MENU
klinika

Tenis meshkuj

Shangai nis pa surpriza për pretendentët

10.10.2018 - 21:03

Nuk ka pasur surpriza në startin e turneut të Masters të Shangait për meshkuj në tenis. Në ndeshjet e raundit të dytë, kanë zbritur të gjithë tenistët më të mirë në botë që marrin pjesë. Rafael Nadal nuk do të luajë, pasi është në fazë rikuperimi pas dëmtimit në US Open.

Të pranishëm janë Roger Federer e Novak Djokovic, numrat 2 dhe 3 në botë, që nuk kanë zhgënjyer në ndeshjet e para. Federer mundi me vështirësi 2-1 (6-4, 4-6, 6-4) rusin Daniil Medvedev, ndeshje me luhatje për zviceranin, që rrezikoi shumë në këtë debutim.

Ai është kampion në fuqi në këtë turne, por në këtë sfidë të parë loja e tij nuk ishte ajo që pritej, edhe pse në fund ia doli mbanë. Në raundin e tretë shkon edhe Novak Djokovic, që fitoi 2-0 (6-3, 7-5) ndaj francezit Jeremy Chardy.

Një paraqitje të mirë bëri edhe tenisti gjerman Alexander Zverev, numri 5 në botë, që mundi po 2-0 (7-5, 6-4) bjellorusin Nikoloz Basilashvili, ndërsa argjentinasi Juan Martin Del Potro (numri 4 në botë) eliminoi francezin Richaerd Gasquet, duke fituar 2-0 (7-5, 7-6). Një biletë për më tej kanë siguruar edhe japonezi Kei Nishikori, afrikano-jugori, Kevin Anderson e britaniku Kyle Edmund.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN