MENU
klinika

Në vendin e 102 në Botë

Shqipëria, ekonomi pa siguri për pronën

12.10.2018 - 11:18

Problemet me pronën janë një ndër dobësitë themelore të klimës së të bërit biznes dhe të ekonomisë shqiptare. Studimet krahasuese tregojnë se, për të drejtat e pronësisë, Shqipëria është ndër vendet më problematikë në të gjithë botën.

Një studim i specializuar krahasues është Indeksi Ndërkombëtar i të Drejtave të Pronësisë, që e rendit Shqipërinë në vendin e 102 nga 125 vende të botës të marra në analizë. Raporti i vitit 2018, megjithatë, e ka përmirësuar pozicionimin e Shqipërisë, po të kemi parasysh se në vitin 2017 renditeshim në vendin e 118-të.

Indeksi i të drejtave të pronësisë hartohet nga Aleanca për të Drejtat e Pronësisë, organizatë ndërkombëtare me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Indeksi ka tre komponentë kryesorë, që vlerësojnë kuadrin ligjor e politik në tërësi, dhe veçmas garancitë në mbrojtjen e të drejtave mbi pronën fizike dhe atë intelektuale.

Për sa i takon të drejtave fizike të pronës, renditja e Shqipërisë është më pak negative, duke u renditur në vendin e 81-të në Botë.

Edhe në treguesin e të drejtave ligjore renditja e Shqipërisë është ndjeshëm më e mirë se ajo mesatare, duke u renditur e 82-a. Megjithatë, një element që vlerësohet shumë negativisht brenda këitj kuadri është pavarësia e sistemit gjyqësor, ku renditemi në vendin e 112-të.

Renditja më negative është ajo që lidhet me të drejtat e pronësisë intelektuale, ku Shqipëria rezulton shumë pranë fundit, në vendin e 119- të.

Ndonëse Shqipëria ngelet një vend shumë problematik për të drejtat e pronësisë, vlen të thuhet se vendet e tjera të rajonit nuk janë aspak një shembull për t’u ndjekur. Me përjashtim të Maqedonisë, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor renditen edhe më mbrapa se Shqipëria në indeksin ndëkrombëtar të të drejtave të pronësisë.

Në nivel botëror, renditja e shteve ku prona është më e mbrojtur udhëhiqet nga Zelanda e Re, Finlanda dhe Suedia.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN