MENU
klinika

Pritet rritje e mëtejshme

Shtrenjtohet nafta, çmimet kalojnë 180 lekë për litër

02.10.2018 - 15:02

Çmimet e karburanteve u rritën në fillim të kësaj jave dhe kaluan kufirin e 180 lekëve për litër në pikat e furnizimit në kryeqytet. Ky është shtrenjtimi i dytë në seri i çmimeve të karburantit, pas atij që ishte regjistruar në mesin e këtij viti, edhe në atë rast me rreth pesë lekë për litër.

Sipas tregtarëve, rritja ka ardhur për shkak të shtrenjtimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. Në bursa, nafta bruto kuotohet aktualisht me afërsisht 85 dollarë amerikanë për fuçi. Pritshmëritë janë për rritje të mëtejshme, falë rimëkëmbjes ekonomike, që, sipas ekspertëve, do të rrisë kërkesën për nënproduktet e naftës.

Nafta po i drejtohet pragut të 100 dollarëve për fuçi dhe kjo tendencë shtrenjtimi pritet t’i çojë çmimet në tregun shqiptar të pakicës drejt nivelit të 200 lekëve për litër. Ky nivel u regjistrua në vitin 2012, vit kur çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare arritën pikun.

Shtrenjtimi i radhës i karburanteve pritet të rëndojë ndjeshëm buxhetet familjare. Shpenzimet për transport, ku karburanti përbën zërin kryesor, vitin e kaluar përbënin 7.2% të shpenzimeve totale të familjeve shqiptare. Ato u rritën me 15% krahasuar me vitin 2016.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Më shumë të ardhura buxhetore

Rritet eksporti i naftës bruto