MENU

Abuzimi me monopolin

51 milionë lekë gjobë për koncesionarin e kolaudimit

09.11.2018 - 11:42

Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur kompaninë koncesionare të kontrollit teknik të automjeteve, SGS Automotive Albania, për abuzim me pozitën dominuese. Gjoba ka vlerën e 5.69% të xhiros së vitit financiar parardhës ose afërsisht 51 milionë lekë.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, SGS ka abuzuar me pozitën e vet monopoliste, duke mos ofruar kapacitete të mjaftueshme për ofrimin e shërbimit dhe kjo ka sjellë radhë të gjata për drejtuesit e mjeteve, sidomos në periudha të veçanta të vitit. Koncesionari nuk ka vënë asnjëherë në përdorim qendrat e kontrollit teknik të lëvizshëm, as në periudhat e flukseve maksimale, siç është fundi i vitit kalendarik.

Gjithashtu, kjo kompani, në mënyrë arbitrare, i detyron klientët të nënshkruajnë një deklaratë-tip, ku SGS heq dorë nga çdo përgjegjësi që mund t’i shkaktohet mjetit gjatë kontrollit teknik. Megjithëse Autoriteti i Konkurrencës kishte kërkuar ndryshimin e përbajtjes së deklaratës, kompania SGS nuk e ka marrë apsak në konsideratë rekomandimin dhe vazhdon t’i detyrojë klientët ta nënshkruajnë atë, pa asnjë ndryshim.

Autoriteti i Konkurrencës ka urdhëruar koncesionarin të ndalojë shkeljen e konkurrencës përmes formave të mësipërme brenda 45 ditëve.

Gjithashtu, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë i rekomandohet që tregu në fjalë të liberalizohet, duke licencuar edhe operatorët të tjerë për ofrimin e shërbimit. Ndërkohë, për afatin e mbetur të koncesionit, rekomandohet të miratohet një rregullore për për funksionimin dhe monitorimin e këtij koncesioni.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN