Menu

Libri

Veteranët e pavarësisë

11.10.2018

Nga Veli Haklaj/

Në këtë 90-vjetor të Monarkisë, si një vlerësim ndaj figurave më të njohura patriotike në vend, vjen një libër interesant nga studiuesi Veli Haklaj. Libri titullohet ‘Veteranët e pavarësisë’ dhe sjell dokumente të rëndësishme për lëvizjet kombëtare

Shkarkoni Aplikacionin e Konica.al

Në vitet 2005-2006, duke konsultuar dokumente arkivore në Arkivin Qendror të Shtetit, për projekte që i kam përfunduar ose i kam në proces, u njoha me një nga dosjet e fondit arkivor për kremtimin e 25-vjetorit të pavarësisë. Informacionet me shumë interes për ngjarje historike dhe personalitete me kontribute të shquara në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare më nxitën që, në vitet 2013–2014, t’u rikthehem dosjeve të administruara në këtë fond. Mirëkuptimi dhe mbështetja e drejtuesve kryesorë të AQSH dhe punonjësve të linjave të shërbimit për studiuesit më mundësuan që të konsultoj, sipas procedurave, një pjesë të konsiderueshme të dokumenteve të këtij fondi. Kjo punë disavjeçare po finalizohet me botimin e librit Veteranët e pavarësisë.

Libri është i strukturuar në dy pjesë. Në pjesën e parë janë trajtuar programi dhe organizimi i veprimtarive dhe manifestimeve madhështore, të shumta dhe të gjithanshme për festimin e 25-vjetorit të pavarësisë, në Shqipëri dhe në qendrat ku banonin shqiptarët jashtë atdheut. Vend kryesor në këtë pjesë zë veprimtaria e komisioneve qeveritare për Kremtimin e 25-Vjetorit të Vetëqeverimit, pasqyruar në kreun e parë dhe të dytë. Në kreun e tretë jepet një listë përmbledhëse e veteranëve të pavarësisë. Evidentimi i tyre u bë nga komisione të krijuara në çdo prefekturë, nënprefekturë, komunë. Kurse në kreun e pestë lexuesi do të njihet me pjesëmarrësit në kremtimet e 25-vjetorit të vetëqeverimit, përkatësisht listën e përfaqësuesve zyrtarë të qarqeve, listën e oficerëve të Trupit të Kreshnikëve, listën e djemve dhe vajzave, listën e përfaqësuesve të shoqërisë “Gruaja shqiptare”, grupin e grave me kostume dhe grupet për këngë dhe valle.

Në pjesën e dytë të librit, nëpërmjet dokumenteve arkivore, lexuesi do të njihet me ngjarje dhe fakte të shumta për lëvizjet kombëtare të shqiptarëve jo vetëm në trojet shqiptare, por dhe në Turqi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Egjipt, Rumani, Bullgari, Greqi.

Një hapësirë të rëndësishme në pjesën e dytë të librit zënë të dhënat dhe profilet për 800 veteranë të pavarësisë së Shqipërisë, të cilët vullnetarisht dhe aktivisht, dhe jo pasivisht ose nga zori, morën pjesë në lëvizjet e ndryshme që rezultuan në shpalljen, themelimin dhe përmbajtjen e indipendencës së Shqipërisë, që pësuan dhe u varfëruan për këtë arsye.

Nëpërmjet shpalosjes së dokumenteve arkivore për veteranët e pavarësisë lexuesi do të njihet me:

veteranin që, megjithëse i këputur e i dërmuar nga torturat, me fytyrë të çjerrë e të përgjakur, kur u pyet prej kryetarit të çetave rebele, Musa Qazimit, në ishte osmanlli ose shqiptar, iu përgjigj me guxim e me gjakftohtësi duke i thënë: “Me ç’gjuhë po më flet? Jam shqiptar, sikurse je edhe ti!”;

veteranin nga Berati që iu përgjigj krenarisht autoriteteve greke në Janinë, duke u thënë: “Jam shqiptar dhe Janina është vend i Shqipërisë”;

pashain matjan që, kur arabët e Tripolit iu lutën që ta proklamonin si Mbret t’atij vendi dhe të shkëputeshin nga Turqia, u përgjigj duke thënë se “kam detyra mâ të rânda kundrejt kësaj që më propozoni”, duke nënkuptuar angazhimin për lirinë e Shqipërisë;

