MENU

Mehmet Kraja

“Turpi” i politikës

01.10.2018 - 10:54

Titulli. Është i shkrimtarit nga Afrika e Jugut, J. M. Coetzee, i cili në romanin e tij “Turpi” (Çmimi Nobel për Letërsi, 2003), në rrethanat pas aparteidit, i çon personazhet e tij në skajin e fundit të moralit, deri aty ku nuk mban më, teksa përballen me degradimin dhe shkatërrimin moral. 

Mirëpo, këtu del një rrethanë pak e ngatërruar: turpi është vlerë morale, që domethënë se, për ta ndjerë, duhet të jesh i prirë nga vlerat civilizuese dhe ta pranosh një kod etik, sado minimal qoftë ai. Me një fjalë, kufizimet morale janë vlerë civilizuese dhe nëpërkëmbja e tyre, si pasojë, çon në degradim moral, në refuzimin e rrethit shoqëror dhe në brejtjen e ndërgjegjes. Nga këto tre komponentë të turpit, si reagim i natyrshëm ndaj përballjes me kodin etik, klasa jonë politike e ka përvetësuar vetëm njërën, pra shkarjen morale dhe nuk njeh as refuzimin shoqëror dhe as brejtjen e ndërgjegjes. Më anë tjetër, Makiaveli ia njeh politikës të gjitha amoralitetet, duke e vënë edhe gënjeshtrën në piedestalin e “vlerave” të këtij “arti të sëmundshmes”. Politikanët tanë, natyrisht, nuk e kanë lexuar Makiavelin, me të cilin do t’i kundërviheshin “Turpit” të Coetzee-s, por ndjekin instinktin e tyre primitiv të “ujqërisë” për ta vandalizuar Kosovën në të gjithë përbërësit e saj.

Por, Kosova nuk falë.

Historia. Që nga fillimi i gjysmës së dytë të shekullit XX dhe deri më sot kauza e Kosovës i ka turpëruar disa herë radhazi klasat e saj politike, liderët, titullarët e pushtetit, përfshirë edhe ata që ishin luajalë ndaj tyre. Si të thuash, ishte ky një fatalitet për të gjithë ata që deshën të abuzonin me punët e rëndësishme të këtij vendi. Gjatë kësaj periudhe Kosova nxori “në anën e errët të historisë” shumë personalitete, të cilët në kohën kur sundonin nuk e kishin marrë me mend se mund të kishin njëfund të tillë, të përbuzur e të tallur edhe nga vetë trashëgimtarët e tyre. Ndoshta më shumë se fatalitet, më shumë se ogur i keq, mund të jetë se kauza e Kosovës gjatë kësaj periudhe të historisë nuk ka duruar shkelje të vlerave themelore të lirisë dhe atdhedashurisë. Që nga Lufta e Dytë Botërore dhe prapa kjo ka ndodhur me të gjitha klasat politike të Kosovës. Ka ndodhur me ata që në korrik të vitit 1945 në Prizren, në mbledhjen e të ashtuquajturit Këshill Krahinuer të Krahinës Autonome të Kosovë-Metohisë e miratuan aneksimin e Kosovës nga Serbia. Vendimmarrësit e këtij kuvendi ishin bartësit kryesorë të pushtetit në njërën nga periudhat më të errëta të historisë së re të Kosovës, deri në Plenumin e Brioneve të vitit 1966. Serbia dhe Jugosllavia nuk i sakrifikoi bartësit shqiptarë të aksionit famëkeq të armëve, të shpërnguljeve masive për Turqi etj. por Kosova i stigmatizoi, i turpëroi dhe i la me faqe të nxirë përgjithmonë. Më pas, të turpëruar dolën nga skena politike edhe bartësit e pushtetit autonomist të periudhës 1968-1974-1981, të cilët u mburrën në fillim, por dështuan ta mbronin Kosovën, kur ajo u përball me agresionin jugosllav për zhbërjen e autonomisë. Fatalisht të turpëruar dolën nga skena edhe “autonomistët e rinj” pas ’81-shit, të cilët më 1989, njësoj si pararendësit e tyre në Prizren, me votën e tyre në Kuvendin e Kosovës miratuan unanimisht suprimimin e autonomisë. Shumë nga ne i mbajmë mend autonomistët, si u vërsulen mbi Kosovën në vitin 1981, me diferencimin e egër, me nëpërkëmbjen e çdo vlere; pastaj i mbajmë mend po ata autonomistë që kërkuan mbështetjen e popullit, kur u rrezikua pushteti i tyre. I mbajmë mend delegatët e Kuvendit të Kosovës më 1989, që miratuan ndryshimet kushtetuese, ndërsa dhjeta protestues vriteshin anë e kënd Kosovës. Nuk e di nëse është bërë histori ose ka mbetur vetëm memorie kolektive, por të gjithëve që kemi jetuar vitet ’90 të shekullit të kaluar na kujtohen abuzimet dhe gënjeshtrat me “shtetin paralel”, na kujtohen ata që kërkonin të dilnin nëzgjedhjet e Serbisë dhe ata që ditën punonin për pavarësinë e Kosovës, ndërsa natën bënin prokopi me Milosheviqin.

