MENU
klinika

Agjenda

Thaçi ‘nuk harron’ ndryshimin e kufijve të Kosovës

12.10.2018 - 19:19

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po vazhdon ta ndërkombëtarizojë idenë e tij për korrigjim kufijsh me Serbinë.

Madje është shprehur optimist se deri në pranverën e ardhshme do të arrihet marrëveshje me Serbinë, që do të përfshijë edhe atë që vet po e quan korrigjim kufijsh, e të tjerët po e cilësojnë shkëmbim territoresh.

Në një intervistë për një televizionin francez, Thaçi theksoi se ndryshimi i kufijve nuk është ideja që ai dëshiron ta prezantojë, por se pas negociatave të deritanishme, kjo është zgjidhja e vetme e mençur për stabilitetin e dy vendeve.

Ai tha se marrëveshja do të duhet të përmbajë njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në Këshillin e Sigurisë së OKB-së. Ndërsa siguroi se nëse ndodh një marrëveshje e tillë, me të cilën Kosova do të bëhej shtet multi-etnik, të drejtat e serbëve të Kosovës do të respektohen.

“Ideja ime për korrigjim të kufijve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, nëse nuk do të nënkuptonte arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me njohje reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, në fakt sfidon rreziqe tjera të ndarjes së Kosovës apo themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe që nënkupton ‘Republika Srpska”, ka thënë Thaçi.

Prandaj mendoj se kjo zgjidhje është reale dhe do të duhet të jetë e pranueshme për të dy palët, por natyrisht e mirëpritur edhe nga bota demokratike”, ka theksuar presidenti kosovar.