rezulton të ketë elementë të përshtatshëm për të mbështetur akuzën në fjalë.
Në bazë nenit 408 të Kodit të Procedurës Penale -125 të dekretit legjislativ 217/1989, kërkon që gjyqtari i hetimeve paraprake në këtë rast të vendosë për arkivimin e këtij procedimi dhe për rrjedhojë të urdhërojë kthimin e akteve të kësaj zyre”.
Në 19.03.2018, vetë Prokurori i Republikës Carmelo Petralia konfirmon kërkesën e Prokurorit të Antimafias Andrea Bonomo për mbylljen e hetimeve ndaj Tahirit duke i hapur rrugë kështu vendimit të Gjykatës.
Në dt. 5.10.2018, Gjykata Italiane e Catanias, me gjyqtare Loredana Pezzino, bazuar në kërkesën e Prokurorëve të Antimafias, ka marrë vendim për mbylljen e hetimit ku theksohet se:
“Gjyqtari, mbi bazën e kërkesës së mësipërme të pushimit, e cila pranohet, duke iu përmbajtur në mënyrë të plotë arsyetimit:
PËR KËTO ARSYE
“Në bazë të neneve 409-411 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi pushimin e procedimit objekt shqyrtimi dhe kthimin e akteve Prokurorit, duke autorizuar që nga ky moment lëshimin e kopjes së këtij urdhri si dhe të akteve të fashikullit për të hetuarit, personat e dëmtuar si dhe mbrojtësve të emëruar apo të pajisur me prokurë”.
Rezulton se Prokuroria Antimafia e Catanias ka verifikuar gjithçka dilnin si të dhëna nga përgjimet e Habilajve, veçanërisht pjesët që dukej se implikonin Saimir Tahirin, si blerja e bizhuterive për familjarët e Tahirit, blerja e një kostumi për vetë Tahirin dhe verifikimin përmes Interpolit të të gjitha hyrje – daljeve të Tahirit në zonën Shengen dhe mundësinë që në ndonjë prej udhëtimeve të ishte i shoqëruar me Habilajt.
Në përfundim të shqyrtimit të provave, rezulton se Hetimet e Prokurorisë Antimafia të Catania për çështjet që përmendeshin në përgjimet e Habilajve, kanë dhënë rezultat negativ.
Si në rastin e bizhuterive ashtu dhe të kostumit, siç përmendej në përgjimet e Habilajve, Prokuroria Antimafia e Katanias ka sekuestruar veç faturave fiskale edhe librin ditor të shitjeve, si dhe kamerat e sigurisë në dyqanet e përmendura dhe tabulatet telefonike të pronarëve të dyqaneve përkatëse.
Gjithashtu veç pronarëve, janë pyetur edhe shitësit në këto dyqane, ndërkohë që për hyrje daljet e Tahirit në zonën Shengen, verifikimet i ka bërë Guardia di Finanza nëpërmjet Interpolit.
Në dosje, të gjitha verifikimet kanë dhënë rezultat negativ, çka ka detyruar Prokurorinë e Antimafias e më pas Gjykatën që t’i mbyllë hetimet për ish – ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Tahiri, po hetohet edhe në Shqipëri, për implikim të tij në trafik narkotikësh me grupin e Habilajve.