Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e sheh vetëm një mundësi për marrëveshje kufitare me Serbinë.
Agjencia e lajmeve britanike, “Reuters”, i jep rëndësi çështjes së korrigjimit të kufijve që presidenti Thaçi e ka riaktualizuar kohën e fundit. Sipas saj, Kosova po e sheh si shans të vetëm për zgjidhjen e konfliktit me Serbinë, marrëveshjen për korrigjimin e kufijve.
“Një marrëveshje për paqe në mes të dyja vendeve, duke përfshirë edhe kufirin do të hapte rrugën për prosperitet dhe lidhje të ngushta ma Bashkimin Evropian, si dhe njohje për Kosovën”, ka thënë presidenti Thaçi, pas takimit në Gjenevë.
Presidenti Thaçi është shprehur pas takimit në Gjenevë, që edhe pse shanset janë shumë të vogla, ka ende shpresë për të arritur një marrëveshje historike në mes të dy vendeve.
“Unë e di që ka kritika, por përgjigja ime është se nëse e humbim këtë moment, ne rrezikojmë të hyjmë në një dekadë tjetër të perspektivës së paqartë, të konflikteve të ngrira dhe status quos”, ka thënë Thaçi.
Fati i fshatrave serbe në veri të Kosovës është një nga çështjet kryesore të mosmarrëveshjes. Kosova ka qenë ish krahinë e Serbisë në Ish-Jugosllavisë e cila shpalli pavarësinë pasi forcat serbe u dëbuan nga bombardimet e NATO-s në luftën e Kosovës më 1999.
Sipas presidentit kosovar, edhe udhëheqësit e tjerë të rajonit i kanë mbështetur përpjekjet për të arritur një marrëveshje me Serbinë.