Kauza e Kosovës i turpëroi të gjithë


Viti 1999: Këtu duhej të ndryshonte çdo gjë. U mendua se rrjedha negative e historisë për Kosovën u ndal një herë e përgjithmonë: nga skena politike duhej të dilnin, që të mos ktheheshin kurrë më, të gjithë ata që e “luftuan luftën” nga prapaskena, jo vetëm bashkëpunëtorët e fshehtë dhe të hapur të Serbisë, por edhe ata që i ngatërruan politikisht “anët e horizontit” edhe në rrafshin e ideve. Kosova e çliruar nga Serbia, e vendosur nën një protektorat të fuqishëm ndërkombëtar, sipas një rendi normal të gjërave, duhej të edukonte një klasë politike europiane, e cila hyn dhe del nga skena politike përmes një procesi të rregullt demokratik. Mirëpo, ndodhi që çlirimtarët bënë gabimin historik në dëm të Kosovës dhe të vetes së tyre: uzurpuan pushtetin, uzurpuan prona, instaluan korrupsionin, manipuluan zgjedhjet, më pas shkatërruan institucionet, veçmas institucionet e sigurisë, politizuan dhe korruptuan gjyqësorin, shkatërruan asetet ekonomike të vendit, ia bënë gjëmën idealit tëtyre dhe e turpëruan veten përballë kauzës së Kosovës. Për të shpëtuar nga fundosja, pos kërcënimeve dhe shantazheve që filluan të mos pinin ujë, pas rekrutimit të një numri të madh të të rinjve të etshëm për pushtet dhe pasje korruptive, bënë edhe manovrën më të pabesueshme: rekrutuan vasalë dhe mbështetës nga radhët e kundërshtarëve të tyre “gjenetikë”, përfshirë edhe bashkëpunëtorë të Serbisë apo trashëgimtarë të tyre ideologjikë. Shpesh u bënë mburojë politike e bizneseve që kishin lidhje të forta me Serbinë, duke përdorur bisedimet e Brukselit në favor të këtyre bizneseve. Uzurpimi dhe mbajtja e pushtetit u bë kredoja e sundimit të tyre. Mirëpo, historia tregon se një sjellje e këtillë mund të mbajë për një kohë, por nuk mban përgjithmonë: kauza e Kosovës nuk i duron abuzuesit me idealin e saj të lirisë. Argumenti i fundit i çlirimtarëve, shpallja e pavarësisë së Kosovës, vetëm përkohësisht stabilizoi imazhin dhe pushtetin e tyre, por u zvjerdh dhe u shpenzua shpejt. Dështimi i turpshëm në ndërtimin e shtetit dhe të institucioneve të tij nuk mund të fshihet më prej askujt. Por, mbi të gjitha, ajo që nuk është dashur t’iu ndodhte çlirimtarëve, kurrë dhe në asnjë rrethanë, pra nuk është dashur që disa syresh ta kërkojnë shpëtimin atje ku e kërkuan edhe pararendësit e tyre: te Serbia.

Po të mos ishte tragjike, do dukej patetike!