veteranin, në varrimin e të cilit në Fayoum, Egjipt, midis ligjëratës, kryetari i komunitetit grek të atij qyteti tha: “Nderojmë kujtimin e një burri, një idealisti, që kurdoherë i kemi patur zilinë, për patriotizmën e tij të kulluar”;

veteranin që, pasi hapi teqen në Bulqizë, “bâni lidhje me 72 teqet mâ të para të Shqipnisë për të bashkëpunue për punët kombëtare”;

veteranin nga Elbasani, që duke bisedue në kohë të tiranisë turke me patriotë të tjerë, ka pas thënë: “Kur të vijë koha që duhet me u bâ lutje për lejen e këndimit të gjuhës shqipe, unë këtë lutje do ta shkruaj me gjakun tim”;

veteranin që pak ditë pas Lidhjes së Prizrenit vuri në portën e teqes së Backës (Skrapar) gurin e gdhendur me shqiponjë dykrenore duke u thënë popullsisë së atij rrethi se “ky Zog një ditë do të jetë flamuri i Shqipërisë”;

veteranin nga Durrësi, dyqani i të cilit, Ambëltore “ATDHEU”, ishte çerdhe e mbledhjes së patriotëve durrsakë;

veteranin që, “ndonëse i mveshun me petkun e fetarizmës, i përbuzun nga Kisha e Sinodhi i at’hershëm, tue lânë mënjanë interesat vetjake, pati luftuar krah për krah me idealistët shqiptarë t’asaj kohe”;

veteranin nga Kruja, që “I ri shkoj në pistak të burrnis/Shembull të mirë i la njerëzis”;

veteranin që, i shtyrë nga dëshira e elbasanasve për me u këndue në kishë këndime e urata shqip, iu përvesh punës së përkthimit të librave të kishës ortodokse, tue shpikë vetë një alfabet të posaçëm;

veteranin gjirokastrit që do shkruante: “O zot, ti e di/kë dua më parë,/lart e në lavdi të shoh shqiptarë,/pa shpirtin të dhuroj”;

veteranin, “një nga nxënësit mâ të parë, mâ besnik, dishepullin e vërtetë të Hoxhë Tahsinit për përhapjen e idesë e të ndjenjave kombëtare në Çamëri”;

veteranët e fisit të Gashit që për më se 15 ditë organizuan qëndresën kundër hordhive të Perandorisë Osmane të drejtuara nga gjenerali famëkeq Shefqet Turgut Pasha;

veteranin nga Këlcyra, lule të idesë kombëtare, që u vra në komplotin e organizuar nga valiu i Janinës dhe dhespoti i Konicës;

veteranin nga Tepelena, të cilit Eqerem Bej Vlora do t’i shkruante “kam shpresë se je i Zoti, punon për Atdhe, provat janë të gjalla”;

veteranin nga Zerqani që, sado që ishte graduar dhe dekoruar prej Sulltanit, “tue mos marrë parasysh aspak këto privilegje, u dha me mish e me shpirt mbas çështjes sonë kombëtare, n’ato kohë që dikush e kishte për turp e dikush për frikë me e quajtun vedin shqiptar”;

veteranin, nga mëmëdhetarët më të mëdhenj të çështjes shqiptare, që me përpjekjet e tij themeloi të parin Komitet në Korçë dhe teqeja e tij ishte qendra e çetës së Çerçiz Topullit;

veteranin e Dukagjinit që në vitin 1908, bashkë me Dervish Himën, shkon nëpër Male të Kosovës e bashkohet me Mulosmanajt e Krasniqes e më vonë me Bajram Currin për të përgatitë popullin për kryengritje kundër Turqisë;

veteranin që, në vitin 1886, kur këshilltarët e Shkollës Shqipe të Korçës po vinin ngushtë e vërdallë se nuk gjendej dot një shtëpi me qira për shkollën shqipe, sepse grama shqipe konsiderohej si gjuhë e mallkuar, ai telegrafoi në Korçë nga Bukureshti fjalët historike: “Zbrazni shtëpinë time, e cila le të mbetet e falur për gjithë jetën për gjuhën shqipe!”;

veteranin nga Korça, që, për trimërinë e treguar në luftën e rreptë të Kaçanikut kundër turqve, bajraktarët e Grudës dhe të Hotit së bashku me kosovarët e mbiquajtën Bajraktar Toskë;

