Menu

Flet Robert Budina

‘Streha mes reve’, një film që kalon kufijtë

11.10.2018

Kemi filluar të kuptojmë të gjithë se të jesh artist në ditët e sotme, është pak a shumë si puna e një filmi ku përgatitja e xhirimeve na kujton herë pas herë plane nga jeta jonë. Jemi me diplomë apo jo, përfshirja në art na ofron një paralele si një koncept me një pasqyrë e cila na përplas të vërtetën ballit.

Shkarkoni Aplikacionin e Konica.al

E gjithë kjo ekspozë erdhi vetiu, kur lexoj lajmin se filmi i Robert Budinës, titulluar “STREHA MES REVE” , që është dhe produksioni i fundit filmik i ERAFILM Shqipëri në bashkëprodhim me DIGITAL CUBE Rumani, ishte përzgjedhur në KONKURSIN ZYRTAR të Festivalit të 22-të Black Night Film Festival në Tallinn PÖFF.

Dhe kjo nuk është pak! Me skenar dhe regji të vetë Budinës, financuar nga QKK dhe në bashkëpunim me RTSH-në, ai rrëfen se ideja për për të shkruar filmin ”Streha mes reve” lindi në periudhën kur xhironin filmin italian ”Burrnesha” në Valbonë, i cili u shfaq në Berlinale ne vitin 2015.

“Historitë e zonës dhe natyra e luginës së Valbonës dhe Dragobisë që duken si shtëpia e zotit më grishën fantazinë të shkruaja një histori që kalonte kufijtë kombëtarë dhe kishte një stil të vecante rrëfimi kinematografik. Filmi bën fjalë për Besnikun, një bari besimtar i devotshëm dhe raportin që ai ka me komunitetin, familjen, dashurinë, besimin në zot dhe natyrën”, shprehet ai.

“Streha mes reve” në edicionin e 22-të të Black Nights Film Festival në Tallin Estoni, na bën të kuptojmë se çdo kohë nxjerr në pah artistë që japin prova mençurie dhe gjatë përmbysjeve me çudira akoma më të mëdha që Shqipëria jonë t’i ofron pa hesap duke dhunuar e persekutuar atë që quhet lehtësisht “krijimtari” dhe shpërfillet gjerësisht në trotuaret e kulturës kryeqytetit.

Budina theksoi gjithashtu:

Doja që ndjesitë e tij ti përcillja përmes imazhit, poezisë së natyrës, zhurmave, muzikës dhe jo përmes konfliktit apo dialogut. Doja që spektatori të futej në botën e tij natyrshëm, të jetonte dhimbjet e tij dhe ti dukej sikur Besnikun e ka njohur edhe përpara se ta shohë filmin. Doja që filmi të kishte një qasje universale që i kalon kufijtë kombëtare dhe gjithkush mund të identifikohet me personazhin kryesor duke e përqëndruar në botën e tij të brëndshme dhe jo përkatësine sociale.

Pjesëmarrja në Black Nights film festival në Tallin është shumë e rëndësishme, sepse është një festival i kategorisë A, ndër 8 më të mirët në Europë dhe 15-të më të mirët në botë, nga ku shkruajnë revistat më të mëdha të kinemasë si Varaity dhe Hollywood Reporter apo Indirewire. Ku vjen ajka e industrisë botërore të kinemasë dhe distributorët më të rëndësishëm kinematografikë dhe televizivë.

Pra është një market që hap dyer të rëndësishme për filmin në art.


Premiera e filmit STREHA MES REVE do të jetë më datë 28 Nëntor ditën e pavarësisë së Shqipërisë.

Unë shpresoj që kjo datë të na sjellë fat, jo vetëm për ne por edhe për kinemanë shqiptare, e cila duket se po kalon një periudhë të mirë pasi edhe filmi i mikut tim të kursit dhe kolegut Bujar Alimani DELEGACIONI është përzgjedhur në Festivalin e Filmit në Varshavë i cili është edhe ai në të njëjtën listë si festivali i Tallinnit”, e mbyll rrëfimin e tij regjisori.


Një ngërthim dimensional për filmin tonë, për të treguar në arenën ndërkombëtare me madhështi jetë njerëzore dhe elemente artistike të cilat na bëjnë të themi “Po, të nderuar. Shqipëria është vendi ku mungojnë shqiponjat por jo artistët“.

Ilnisa Agolli