MENU
klinika

Detajet

10 të arrestuarit e protestës/ Vetëm një mbetet në qeli

25.11.2018 - 13:14

Gjykata e Tiranës ka vendosur t’i japë lirinë 10 prej të arrestuarve pas protestës tek parlamenti, ndërsa ka lënë në burg vetëm njërin prej tyre. Bëhet fjalë për Dorjan Protoduarin, i riu që u arrestua tek Spitali i Traumës pak orë pas protestës tek parlamenti.

Vendimi ka ardhur pasi trupi gjykues ka dëgjuar prokurorinë dhe të arrestuarit me avokatët e tyre.

Në seancë kanë marrë pjesë edhe deputetët e opozitës, të cilët fillimisht kanë debatuar me policinë pasi nuk ka pranuar t’i lejojë. Por më pas ata kanë hyrë në seancën për masën e sigurisë.
Bëhet fjalë për deputetët e opozitës Aldo Bumçi, Edi Paloka, Ervin Salianji, Klajda Gjosha, Kejdi Mehmetaj, Endrit Braimllari dhe Silva Caka.

policia dhe protestuesit-konica.al
policia dhe protestuesit-konica.al

Prokuroria kërkoi arrest me burg për 6 nga 11 të arrestuarit: Fluturim Goleci, Amarildo Sinanaj, Marsel Velillari, Dorjan Protoduari, Ruzhdi Daci si dhe për Shpati Bilbilajn. Ndërsa për 5 të tjerë: Erald Muçaj, Ali Nalic, Alban e Paolo Ahmetcenaj dhe Lulzim Dozhanin prokuroria kërkoi detyrim paraqitje.

DËSHMITË

Lulzim Dozhani, një prej të arrestuarëve tha në seancë se nuk ka bërë asnjë të paligjshme vetëm ka mbrojtur shtëpinë e tij. Ai tha se e kanë arrestuar bashkë me gruan dhe djali i tyre ka mbetur vetëm. Avokatët kërkuan lirimin menjëherë të 45-vjeçarit.

Ndërkohë i arrestuari tjetër Ruzhdi Daci tha në gjyq se nuk i është paraqitur asnjë provë dhe duke qenë ish-ushtarak e di çfarë do të thotë element të veprave penale.

“Nuk jam dakord me akuzën. Nuk më është paraqitur asnjë provë. Unë jam ushtarak në pension. E di se çfarë do të thotë element të veprave penale. Kërkova të më nxjerrin prova filmike për akuzat ndaj meje. Më shoqëruan pasi më pandehin militant të PD”, tha Daci.

Avokati i tij Ilir Murati u shpreh se në çdo vend të botës ka zhvillime protestash e nuk mund të arrestohesh se proteston.
Dorjan Protoduari tha se e kanë arrestuar tek spitali ushtarak kur po vizitonte nënën e tij.

Personat e mësipërm akuzohen për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme, por edhe për prishjen e qetësisë publike e kryer në bashkëpunim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN