MENU
klinika

Nga Project Syndicate

Si shpëton Evropa nga populistët ‘alla Trump’?

04.10.2018 - 12:23

Nuk është çudi që populistët që luftojnë kundër elitave të korruptuara përfundojnë vetë si elita të korruptuara në pushtet. Në zemër të populizmit nuk është një dëshirë e vërtetë për reforma, por një etje për pushtet dhe pasurim personal. 

Liderët populistë paraqiten si alternativë ndaj një “elite të korruptuar” që pasurohet në kurriz të “popullit”. Sipas populistëve, vetëm ata mund të rregullojnë qeverisjen. Ose, siç e tha Donald Trump gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 “Vetëm unë mund ta rregulloj”.

Trump premtoi se ai do të “zbrazte moçalin” që ishte krijuar në qeverisjen amerikane. Por tani kanë kaluar pothuajse dy vjet që nga zgjedhja e Trump dhe administrata e tij po përjeton shumë skandale dhe moçali tani është më i thellë dhe më i zymtë se kurrë.

 

Populistët rrallë i mbajnë premtimet e tyre, për një arsye të thjeshtë: Prioriteti i tyre i vërtetë është shfrytëzimi i sistemit për fitimin e tyre. Kjo është e qartë në Evropën Qendrore dhe Lindore, ku udhëheqin liderat “mini-Trump”. 

 

Në Poloni, udhëheqësi i qeverisë dhe partisë Ligji dhe Drejtësia (PiS), Jarosław Kaczyński vazhdimisht bie në kundërshtim me elitat e korruptuara dhe në të njëjtën kohë, shkatërron institucionet demokratike.

Korrupsioni zhduket në mjedise ku gazetarët dhe grupet e vëzhgimit mund të punojnë pa frikë dhe presion. Kjo është arsyeja pse populistët e krahut të djathtë janë kaq të prirur për të përçmuar dhe censuruar shtypin e lirë.

Trump i ka quajtur mediat kryesore si “armiq të popullit”. Që kur PiS erdhi në pushtet, ekosistemi i medias polake u zvogëlua nga “i lirë” në “pjesërisht i lirë” në renditjen vjetore të Freedom House, për shkak të intolerancës së qeverisë ndaj raportimit të pavarur ose kritik, ndërhyrjes së tepruar politike në punët e mediave publike dhe kufizime në fjalimin lidhur me historinë dhe identitetin polak.

 

Ashtu si në Poloni, paragjykimi i shoqërisë civile hungareze ka krijuar një mjedis pjellor për korrupsionin.

Anëtarët e qeverisë së Orban tani udhëtojnë rregullisht me avionë privatë për të ndjekur ndeshjet e futbollit.

Për herë të parë që nga themelimi i saj, Parlamenti Europian kohët e fundit votoi për të vendosur sanksione kundër një shteti anëtar të Bashkimit Evropian sipas nenit 7 të Traktatit të Lisbonës, pas nxjerrjes së një raporti të ashpër që detajonte shkallën e iliberalizmit dhe korrupsionit në Hungari.

Nëse do të ndalin rrjedhën e korrupsionit në Evropë, është e domosdoshme që institucionet e BE t’i përgjigjen shkeljeve të vlerave themelore të bllokut, duke filluar me përpjekjet për të shtypur OJQ-të dhe shtypin e lirë.

Në vend që të mbrojnë qeveritë populiste që po bëjnë të mundur korrupsionin dhe, në disa raste, grabitjen e fondeve të BE-së, BE duhet të përdorë mekanizmat e disponueshëm sipas traktateve të saj për të siguruar që të gjitha qeveritë e shteteve anëtare të mbikëqyren. Mbrojtja e vlerave evropiane nuk kërkon asgjë më tepër se kaq.

Guy Verhofstadt, një ish-kryeministër belg, është Presidenti i Grupit të Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Evropë (ALDE) në Parlamentin Evropian.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Euroskepticizëm apo eurorealizëm?

“Ballkanizimi” i Evropës