veteranin që formoj shkollën e parë të rregullt shqiptare në Kajro, i cili la amanetin: Mbi dhe ku do jem mbuluar/Dua një kryq fare të zi/Edhe mbi të të jetë shkruar:/“Rrojti dhe vdiq për Shqipëri.”;

veteranët që gazetat e tyre i shpërndanin me shënimin “Kudo me para, në Shqipëri badiava!”;

kryetrimin e veteranëvet të gjuhës shqipe e të Rilindjes sonë Kombëtare, që themeloi në Rumani të parën shoqëri të mësimit shqip, duke e stolisur me “të parin Flamur Kombëtar” me shkabë dy krenore, të qëndisur me ar, që themeloi të parën mësonjëtore shqipe, në Rumani, dhe që është themeluesi i të parës shkollë shqipe kombëtare, si dhe i pari burrë shqiptar që pat gatuar e thurur të parin plan ushtarak për një kryengritje të madhe shqiptare për liri;

veteranin nga Mirdita, që Austria, “mbasi në asnjë mënyrë nuk mujti me e shti në dorë as me i shpëtue dâmeve të tij, u detyrua t’u shtrohet të gjitha konditave të tij, sado të rânda, mjaft që të binte në godi me të”;

veteranin nga Kurveleshi që “në lulen e moshës me një angazhim të dalluem hyri në marrëveshje me organizatën e Korfuzit të kryesueme prej Namik Delvinës dhe Hiqmet Delvinës dhe mori iniciativën për përgatitjen e një revolucioni të përgjithshëm në Shqipnin e Jugut kundër Turqisë”;

veteranin që themeloi gazetën “Korça”, në të cilën nuk la rast pa përdorur për t’u zgjuar bashkatdhetarëve të tij ndjenjën kombëtare, për t’i zgjuar nga gjumi i rëndë që i kish pllakosur;

vëllezërit veteranë, “hoteli i të cilëve në Manastir ishte qendra e gjithë lëvizjeve kombëtare për tërë Shqipërinë dhe një Teqe për të gjithë shqiptarët”;

veteranin e Hotit që, pas ngjarjeve e episodeve që ndrisin shpirtin e tij të pastër e fuqinë e pashoqe të moralit të tij, kur u djeg e pjek, e mbeti rrugëve me familje, pa gjâ mbas shpirtit, komandanti i Shkodrës, asokohe Hasan Riza Pasha, e grish të shkojë tek shtëpia, e siguron për shkâ t’i kërkojë dhe i jep dyqind napolona, pse e dinte se pas tij do të kthente e tân Malcija, por ai si fatosat e motit i kthen paret dhe i gjegjet: “Paret mbaj për vete se jam shqiptar e veten se shes për aq, as për tânë thesarin e Mbretit të Stambollës!”;

veteranin që si bektashi i përsosur dhe i pajisur me një inteligjencë të rrallë nuk pranoi ndryshim elementesh fetare dhe predikoi “Doktrinën” e tij si mjet vëllazërimi të përgjithshëm, si qetësi shpirti dhe, mbi të gjitha, dashuri për atdheun;

veteranin nga Korça, që u bë burim i nacionalizmës shqiptare dhe ngaherë vinte kundra interesave të tij vetjake për çështjen kombëtare, me gëzim, ku dhe vetë shumë herë thoshte: “U vë zjarrin të gjithave, sikur të më thonë tani që u lirua Shqipëria!”;

veteranin që shkriu tërë pasurinë e tij, duke ndjellë të rinjtë në idenë kombëtare dhe duke mbledhur krejt folklorin e popullit shqiptar;

“dervishin pushkatar” shpirti i të cilit fluturoi në sferat e larta, ku bluhen shpirtrat e atyre që i mohuan të gjitha për shpëtimin e Atdheut;

veteranët nga Ulqini, “dashtunija atdhetare e të cilëve bëri të mundur që të bisedohet gjithnjë gjuha shqipe që nga djepi e deri në varr, jashtë e brenda tokës së Ulqinit”;

veteranin, udhëheqës shpirtëror të lëvizjeve 1910-1912, që nuk pranoi të hollat që i afruan autoritetet greke për të hequr dorë nga çështja kombëtare shqiptare dhe të pushonte botimin e gazetës “Kombi”;

