MENU
klinika

Kombëtarja U-21

Tafa e Ademi: E vështirë ndaj Spanjës, por…

09.10.2018 - 15:07

Kombëtarja U-21 vijon përgatitjet e saj në vigjilje të ndeshjes zyrtare eliminatore me ekipin spanjoll, si dhe të transfertës në Parnu me Estoninë. Trajneri Alban Bushi ka vijuar përgatitjet e tij, teksa dita e sotme përkon me dy seanca stërvitore.

Pëpara medieve sot dolën futbollistët Albjon Ademi dhe Shaqir Tafa. Njëri sulmues që aktivizohet në radhët e skuadrës finlandeze të Inter Turku, dhe Tafa, mbrojtës që luan me ekipin Italian të Cuneos.

Për këto dy takime të fundit eleminatore, Albjon Ademi theksoi: “Edhe pse tashmë jemi jashtë objektivit, përsëri kemi vlerësuar maksimalisht këto dy ndeshje, të cilat do të mbyllin edhe serinë e ndeshjeve për grupin tonë.

Fillimisht të shohim Spanjën, më pas do të kemi kohë të mendojmë për Estoninë. Spanjollët dihen për potencialet dhe forcën që kanë, por ne do të bëjmë maksimalen tonë, dhe përtej saj, në mënyrë që të bëjmë një paraqitje më shumë se sa dinjitoze.

Gjatë gjithë ndeshjeve, me më pak vëmendje mund të kishim më shumë pikë, sidoqoftë le të përqëndrohemi te këto dy sfida të fundit dhe të marrim më të mirën e mundshme. Zgjodha me bindje të luaj për vendin tim dhe, ndërsa për ekipin kombëtar A, duhet të punojmë shumë, si në klubet tona, edhe në ekipin kombëtar U-21”,- theksoi sulmuesi Ademi.

Nga ana e tij, mbrojtësi kuqezi Shaqir Tafa shtoi: “Kundër Spanjës do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi janë skuadër me element të shumtë cilësorë, por edhe një ekip kompakt. Do mundohemi t’i limitojmë në hapësirat e tyre ofensive.

Ndoshta rezultati i takimit në Spanjë nuk ishte edhe shumë real për lojën që bëmë, sidoqoftë duhet të kemi edhe pak fat. Ata janë të parët e grupit, por ne do të bëjmë lojën tonë për të arritur më të mirën. Mendojmë të kufizojmë maksimalisht në hapësirat e tyre, për të mos i lënë mundësi.

Edhe unë ndaj të njëjtin mendim që ne mund të kishim më shumë pikë, nëse do të tregonim më shumë përqëndrim e kujdes deri në fund të lojës, ku dhe jemi penalizuar shpesh. Na mbetet të bëjmë më të mirën tonë tashmë për të mbyllur me pikë këtë raund eleminator”,- theksoi ndër të tjera mbrojtësi i ekipit përfaqësues.

Skuadra përfaqësuese U-21 do të zhvillojë edhe pasditen e së martës një tjetër konferencë për shtyp në një kohë që të mërkurën në 10.30 është radha e trajnerit Bushi me kapitenin e skuadrës, për daljen publike. Konferenca do të zhvillohet në FSHF dhe do të jetë e fundit, përpara takimit me Spanjën.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shënuesi ynë feston me shqiponjë

Kombëtarja U-21 e pëson në fund nga Italia