MENU
klinika

Varri mounument kulture

Restaurimi dhe shkatërrimi i varrit të Kolë Idrmomenos

05.10.2018 - 16:48

Thuajse çdo ditë, në varrezat e Rrmajit të shpallura “Monument Kulture” pak vjet më parë, vendi ku u kremtua e para meshë publike pas sa e sa viteve, njerëzit vijnë dhe ulen në gjunj pranë varreve të të afërmve. E mes gjithë atyre njerëzve të vdekur e të gjallë, një varr i cili dikur mbarte madhështinë e një engjëlli, rri i vetmuar.

Ky varr, i vendosur në anën e djathtë të varrezave, atje ku janë edhe varret më të hershme, është ai i Kolë Idromenos. Askush nuk kujtohet më për të… dhe në fakt, mirë bëjnë! Një herë që u kujtuan, e përçudnuan!

Duke e paramenduar vetminë e varrit, artisti i madh Kolë Idromeno me duart e tij gdhendi një ëngjëll dhe e vendosi aty, me shpresën që të paktën Ai të mos largohej asnjëherë dhe të lutej për të. Komunizmi nuk e lëvizi, ama pak kohë më parë, sistemi i ri i “kulturës” e degdisi në një gjendje të mjerushme.

Jam i bindur se ekzistonte dëshira për të bërë diçka të mirë kur u mendua restaurimi i atij varri e njëherazi me të, edhe i engjëllit, por në të vërtetë, ëngjëllit i dhanë trajtën e një shëmtire të coptuar e të sakatuar, pa tipare të dallueshme dhe pa asnjë shenjë engjëllore.

Me bojë plastike, i ngjitën gishtat duke mos e lënë t’i bashkonte për t’u lutur për Kolën. I bashkuan flatrat duke mos e lënë të fluturonte lart e të ndërmjetësonte për krijuesin e vet. I lyen fytyrën e cila më pas u plasarit duke i dhënë një pamje më tepër satanike se të shenjtë. E në fund u larguan dhe e lanë ashtu, në atë gjendje të mjerushme, gjendje e denjë vetëm për vitet e komunizmit.

Ku e marrin të drejtën këto “restauratorë” të financuar nga projektet e Ministrisë së Kulturës për të çuar në atë gjendje një ndër të paktat krijime akoma të gjallë të Idormenos? Ku e marrin të drejtën të shkatërrojnë, dhe të jeni të bindur, siç dëshmojnë edhe fotografitë, e kanë shkatërruar, një monument me vlera të rralla?

Skulptura e Idromenos ka mbetur e gjallë në vetëm pak krijime: “Statuja e Shën Mëhillit” e vendosur në Katedralen e Shën Shtjefnit, Maska e një Kllouni e vendosur në hyrjen e “Kafes së Madhe” dhe ai engjëll i gjorë, krijuar hyjnisht i pastër, por restauruar dreqërisht keq!

Me qepallat e mbuluara nga boja e plasaritur, engjëlli mundohet të shohë drejt qiellit për ndonjë shpëtim. Një shpëtim që ka frikë të vijë, pasi e di se nuk do të mund të rronte gjatë pa u shkatërruar.

/ Andreas Dushi