Presidenti më i fuqishëm në botë e ka bërë të qartë se ai nuk ka interes të përfshihet në zgjidhjen e ndonjë prej problemeve të përbashkëta të botës, duke e quajtur politikën e tij të jashtme një “realizëm parimor”. Por nuk ka asgjë parimore apo realiste për këtë.
Debati i Përgjithshëm vjetor i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara është një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin diplomatik ndërkombëtar. Si zakonisht, takimi i këtij viti, gjatë javës së fundit të muajit shtator, solli një listë të gjatë të udhëheqësve botërorë.
Presidenti Trump e ka bërë të qartë se ai nuk ka interes të përfshihet në zgjidhjen e ndonjë prej problemeve të përbashkëta të botës. Për fat të keq, ai nuk është vetëm.
Për ata që besojnë akoma tek bashkëpunimi ndërkombëtar si një domosdoshmëri për globalizimin ekonomik, debati i Asamblesë së Përgjithshme solli një panorama disi të zymtë. Interesat afatshkurtra të liderëve të caktuar, shpesh të paraqitura si “interesa kombëtare”, janë një nga faktorët që i kanë ndikuar së tepërmi marrëdhëniet ndërkombëtare më shumë se asnjëherë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Por rritja e populizmit nacionalist ka ndikuar gjithashtu.
Duke ju drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Trump deklaroi haptazi se “Ne e hedhim poshtë ideologjinë e globalizmit dhe ne përqafojmë doktrinën e patriotizmit”. Ai lavdëroi shtetet e tjera, të tilla si Polonia, që ndjekin shembullin e tij.
Në OKB, Trump politikën e tij të jashtme e quajti “realizëm parimor”. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, realizmi është një teori që i konsideron shtetet si aktorë dhe njësi qendrore të analizave. Parimet si të drejtat e njeriut zakonisht lihen mënjanë.
Pikërisht këtë bën Trump. “Amerika gjithmonë do të zgjedhë pavarësinë dhe bashkëpunimin mbi qeverisjen, kontrollin dhe dominimin global”, tha ai për OKB. Në teori, bashkëpunimi nuk është i papajtueshëm me paradigmën realiste. Për shembull, realistët mund të përfytyrojnë SHBA-të duke u përpjekur të kompensojnë rritjen gjeopolitike të Kinës duke forcuar aleancat e saj në rajonin e Azi-Paqësorit, veçanërisht me Japoninë dhe Korenë e Jugut.
Por sjellja shqetësuese e Trump ka prekur edhe aleatët e tjerë tradicional të SHBA, si Bashkimi Europian, që thonë se ai ngurron jashtëzakonisht kur bëhet fjala për çështje ku duhet bashkëpunuar. Kur ai e bën, preferon aleancat që i përshtaten më mirë interesave strategjike të vendit të tij.
Lidhur me Kinën, diplomacia amerikane përdor termin “konkurrencë”, pavarësisht nga marrëdhëniet miqësore që Trump pretendon të mbajë me Xi Jinping. Lufta e vazhdueshme e tregtisë (dhe teknologjisë) midis dy vendeve, së bashku me tensioned në Detin e Kinës Jugore, duket se paraqesin një spirale të vazhdueshme që nuk ka fund.Sidoqoftë, ky skenar mund të shmanget.
Në fjalimin e Asamblesë së Përgjithshme, ministri i jashtëm i Kinës, Wang Yi, përmendi shpesh konceptin e “fitimit”. Nëse Trump, së bashku me pjesën tjetër të ndërkombëtarëve nacionalistë, vazhdon të refuzojë këtë nocion përfitimesh reciproke, ka gjasa të ngadalësohet jo vetëm rritja e Kinës, por edhe e SHBA.
Por e gjithë kjo situate ngre një pyetje të qartë: Ku qëndron avantazhi në të qenurin fuqia më e madhe e e botës, nëse përballë sfidave më të mëdha globale, qeveria është e pafuqishme?
Havier Solana ishte Përfaqësuesi i Lartë i BE për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe Ministri i Jashtëm i Spanjës. Ai është aktualisht President i Qendrës ESADE për Ekonomi dhe Gjeopolitikë Globale, Anëtar në Institutin Brookings dhe anëtar i Këshillit Global të Agjendës së Forumit Ekonomik Botëror për Europën.