Kryefjalë e shumë medieve botërore, sidomos atyre sportive, është akuza për përdhunim në drejtim të Cristiano Ronaldos, për një ngjarje që ka ndodhur rreth 10 vite më parë në Las Vegas. Por sipas policisë amerikane, Cristiano Ronaldo nuk është i pandehur, madje as nën hetim.
Akuza e Kathryn Mayorga ndaj Cristiano Ronaldos duket se është vetëm mediatike. Për të siguruar elemente të reja është përfolur se ka angazhim nga departamenti i policisë së Las Vegas Metropolitan (LVMPD). Një zëdhënës ka mohuar disa nga deklaratat e bëra nga avokati i gruas dhe njoftoi: “Ronaldo nuk është i akuzuar për ndonjë krim!”
“La Gazzetta dello Sport” dhe “Tuttosport” i kanë raportuar deklaratat që vijnë nga policia e Las Vegas-it, ku theksohet se hetimi për sulmin e pretenduar seksual, çështje që u rihap në ditët e fundit, nuk ka filluar me futbollistin si subjekt.
“Ronaldo ka shumë të ngjarë të dëgjohet, por si një person i interesuar mbi faktet, jo si i paditur dhe i pandehur. Nuk ka një datë të saktë se kur do të dëgjohet Ronaldo, pasi ai është jashtë vendit tonë, – tha zëdhënësi i departamentit policor, Jacinto Rivera. – Do të jetë e rëndësishme ta dëgjojmë, por nuk mund të thuhet ende se kur”.
Vështirë të besohet se CR7, i cili dje fluturoi drejt Lisbonës për të folur mbi strategjinë e mbrojtjes së tij ligjore, të fluturojë për në Las Vegas. Ai do të rikthehet në trajnim me Juventusin dhe, me shumë gjasa, do t’iu përgjigjet pyetjeve që do të vijnë nga Nevada përmes video-konferencës, ose me shkrim.