MENU
klinika

Normalizohen marrëdhëniet

Siria rihap kufirin me Jordaninë

16.10.2018 - 17:26

Qeveria siriane festoi të hënën rihapjen e një kalimi kufitar shumë të rëndësishëm me Jordaninë si një shenjë e re e kontrollit të rivendosur të Presidentit Bashar al-Assad mbi pjesën më të madhe të vendit dhe shenjë përparimi në përpjekjet e tij për të normalizuar marrëdhëniet me shtetet e tjera arabe.

Lufta civile që ka shkatërruar Sirinë që nga viti 2011, ka shkatërruar ekonominë e vendit dhe ka shkëputur shumë nga marrëdhëniet e saj rajonale, dhe Assad, së bashku me aleatët e tij rusë dhe iranianë, tani shpreson që ai të mund të zhbëjë disi dëmin.

Pika kufitare e Nasibit, përgjatë kufirit jugor të Sirisë me Jordaninë, u mbyll për tre vjet, sepse territori në anën siriane kontrollohej nga rebelë të armatosur dhe luftëtarë xhihadistë. Qeveria siriane këtë verë me ndihmën e sulmeve ajrore ruse, bëri që pika kufitare të rihapej.

Nasibit ka shumë rëndësi për ekonominë e të dy vendeve dhe rihapja i lejon Sirisë të eksportojë prodhime dhe mallra të tjera në Jordani dhe në vende të tjera arabe.

Aktiviteti ekonomik gjithashtu siguron një burim punësimi për shumë shoferë dhe tregtarë në anën jordaneze, ndërsa Libani, fqinji i Sirisë në perëndim, gjithashtu përfiton.

Zyrtarët sirianë e panë hapjen si fillimin e normalizimit të marrëdhënieve me shtetet e tjera arabe pas shtatë viteve të luftës civile që e la vendin të izoluar në aspektin diplomatik.

Duke folur së bashku me homologun e tij irakian në Damask, Ministri i Jashtëm Walid al-Muallem i Sirisë u shpreh se shpresonte se së shpejti do të hapej edhe pika e kalimit të Albu Kamal me Irakun.

Lidhja arabe 22-anëtarëshe ngriu anëtarësimin e Sirisë pas shpërthimit të luftës civile dhe mbetet e paqartë kur Siria mund të ripranohet si anëtare.

Zhvillimet në kalimin e Nasibit përkojnë me një vendim të ushtrisë izraelite të hënën për të rihapur kalimin e Quneitra midis pjesëve siriane dhe pjesëve të kontrolluara nga Izraeli në Golan.

Izraeli fitoi shumicën e hapësirave të Golanit në fazat përmbyllëse të Luftës së Lindjes së Mesme në vitin 1967 dhe frenoi një përpjekje siriane për ta rimarrë atë në vitin 1973.

Pas fillimit të luftës civile të Sirisë, pati shkelje të armëpushimit. Në vitin 2014, 45 paqeruajtës nga Kombet e Bashkuara u mbajtën rob disa javë nga xhihadistët e lidhur me al-Kaedën dhe bazat e tyre u sulmuan.

Paqeruajtësit rifilluan patrullat e tyre në zonën e Quneitra këtë gusht, pasi forcat qeveritare siriane rifituan kontrollin e krahinës përreth dhe policia ushtarake ruse u vendos atje.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Albert Çaçi

Beteja për Idlib-in

Një konflikt i mundshëm me Rusinë

Gjermania s’mund të rrijë duarkryq përball Sirisë