MENU
klinika

PBB sipas rajoneve

Vlora kryeson rritjen ekonomike

29.10.2018 - 15:35

Rritja ekonomike në vitet e fundit po mbështetet më pak te Tirana, ndërsa është rritur pesha e Vlorës dhe Korçës. Të dhënat e Prodhimit të Brendshëm Bruto sipas rajoneve treguan se për vitin 2016 qarku i Vlorës ka regjistruar rritjen më të lartë ekonomike me 7.7%.

Vlora duket se ka përfituar nga tendencat pozitive të turizmit, megjithatë rritja e lartë për vitin 2016 mund të përligjë edhe hipotezat për një kontribut të lartë të ekonomisë së zezë në rritjen e shpenzimeve në këtë qark.

Pas Vlorës, qarqet me rritjen më të lartë ishin Korça me 6.2%, Dibra me 6.2% dhe Lezha me 6.1%. Kjo e ka bërë më të rëndësishëm kontributin e këtyre qarqeve në rritjen ekonomike. Korça kontriboi me 0.35% të rritjes ekonomike totale, që për vitin 2016 ishte 3.35%.

Tirana natyrshëm ka peshën kryesore në rritjen ekonomike të vendit, por për vitin 2016 ajo nuk hyn në qarqet me rritjen më të lartë. Pesha e Tiranës në rritjen ekonomike zbriti në 1.62%, nga 2.57% që kishte qenë për vitin 2015. Ndërsa qarku i Fierit regjistroi rënie ekonomike për të dytin vit radhazi, me 4.22%. Rënia e Fierit ka një impakt domethënës në ecurinë e prodhimit kombëtar. Për vitin 2015 Fieri dha një kontribut negativ me 0.77 pikë përqindje, ndërsa për vitin 2016 kontributi ishte sërish negativ me 0.5 pikë përqindje.

Për sa i takon prodhimit për frymë, qarku më i pasur ngelet Tirana, me 699 mijë lekë në vit, i ndjekur nga Fieri me 530 mijë lekë. Përveç tyre, vetëm Gjirokastra dhe Durrësi qëndrojnë sipër mesatares kombëtare prej 513 mijë lekësh. Qarku ku prodhimi për frymë është më i ulët është Kukësi, me vetëm 314 mijë lekë në vit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sjell 80% të PBB-së

Jemi një ekonomi konsumi