Gënjeshtra. E gjendur përball një erozioni të paparë, kjo klasë politike ka filluar ta kuptojë se nuk mund të vazhdohet gjithmonë kështu, se nuk mund të bësh sikur jeton i kënaqur brenda gënjeshtrës që e ka krijuar vetë. Askush nuk mund të fshihet më pas historisë, as duke e krahasuar veten me iliro-pellazgët, as duke u marrë me etimologji amatore, as duke projektuar konspiracione të muslimanofobisë. Kjo klasë politike duhet ta kuptojë se njerëzit e këtij vendi nuk janë aq budallenj, se nuk mund t’ua fyejnë vazhdimisht inteligjencën. Ata kanë një memorie dhe e dinë çfarë keni thënë dje dhe çfarë thoni sot; çfarë keni bërë dje dhe çfarë bëni sot. Kjo klasë politike duhet ta dijë se, mbase, shumë prej tyre kanë për të jetuar këtu edhe pasi të bien nga pushteti, se shumica syresh kanë prindër, kanë fëmijë, kanë njerëz që i duan dhe atyre nuk iu pëlqen të turpërohen deri në këtë masë. Sepse, tashmë e kemi mësuar, kauza e Kosovës të vë medalje në kraharor kur e meriton, por edhe të turpëron kur shkon kundër rrjedhës. Atëherë, si mund të lejoni që ndonjë eksponent i juaj të hedhë në etër kaq shumë gënjeshtra dhe ju prapë të bëni sikur nuk ka ndodhur asgjë?! Si mund të lejoni të gënjehet kaq pa shije, pa pikë turpi, sa të thuhet Kosova do të bëjë marrëveshje historike me Serbinë, duke bërë “korrigjim kufiri”, duke marrë Luginën e Preshevës dhe duke mos dhënë asgjë si kompensim, as tri ose katër komunat e Kosovës veriore, as Trepçën, as Ujmanin, as asociacionin me kompetenca ekzekutive? Po kujt ia thoni ju këto? A është Serbia ajo që e njohim të gjithë, apo në imagjinatën tuaj keni krijuar një Serbi tjetër, të zbritur nga qielli, që nuk i ngjan reales?! Kë mendoni se mund të gënjeni me terminologji, se nuk bëhet fjalë për ndarje të Kosovës por gjoja për “demarkim” e gjepura të këtilla? Pse gënjeni, pse nuk keni kurajë ta thoni të vërtetën ashtu siç është: kërkoni shpëtim nga Serbia për dështimet tuaja të brendshme dhe të jashtme! Po të mos ishit ju të tillë çfarë jeni, Kosovës do t’i shkonin mbroth të gjitha punët, edhe liberalizimi, edhe integrimet, edhe njohjet, madje edhe OKB-ja dhe nuk do të duhej që tani, për të mbetur ju në pushtet dhe për të shpëtuar lëkurën, të kërkoni shpëtim, duke i dhënë Serbisë si kundërvlerë një “copë Kosovë”, që na e paska falur Rankoviqi! Edhe këtu gënjeni sa nuk mban më. Rankoviqi nuk i ka falur Kosovës asgjë, ju e dini këtë shumë mirë, por e thoni gënjeshtrën të “stolisur” me patriotizëm, që ajo të duket më bindëse dhe më joshëse për budallenjtë. Ata autonomistë që ju i sillni nëpër korridore si këshilltarë, e dinë shumë mirë se kur janë formuar komunat e Zubin Potoku dhe Zveçanit; Leposaviqi ka qenë komunë ngaherë, kurse Mitrovicën e Veriut e bëtë ju vetë komunë serbe, duke bërë marrëveshje me Beogradin dhe bosët e kontrabandës dhe duke mos lejuar kthimin e shqiptarëve në atë pjesë të Mitrovicës. Këto janë gënjeshtrat e fundit, që kjo klasë politike arrin t’i kullandris, para se e turpëruar, si varrmihëse e kauzës së Kosovës, të dalë përfundimisht nga skena.

Kjo mund të duket pak patetike, por nuk është.

