MENU

Gjuha standarde

Si u arrit në drejtshkrimin e shqipes?

05.10.2018 - 18:24

Në kopertinë foto nga Kongresi i Drejtshkrimit

Me dokumente, gjuha shqipe ekziston e shkruar qysh në vitin 1462 në një copë letër ku Pal Engjëlli, prift shqiptar shkruan formulën universale të pagëzimit, sanksionuar qysh në koncilet më të hershëm të krishtërimit. Më pas është “Meshari” i Gjon Buzukut si i pari libër i shkruar në shqip duke mbërritur deri në të shkruarit e ditëve tona.

Po të shohim versionet origjinalë të “Formulës së Pagëzimit” dhe “Mesharit”, vërejmë se gjuha e përdorur i ngjason shumë pak asaj që ne përdorim sot. Vetëm punimet voluminoze të prof. Eqrem Çabej na ndihmojnë të kuptojmë atë çfarë autorët kanë dashur të thonë.

Në kohën kur flasim (shek. XV dhe XVI) duhet të kemi parasysh se toponimi “Shqipëri” nuk ekzistonte. Gjuha e përdorur ishte gjuha arbërore ose arbnore. Tani kalimi nga arbërorja te shqipja e sotshme është një problem i cili ka ngërthyer studiues të shumtë.

Sigurisht, ndër të parët dhe më i rëndësishmi është Çabej, duke arritur deri në gjuhëtarët e sotshëm, punimet e të cilëve mund t’i lexoni në revistat më prestigjoze të vendit si “Studime Filologjike”, “Hylli i Dritës”, “Studime Albanologjike”, “Shejzat” e të tjera. Problemet që ata trajtojnë janë gjurmimi i teksteve të vjetra dhe kthimi i tyre në mos jo në formën e shkruar të shqipes së sotshme, në një formë gjuhësore e cila mund të kuptohet.

Në këtë moment del në pah një problem i ri: Çfarë nënkuptojmë me “formë e shkruar e shqipes së sotshme”? Sipas Akademisë së Shkencave, shqipja e shkruar është ajo formë e shqipes e cila respekton rregullat e librit “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, rregulla që krijojnë “Standardin e gjuhës shqipe” apo “Gjuhën letrare shqipe”.

Për të arritur deri këtu, janë bërë një serë përpjekjesh. Fillimisht, në periudhën e Rilindjes thuajse çdo shoqëri shqiptare kishte krijuar alfabetin e saj me anë të të cilit shkruante dhe botonte periodikë dhe libra. Mes tyre veçohet ai i shoqërisë “Bashkimi” i cili më pas u përdor si bazë e atij që vendosi “Kongresi i Manastirit”.

Pra doli një alfabet që do të thotë se dolën 36 shkronja, por nuk doli mënyra e duhur se si këto shkronja do të përdoreshin dhe rregullat e shkrimit drejt të tyre.

Po të lexohen dokumente dhe shkresa zyrtare të periudhës post – pavarësi deri në periudhën e fazhizmit, do të shohim se gjuha shqipe shkruhej në një formë që respektonte rregullat e dialektit gegë të studiuar nga Atë Justin Rrota.

Menjëherë pas ardhjes së komunizmit kemi tendencën për të shmangur dialektin gegë deri sa, në vitin 1956 botohet “Ortografia e Gjuhës Shqipe”. 11 vjet më vonë botohet “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes” dhe në 1973, “Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe”, hartuar nga një komision me drejtues Androkli Kostallari dhe pjestarë Eqrem Çabej, Mahir Domi dhe Emil Lafe.

Legjendare do të mbetet fjala e Çabejt i cili thotë:

Për sa kohë në matematikë nuk ka skaj, përse të ketë në gjuhë?” Me këtë fjalë, ai kundërshtoi eleminimin e paskajores, formë “eksluzive” e gegërishtes në gjuhën shqipe.

Ne sot vazhdojmë të shkruajmë drejt sipas botimit të vitit ’73, pavarësisht se shpesh herë studiues dhe intelektualë me peshë thonë se kjo nuk është e drejtë.

—–

Bibliografia:

Drejtshkrimi i gjuhës shqipe, “Akademia e Shkencave të Shqipërisë”

“Meshari” i Gjon Buzukut, Botim Kritik i E. Çabej, Shtwpia Botuese “Çabej”

“MESHARI, Buzuku dhe ‘tekstet delikate’ sipas Çabejt”, Evalda Paci, Gazeta “Standrad”

 

/ A. D