MENU
klinika

Problemi i tregut për fermerët

Vetëm këtë vit, 40 aplikime për pika grumbullimi

19.10.2018 - 15:52

Vetëm këtë vit, 40 sipërmarrje kanë aplikuar për të ngritur pika grumbullimi përmes skemave të subvencioneve nga qeveria shqiptare. Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, shprehet se futja e pikave të grumbullimit është pikërisht heqja e “dhimbjes së kokës” së hallkës së shitjes për fermerët.

“Nëse bujqësia është një tren, ne nuk mund të investojmë dot në çdo vagon, nuk do ishte e zgjuar ta thërrmonim mbështetjen tonë në çdo vagon, por ne investojmë dhe mbështesim lokomotivën që tërheq vagonat. Pra, ne mbështetëm pikat e grumbullimit dhe këtë vit gjithashtu kemi rreth 40 aplikime të reja për pika grumbullimi, më shumë se gjysma e të cilëve janë kualifikuar dhe janë duke lidhur kontratat për të ndërtuar. Kemi një investim gjigand për përmasat e tregut shqiptar, nje kompani mikse nga Kosova dhe Maqedonia, shqiptare, po investon 7.5 milionë euro për një megapikë grumbullimi në Lushnje, e cila do t’i shërbejë gjithë zonës,” thotë Peleshi.

Sipas tij, ky rrjet pikash grumbullimi, në fakt është tregu për fermerët. Shumë prej fermerëve edhe për arsye ekonomike, financiare, edhe për shkak të traditës vazhdojnë të kultivojnë kultura të cilat nuk janë shumë konkurruese dhe kanë pak të ardhura. Përmes subvencioneve, fermerët po orientohen drejt kulturave me më shumë përfitim.

“Grumbulluesi mund ta bëjë më së miri këtë punë sepse ai e ka një antenë të lidhur drejtpërsëdrejti me tregun. Pra, ne i jepnim fermerëve 50% mbrapsh të kostove të fidanëve nëse ata i blinin fidanët nga pikat e grumbullimit, që do të thotë që prodhonin atë që porosiste pika e grumbullimit. Një skemë që eci kënaqshëm vitin e parë dhe na ka bindur që duhet ta mbajmë edhe për vitet e ardhshme,” thotë ai.

Për vitin 2018, skema e subvencioneve për fermerët parashikon të shpërndajë rreth 2.6 miliardë lekë, por, të dhënat e Minsitrisë së Financave tregojnë se realizimi faktik i këtyre shpenzimeve për 8-mujorin ka qenë në nivele shumë të ulëta.