MENU
klinika

Vlerësimi i Euro Health Consumer

Shëndetësi: kosto e lartë, korrupsion dhe burokraci

06.10.2018 - 10:15

Sistemi shëndetësor në Shqipëri ka kosto të larta, burokraci të shumtë dhe nivel të lartë korrupsioni. Duke iu referuar vlerësimit të sistemeve shëndetësore nga “Euro Health Consumer Index 2017”, Shqipëria renditet në vendin e 27 nga 35 vende që përfshihen në këtë raport. Krahasuar me një vit më parë, Shqipëria renditet pesë vende më lart.

Nga 1000 pikë maksimale që duhet të arrijnë vendet për shërbimet shëndetësore që ofrojnë, vendi ynë mbledh 596 pikë. Sipas raportit Shqipëria ka fituar më shumë pikë, duke e shmangur vendin e fundit, si rezultat i aksesit më të lartë në shërbimet shëndetësore.

Një tjetër indikator që merret në shqyrtim në këtë anketë që nga viti 2008 ka të bëjë me pagesat nën dorë për mjekët. Anketimi ka si qëllim që të shohë prirjen e pacientëve për të paguar “rryshfet” në këmbim të një shërbimi më të shpejtë apo më cilësor nga mjekët, një metodë kjo e ndjekur në mënyrë të vazhdueshme në Shqipëri. Në perceptimet e vetë qytetarëve apo pacientëve, shëndetësia në vendin tonë është një nga sistemet më të korruptuar.

Referuar edhe anketës së “Euro Health Consumer Index 2017”, shqiptarët hyjnë në kategorinë e pacientëve që paguajnë shpesh rryshfet në këmbim të një shërbimi shëndetësor. Sipas raportit, të gjitha vendet e rajonit janë të infektuara nga dhënia e rryshfetit për mjekët. Në vendet e BE, rastet e korrupsionit janë sporadike, sipas raportit për 2017, me përjashim të Greqisë e cila rreshtohet në krah të vendeve me një nivel të lartë korrupsioni në shëndetësi.

Sipas anketimit, perceptimi në popullatën tonë është se medikamentet që jepen me rimbursim si alternativa të para nuk janë efektive. Në anketë, Shqipëria është e shënuar me të kuqe sa i përket aksesit dhe cilësisë së barnave. Ndërsa vendi që historikisht ka patur tendencën e futjes në treg sa më shpejt të barnave të reja është Greqia.

Një problem tjetër që ngelet plagë e sistemit shëndetësor është mungesa e barnave. që lidhet me disa faktorë kryesorë: planifikimi i buxhetit para se të planifikohet lista e nevojave, mungesa e përditësimit të protokolleve si dhe planifikimi për barna në bazë të historikut.

Në vendin tonë sigurimi i barnave për spitalet bëhet në bazë të prokurimit të përqëndruar që realizohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale në masën e 60% të totalit të shpenzimeve për këtë zë. Si dhe në masën e 40% prokurimet realizohen nga vetë institucionet, spitalet.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Spitali Rajonal i Gjirokastrës

Nuk kanë të sosur peripecitë për dializën