Kushtetuta: Presidenti i Kosovës, ideatori i këtij galimatiasi, kërkon të përfshijë në projektin e tij gjithë spektrin politik të Kosovës, pozitë dhe opozitë, i vetëdijshëm se vetë nuk nënshkruan dot një marrëveshje të tillë. Një ide e këtillë e çoroditur nuk ka sesi të mos jetë objekt i shqyrtimit kushtetues, sepse askush, sado i paktë nga mendtë, nuk shkruan kushtetutë pa ua kufizuar diabolikëve mundësinë e shkatërrimit të shtetit. Nëse ka kush sy me e pa, këtë kufizim e ka edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila ka hyrë në fuqi më 15 qershor 2008. Pika 1 e nenit 1 të Kushtetutës, në preambulë, ku përkufizohet shteti, thotë se Republika e Kosovës është shtet sovran, demokratik, “unik dhe i pandashëm”. Hartuesve të Kushtetutës, sigurisht duke u mbështetur në modele të tjera, kjo nuk u është dukur e mjaftueshme, prandaj në nenin 2, aty ku flitet për sovranitetin, kanë vënë pikën 2, në të cilën është thënë taksativisht se “Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacënueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohen me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe ligj”. Jo vetëm kaq. Në pakon e Ahtisaarit, e cila në një pjesë të mirë të saj është inkorporuar në Kushtetutë, është përcaktuar shumë qartë: “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti” (Kushtetuta e Kosovës, neni 1, pika 3) Atëherë, çfarë po ndodh? Në të vërtetë, presidenti me projektin e tij për ndarjen e Kosovës, apo këmbimin e territoreve, që është njësoj, gjendet në zgrip të shkeljes së Kushtetutës, vetëm se këshilltarët e tij kanë gjetur një zgjidhje “kushtetuese”: presidenti ende nuk ka bërë ndonjë veprim konkret, të cilin nuk do të mund ta gëlltiste as Gjykata Kushtetuese, sado e kapur dhe sado luajale të jetë ndaj presidentit. Edhe ekipi negociator u bë me këtë prapavijë: të gjendet një person ekzekutiv, që të nënshkruajë një traktat tashmë të negociuar prej tij. Pra, një dredhi që pale si do të përfundojë. Vetëm se është e panatyrshme, krejt jonormale, që presidenti i një vendi, që afro një vit e këndej propagandon dhe angazhohet publikisht për një agjendë politike në shkelje të Kushtetutës. Nuk ka rëndësi nëse presidenti formalisht dhe juridikisht nuk është bërë ende “objekt i përshtatshëm” për Gjykatën Kushtetuese, por është jashtëzakonisht e dëmshme për vendin, për rendin kushtetues, për pozitën ndërkombëtare të Kosovës, që i pari i shtetit, bashkë me bashkëpunëtorët e tij(gjithnjë i refuzuar dhe pa autoritet, me përkrahjen e vetëm 11%), angazhohet “me mish e me shpirt” për kauzë antikushtetuese dhe antishtetërore: ngarendin korridoreve të Brukselit dhe të OKB-së, paguajnë lobues dhe analistë, të gjitha këto jo për ndonjë agjendë shtetërore, për të shtuar numrin e njohjeve, as për bashkëpunim bilateral dhe multilateral të Kosovës me shtete dhe organizatat ndërkombëtare, por për ta cenuar integritetin territorial të shtetit që e përfaqëson. Të gjitha këto për llogari personale dhe për Serbinë.

Edhe nëse vjen nga një histori çlirimtarësh, kjo më nuk kalon!

Prapaskenat. Maqedonia i bie të jetë njëri nga kapitujt e fundit i serisë së krizave ballkanike. Suksesi i referendumit dhe përfshirja e saj në NATO është shërbimi më i madh që i bëjnë shqiptarët një agjende globale: mund të mbahet mend si një memorial mirënjohjeje për kontributin e Aleancës në 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Por ky referendum njëkohësisht duhet të shënojë edhe fundin e ndërhyrjes tepër të gjatë të Rusisë në këtë shtet të ri. Pas dështimit në Mal të Zi dhe në Maqedoni, mund të pritet ose një zmbrapse e Rusisë edhe nga Kosova, ose e kundërta, një ndërhyrje më intensive e saj në Ballkan, veçmas në Serbi, Bosnjë dhe në Kosovë. Por më shumë se çdo gjë tjetër, Rusisë i duhet precedenti i ndarjes territoriale të Kosovës, për çka ka arritur të tërheq në anën e vet edhe një pjesë të korruptuar të Brukselit. Krimeja, Abhazia, Osetia dhe Transnistria janë raste që kërkojnë një analogji të përshtatshme ndërkombëtare, për të legalizuar pushtimin rus të këtyre ish-krahinave sovjetike, respektivisht legalizimin e ndarjes së tyre nga shtetet përkatëse, Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia. Pavarësisht se ngjan si konspiracion, nuk është rastësi që rikthimi i krizës së Kosovës ngjau në të njëjtën kohë me përkeqësimin e marrëdhënieve të Erdoganit me SHBA-në dhe afrimin e tij me Putinin, si dhe me një lidhje të tij të koordinuar me tre liderët ballkanikë, Ramën, Thaçin dhe Vuçiqin. Nëse ka ndodhur kjo në prapaskenë, dhe është krejt e mundur të ketë ndodhur, pavarësisht nëse është bërë për arsye pushteti, faktorizimi ose Gjykate Speciale, dy liderët tanë mbajnë përgjegjësi historike që i kanë përfshirë shqiptarët dhe shtetet e tyre në një agjendë ruse-turko-serbe, duke i larguar dhunshëm nga bota perëndimore, të cilës natyrshëm i përkasin.

Epo, Zot, kësaj radhe mos i fal, sepse këta e dinë shumë mirë se çfarë bëjnë!