MENU
klinika

Çfarë u vendos?

Samiti i Sirisë/ Asnjë përparim lidhur me çështjen

28.10.2018 - 15:24

Një samit mbi Sirinë ka përfunduar pa ndonjë përparim të madh, megjithëse udhëheqësit e Turqisë, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës ranë dakord se duhet të bëhet një armëpushim në Idlib dhe tha se një komision për hartimin e kushtetutës së re të vendit të shkatërruar nga lufta duhet të mblidhet deri në fund të vitit.

Takimi i së shtunës në Stamboll synonte një plan përfundimtar për paqe në një vend të shkatërruar nga më shumë se shtatë vjet luftë.

Në një komunikatë të përbashkët pas takimit të tyre, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidenti rus Vladimir Putin thane se duheshin krijuar kushtet e duhura për kthimin e sigurt të refugjatëve në shtëpi.

Samiti, i cili nuk u ndoq nga ndonjë grup sirian, ishte i pari që i bashkoi të katër udhëheqësit lidhur me çështjen e Sirisë.

“Populli i Sirisë do të përcaktojë të ardhmen e Presidentit Bashar al-Assad”, tha Erdogan, administrata e të cilit mbështet grupe të caktuara rebele në Idlib.

Që nga fillimi i kryengritjes siriane, qindra mijëra sirianë janë vrarë dhe mbi 12 milionë njerëz, gjysma e popullsisë para luftës në vend, janë zhvendosur.

Erdogan tha se Turqia kishte mirëpritur më shumë se tre milionë refugjatë sirianë, por atyre duhet t’u lejohet të kthehen në Siri dhe kjo duhet të bëhet në mënyrë vullnetare. “Me bashkëpunimin e Kombeve të Bashkuara, kjo mund dhe duhet të bëhet,” tha ai.

Gjithashtu në takim u diskutua për një zonë të çmilitarizuar rreth krahinës së Idlibit, një iniciativë e mbështetur nga Turqia dhe Rusia që synonte parandalimin e një sulmi ushtarak në enklavën e fundit rebele në Siri.

Të premten, i dërguari i OKB-së Bashar al-Jaafari, gjithashtu bëri thirrje që zona “e përkohshme” duhet të kthehej sa më shpejt në kontrollin e qeverisë.

Putin tha se Moska do të ndihmonte Damaskun “të eliminonte terroristët” në Idlib në rast të ndonjë provokimi.

Sipas një marrëveshjeje midis Ankarasë dhe Moskës muajin e kaluar,  forcat ruse dhe turke do të kryejnë patrullime të përbashkëta në zonë me qëllim parandalimin e rifillimit të luftimeve.

Nga ana e saj, Merkel rinovoi një thirrje për zgjedhje dhe tha se “të gjithë sirianëve duhet të lejohen të vendosin të ardhmen e vendit, në zgjedhje të lira dhe transparente që duhet të mbikëqyren ndërkombëtarisht”.

Ndërkohë, Macron i bëri thirrje Rusisë të ushtrojë “presion” ndaj Damaskut, i cili varet nga ajo për mbijetesë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Albert Çaçi

Beteja për Idlib-in