MENU
klinika

Edicioni i MetroFest 2

“Rrajët lëvizin” dhe një festival që ia del në Tiranë

16.10.2018 - 14:26

Metropol Teatër kishte festë. Metro solli hare natën e fundit të festivalit #MetroFest2, i cili u mbyll me shfaqjen “Rrajët lëvizin” të Ernest Koliqit dhe regji të Rozi Kostanit. 

Një teatër interesant, prej ku të dukej sikur hyje në një lagje antike, me rrugica të bukura deri sa të hapej dera e njërës prej “shtëpive” teater, nga ku shfaqet edhe shfaqja e rradhes. Është një sipërmarrje tepër fisnike të ofrosh në kryeqytet javen e teatrit të shkruar shqip e të konceptuar shqip. Ndërsa vlen për t’u theksuar se kohëve të fundit është shumë e lehtë të ngjisësh në skenë vepra të dramaturgjise së huaj, pasi për këtë ka menduar dhe mendon gjithnjë Youtube.

Plagjatura është një tjetër fenomen që ka prekur porsi sëmundje shumë regjisorë shqiptar, andaj dhe kjo puna “shqipes”, mbetet një sfidë jo e vogël për regjisorë të tjerë për të vënë në skenë pjesë shqiptare, përpos faktit klasik që ky është edhe shërbimi më i madh që mund t’i bëhet kulturës së popullit tonë.

Ajo që dua të ndaj është një emocion tepër i veçantë që Ernest Koliqi me veprën e tij “Rrajët levizin” i përcolli të gjithëve që si puna ime, u ndjen të turpëruar duke mos ditur asnjë shkronjë rreth kësaj vepre të vlerë.

Një nismë si kjo e Teatrit Metropol që mori përsipër hulumtimin e veprave dramatike të shkruara shqip në menyrë të tillë që të shihnin dritën e diellit dhe të na dhuronin informacione të munguara, vlen për t’u duartrokitur.

Isha ulur në sallë me familjare të Koliqit, të cilët më përcollën një ndjesi të bukur, duke u bërë si rrallëherë të gjithë bashkë pjesë e shfaqjes, kjo gjithashtu dhe falë intimitetit që të imponon ai teatër. U kthyem në aktorë (pa tekst) pa e harruar, çuditërisht, spektatorin përbrenda.

“Rrajët lëvizin” nga Enest Koliqi, ishte si një përpjekje e vogël për të parashikuar mes një lëmie ndikuese tek njerëzit-dramën e realizuar më një mjeshtri mjaft të pasur regjisoriale nga Rozi Kostani, me një gjuhë të përdorur mençurisht dhe ngjarje të afërta siç ishte rënia e komunizmit.

Një shfaqje plot muzikalitet. Një poezi nga fillimi deri ne fund me një mesazh tepër njerëzor dhe tejet domethënës për kohën ku jetojmë. Rozi Kostani, përveçse në regji, interpretoi dhe rolin e një gruaje tipike shkodrane, e cila në krah të partnerit të saj Bruno Shllaku, përbënin një çift perfekt.

Energjia e të cilëve u dha edhe fuqi motorrike aktorëve të tjerë që edhe pse të rinj në profesion, qëndruan denjësisht në krah të aktoreve me emer. Bruno Shllakun isha mësuar ta shihja në role tepër dramatike dhe kjo thyerje me la pa fjale. Pashë teatër pas kaq kohësh!

Në zgrip të murit të historisë, – ka shkruar regjisori Mihal Luarasi në librin e tij “Teatri në udhëkryq”, nuk ka kohë për të nguruar. Kështu, veprat e përzgjedhura nga stafi i teatrit dhe bordi artistik, erdhën si rrjedhojë e një pune studimore, ndërthurur me mundësitë e realizimeve dhe në këtë edicion të dytë ishin: ‘Kryet e hudhrës” nga Kristë Berisha, e cilësuar ndër sprovat e para të komedisë shqiptare në Kosovë; tri pjesë një aktëshe: “Makarona e shejtanit’ nga Lazër Lumezi, si një kontribut i njeriut të thjeshtë në një vend të vogël në të cilin punon për të ndërtuar dicka që do ta lërë pas; “E mbesa e Krahinarit”  nga Kristo Floqi, një komedi me një strukturë të qartë dramatike në të cilën pasqyrohen probleme shoqërore të cilat edhe pse koha ka ecur, nuk janë kanë pësuar tjetërsime.

“Prangat”, nga Halil Laze, një punë me të rinj, e cila ishte dhe vazhdimësi e Metrofest 2017-ës, nga gjimnazistë që morën pjesë në lexime, të cilët e pëlqyen dhe u ngacmuan t’i japin frymë dhe një kolazh nga Klubi i Dramës të Fakultetit të Letërsisë në udhëheqjen e prof.Erenestina Hali dhe “Rrajët lëvizin” nga Enest Koliqi.

Siç duket, ky festival ia doli të na godasë reflektimin e munguar në mendjet tona me një stil brilant dhe ironik të cilin e kuptojmë vetëm në fund. Kur gjithçka mbaron!

Ilnisa Agolli