Derisa Kuvendi i Maqedonisë po mundohet të sigurojë shumicën e votave për ndryshimet kushtetuese që burojnë nga Marrëveshja e Prespës, ministri grek për Çështje Detare, Fotis Kuvelis, shprehet i bindur se Marrëveshja do të kalojë në Kuvendin e Greqisë.
Kuvelis theksoi se kjo është Marrëveshje e dobishme për Greqinë.
“Vlerësimi im, por do të thosha edhe bindja ime është se Marrëveshja e Prespës, një Marrëveshje veçanërisht e rëndësishme dhe e dobishme për Greqinë dhe rajonin më të gjerë, do të kalojë. Vlerësimi im është se do të sigurohet shumica edhe nga deputetë që nuk i përkasin Syrizas dhe do të votojnë për Marrëveshjen e Prespës, ashtu siç parashikohet me vetë Marrëveshjen“, u shpreh Kuvelis.
Pas reagimeve të shumta që shkaktoi në opinion partneri i koalicionit qeveritar, Panos Kamenos nga “Grekët e Pavarur”, me propozimin për një marrëveshje rajonale që do ta zëvendësonte Marrëveshjen e Prespës vetë Kamenos vendosi të sqarohej.
Ai tha se kryeministri ka qenë i njoftuar por nuk e ka miratuar idenë dhe se në takim me nënsekretarin amerikan ishte i obliguar të bënte propozim alternativ përderisa kundërshton Marrëveshjen e Prespës.
“Kryeministri e dinte propozimin alternativ, por nuk e miratoi si politikë kombëtare. Kam sqaruar se kjo sipas mendimit tonë, do të duhej të ishte propozim alternativ në rast se Marrëveshja e Prespës nuk shkon përpara ose nga ana jonë ose nga ana e tyre“, tha Kamenos. /Konica.al/