veteranin për të cilin Hilmi pasha kish deklaruar se “po ta kish në dorë, shtatë herë e kish varur”;

veteranin që, më 1911, kur Venizellosi i propozoi një ujdi për t’i dhënë sa para të dojë, rroga jetike për të dhe për gjithë kryetarët e lëvizjes, armë, municione, veshje dhe çka tjetër nevojitet për kryengritësit shqiptarë, me një kusht të vetëm: “të mos vepronin nga Vlora e tatëpjetë”, ai i përbuzi me dinjitet këto oferta të turpshme dhe u përgjigj se misioni i Komitetit Shqiptar (Korfuz) është të zgjojë të gjithë shqiptarët në jetën kombëtare, gjerë dhe shqiptarët e Atikës, të katundeve pranë Athinës;

veteranin e doktoruar për Teologji në Romë, që formoi çetat e para në Mirditë, duke i drejtue kundër Turqisë, me qëllim zhvillimin e idesë kombëtare dhe në muajin prill të vitit 1913, në katedralen e ndodhun në shkrepin e Nënshatit, ngriti flamurin kombëtar në mes të një shumice të madhe populli;

veteranin nga Himara që politikisht ishte nga të parët në Vlorë që filloi të kultivoj ndjenjat kombëtare dhe “mbasi bâni shumë përpjekje dhe shifte se këto nuk jepnin ato fryte që dëshironte, pruri konviksionin e plotë se pa ndonjë kryengritje të përgjithshme ideali kombëtar nuk mund të triumfonte, dhe kështu shkaktoj formimin e të parit Komitet që u bâ në Vlorë, për Mbrojtjen e Atdheut”;

veteranin nga Kurveleshi që tërë jetën punoi me moton “Kombin e mban dhe difton komb një atdhe homogjen, një histori e kthjellët, një besim i bashkët e një gjuhë e livrueme”;

veteranët e Pukës, të cilët, më 8 dhjetor 1912, pasi ngritën Flamurin e Shqipërisë, kërkesës së komandantit serb për t’u bashkuar me serbët për ta qitë turkun jashtë, iu përgjigjën: “Nâ as nuk jena turq, as nuk jena serb, por jena kenë, jemi e do të jena Shqyptarë. Nâ e dijmë se Shqypnija ka dalë me veti me sundue shqyptari vendin e vet. Sot kena bajrakun tonë, për atë do të luftojmë e do të vdesim.”;

veteranin që do u drejtohej shqiptarëve në formë amaneti:

“Hidhni tej të ligën, se sjell varfëri,

Hidhni tej mërin’ dhe çdo fatkeqësi,

Lidhuni vëllezër, ej ndë dashuri,

Më shpejt të ndriçojmë t’mjerën Shqipëri.”

***

Por, përveç qindra veteranëve që kujtohen në këtë libër, ka dhe shumë veteranë që nuk i shkruan kurrë kujtimet e tyre. Këta janë, malësorë e fshatarë, njerëz të popullit që iu përgjigjen menjëherë kushtrimit për liri, rrokën armët, lanë parmendat e arat shkret’, u larguan nga vatrat e robëruara, lanë familjet në mjerim e zi dhe shpejtuan të japin jetën për çlirimin e vatanit nga shkelësi shekullor. Ata, apo familjarët e tyre, nuk kërkuan të drejta e privilegje, shpërblime e rroga për vehte ose martirët e tyne që u kalben kockat shpellave legjendare. Jo. Ata e quanin të natyrshme dhe detyrë luftën për Liri t’Atdheut. Ata u sakrifikuan për një të ardhme më të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

A mos ne kemi harruar që jemi bijtë e një race të tillë fisnike!

Aktualiteti që po përjetojnë sot shqiptarët në shtetet e tyre Shqipëri dhe Kosovë, në trojet e tyre në Serbi, Malin e Zi, Maqedoni dhe Greqi, në diasporë, kudo që janë, shpreh qartë arritjet e shumëfishta, por dhe probleme të mprehta, ëndrra dhe të drejta të parealizuara.

Zoti ua ndriçoftë mendjen shqiptarëve dhe i udhëheqtë në rrugën e lirisë, bashkimit, demokracisë, prosperitetit dhe begatisë! Personalitetet që do na drejtojnë në këtë rrugë janë në mesin tonë. T’u japim besim dhe t’i pasojmë në misionin e tyre hyjnor.

Koha ka ardhë!