MENU
klinika

'Konsultime farsë'

Vettingu i politikanëve, opozita braktis mbledhjen

19.10.2018 - 16:51

Për opozitën, vettingu në politikë ose pranohet nga mazhoranca ose rrëzohet. 

Konsultimet publike të Kuvendit me aktorë të ndryshëm të shoqërisë janë farsë.

Këtë qëndrim mbajti deputeti demokrat, Luçiano Boçi, përpara se të largohej nga salla ku akademikët kishin ardhur për të dhënë mendimin e tyre për këtë propozim të opozitës.

Boçi: Ju këtë punë do të bëni se doni ta shtyni. Se kur doni një ligj ju, e fusni nën tavolinë dhe e votoni brenda ditës. Nuk mund të jemi prezent në një farsë të sajuar.

Gramoz Ruçi iu përgjigj,Luçiano Boçit, se bëhet fjalë për ndryshime kushtetuese dhe kjo kërkon kohën e saj.

Ruçi: Kjo nuk ka fare zvarritje por nuk duhet të ketë as ngutje sepse bëjmë ndryshime kushtetuese.

vetting ne politike konica.al

I ftuar nga Kuvendi, Arben Malaj si përfaqësues i akademikëve, tha se nuk është serioze që Kushtetuta e një vendi të ndryshohet çdo vit.

Malaj: Kushtetuta e vendit tonë nga një libër themelor për vlerat dhe parimet funksionale po bëhet më shumë një libër rregullash.

I të njëjtit mendim ishte dhe pedagogu i fakultetit Juridik, Artan Hoxha, i cili hyri në detaje të propozimit, duke shprehur dyshime për organin që do të bëjë vettingun e politikanëve.

Hoxha: Çfarë do të jetë ky organ, një superorgan dhe kush e garanton që ky organ të mos përdoret politikisht. Nëse ka një mundësi që situata të zgjidhet me ligj atëherë nuk keni pse i drejtoheni Kushtetutës.

Në takim nuk ishin  përfaqësues të Universiteteve të rretheve por Kuvendi ka parashikuar që të shkojë në qytetet ku ato janë vendosur për të bërë konsultime.