MENU
klinika

Dossier

Rruga e Kombit vazhdon të sjellë vizitorë nga Kosova

28.10.2018 - 15:33

Për kundër zbatimit të tarifës së Rrugës së Kombit nga Qeveria e Shqipërisë nga data 17 shtator për vizitorët që vijnë nga Kosova, siç duket kjo nuk ka ndikuar ende në fluksin e lëvizjes.

Për të gjithë ata vizitorë që do të vijnë nga Kosova për të kaluar në një drejtim të Shqipërisë nëpër këtë rrugë për vetura kjo do të kushtojë pesë euro. Ndërsa, për të njëjtin kalim, autobusët duhet të paguajnë 11 euro, kamionët e mesëm 16 euro e ata të rëndë 22 euro.

Gjatë vitit 2017 në kufirin Kosovë-Shqipëri janë regjistruar mbi dy milionë hyrje-dalje të automjeteve, kamionëve dhe autobusëve.

“Gjatë vitit 2017, në Kosovë nga pika kufitare e Vërmicës kanë hyrë 858,687 vetura dhe kanë dal 790,192, janë hyrë 22,787 autobusë ndërsa kanë dal 20,187. Edhe numri i kamionëve nuk është i vogël, gjithsej kanë hyrë 74,929 ndërsa kanë dal 84,683”, thuhet në të dhënat e Policisë së Kosovës.

Llogaritur nga hyrje-daljet që janë bërë gjatë vitit 2017, vetëm nga veturat, Shqipëria do të fitojë brenda një viti mbi 8.2 milionë euro, nga autobusët mbi 472 mijë euro, ndërsa nga kamionët mbi 3.67 milionë euro, pra në një total rreth 12 milionë euro.

Për kosovarët destinacioni i preferuar për pushime dhe vizita vazhdon të mbetet Shqipëria.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, për kundër zbatimit të tarifës, numri i vizitorëve në muajin shtator 2018 nga Kosova ka pasur rritje të madhe.

“Kosova ka pasur rritjen më të madhe prej 66 për qind më shumë krahasuar me shtatorin e vitit paraparak. Pra, 261 mijë 148 vizitorë nga Kosova kanë hyrë në Shqipëri në muajin shtator 2018, apo 105 mijë 417 më shumë se shtatori i 2017-së”, thotë INSTAT.

Hyrjet nga Kosova vijojnë të mbeten në vend të parë me 34 për qind në listën e vendeve nga ku vijnë vizitorë në Shqipëri. Në vend të dytë është Maqedonia, ndjekur nga Greqia dhe Mali i Zi.

Në muajin shtator 2018, numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj të hyrë në Shqipëri ishte 1.21 milionë vizitorë apo një rritje prej 31.5 për qind krahasuar me muajin e njëjtë të vitit 2017.

Kurse gjatë muajve janar-shtator 2018, në Shqipëri kanë hyrë mbi pesë milionë vizitorë me një rritje prej 19.8 për qind në krahasim me periudhën e vitit paraprak. /Konica.al/

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës

Albin Kurti në Berlin më 25 prill, zbardhet axhenda

Inskenohet “pushtimi i Serbisë”

Vuçiç bën prova lufte në kufi me Kosovën

"Duhet ta forcojë prodhimin"

Raporti i FMN: Kosova e varur nga importi

Bllokimi i kosovarëve në kufi dhe tensionet në veri

O’Brien sot në Beograd për takime me krerët e Serbisë!