MENU
klinika

Marrëveshja Kosovë-Serbi

Vuçiç kërkon garanci për anëtarësimin në BE

08.10.2018 - 19:15

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se do të kërkonte një garanci se vendi i tij do të bëhej pjesë e Bashkimit Evropian në vitin 2025, nëse Serbia do të arrijë të nënshkruajë ndonjë marrëveshje me Kosovën fqinje, lëvizje e cila do të hapë rrugën për të dyja shtetet për të hyrë në bllokun 28 antarësh.

Serbia dhe Kosova u angazhuan për të zhvilluar një dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja në vitin 2013, për të përmirësuar marrëdhëniet dhe për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura mes tyre, por që prej asaj kohe është bërë shumë pak përparim.

Përpara se ne të nënshkruajmë një marrëveshje me Prishtinën, Serbia duhet të garantohet se do të bëhet një shtet i Bashkimit Evropian në vitin 2025”, tha Vuçiç në një intervistë për Reuters.

Takimi që u zhvillua gjatë këtij muaji në Bruksel është i pari në të cilin presidenti serb Vuçiç, së bashku me presidentin Thaçi, u takuan ballë për ballë dhe biseduan në lidhje me shkëmbimin e territoreve. Ata pritet të takohen edhe një herë tjetër gjatë këtij muaji.

Vuçiç tha se mund të zgjasë deri në dhjetë vjet që Beogradi dhe Prishtina të arrijnë në një marrëveshje, për shkak të dallimeve të shumta që kanë vendet e tyre.

Ndonjëherë më vjen të qesh kur dëgjoj njerëzit që i thjeshtojnë gjërat aq shumë, sa që madje i kanë vënë edhe një datë të caktuar nënshkrimit të marrëveshjes. Madje thonë edhe se tre fshatra do të këmbehen me tre. Nëse ne do të arrijmë ndonjëherë në një marrëveshje me Prishtinën, ajo do të ishte një marrëveshje e përgjithshme që do të përfshinte jo vetëm marrëdhëniet midis nesh dhe shqiptarëve në Kosovë, por do të duhej të përfshinte edhe një rezolutë për avancimin tonë drejt BE-së dhe më tej për zhvillimin ekonomik”, është shprehur Vuçiç.

Marrëveshja e propozuar për shkëmbimin e territoreve, e cila diskutohet veçmas si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë, do t’i jepte Serbisë kontrollin mbi pjesën veriore të Kosovës, territor i populluar kryesisht nga serbët.

Në këmbim, Prishtina do të fitonte kontrollin e komunave jugore serbe të populluara kryesisht nga shqiptarët.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN