MENU

Nga New York Times

A e ka zgjidhur Evropa çështjen e emigracionit?

24.11.2018 - 13:29

Kur Hillary Clinton paralajmëroi në një intervistë këtë javë se Evropa duhet të tregohej më e ashpër me emigrantët, me të drejtë pati njerëz që pyetën se ku kishte qenë ajo vitet e fundit.

“Ne e kemi bërë me kohë këtë”, tha ish-ministri i brendshëm i Italisë, Marco Minniti, i pyetur për komentet. “Ajo po flet për një epokë tjetër.”

Migrimi i paligjshëm në Europë ka rënë tashmë rreth 90 për qind që nga kulmi i krizës së refugjatëve të kontinentit në vitin 2015, kur më shumë se një milion azilkërkues, kryesisht nga Siria, Iraku dhe Afganistani, kaluan në Greqi dhe Itali.

Të premten, duke u përballur me një reagim të ashpër për vërejtjet e saj, Clinton tha  “Unë e përkrah reformën gjithëpërfshirëse të emigracionit”, shkruante ajo.

Ajo shtoi: “Në të dyja anët e Atlantikut, na duhen reforma. Jo kufij të hapura, por që ligjet e emigracionit të zbatohen me drejtësi dhe respekt për të drejtat e njeriut “.

Populistët në të dyja anët e Atlantikut vazhdojnë të përdorin çështjen e emigracionit, dhe ta keqinterpretojnë atë. Me zgjedhjet për Parlamentin Evropian në maj, frika e vazhdueshme nga migracioni në kontinent duket se  do të shfrytëzohet shumë, paralajmërojnë analistët.

Që në nëntor të vitit 2015, kancelarja Angela Merkel nga Gjermania po bënte përpjekje për të bindur qeverinë turke që të frenonte migrimin nga Turqia drejt Greqisë, pastaj drejt Evropës. Deri në mars të vitit 2016, ishte arritur një marrëveshje që uli flukset e migrimit pothuajse brenda natës.

Pasi Merkel fillimisht i dha një mirëseardhje të ngrohtë të ardhurve, Obama i tha asaj në fund të vitit 2015 se nëse ajo nuk do të merrte një qëndrim më të ashpër, Bashkimi Evropian do tëhaste vështirësi.

Në tetor 2016, Obama kishte një mesazh të ngjashëm për edhe për Renzin. Gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë në tetor 2016, zoti Obama i tha atij se duhet të vendosej një kufi.

“Në atë kohë,” tha Minniti, “në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara ka pasur një nënvlerësim të problemit”.

Duke filluar nga viti 2017, qeveria italiane u përpoq të “luftonte” me trafikantët e qenieve njerëzore, duke arritur marrëveshje me milicitë në Libi, duke krijuar korridore humanitare për azilkërkuesit dhe duke ofruar stimuj financiarë për emigrantët ekonomikë për t’u kthyer në shtëpi.

Duke pasur parasysh këtë kontekst, komentet e znj. Clinton janë “pak të habitshme”, tha Matteo Villa, një specialist i migrimit në Institutin Italian për Studime Politike Ndërkombëtare, një grup kërkimor me bazë në Romë.

Megjithatë, politika dhe retorika lidhur me migracionin në Evropë deri tani ka pasur një ndikim të përzier në votime.

Në Hungari, kryeministri Viktor Orban ka ruajtur pjesërisht popullaritetin e tij duke krijuar përshtypjen se vetëm partia e tij mund të mbrojë hungarezët nga kërcënimi i migracionit.

Në anën tjetër, në Itali, masat efektive kundër migrimit të Minnitit nuk ishin të mjaftueshme për të shpëtuar partinë e tij nga humbja në zgjedhjet e përgjithshme në fillim të këtij viti.

Minniti është zëvendësuar në ministrinë e brendshme nga Matteo Salvini, i cili vazhdimisht ka marrë masa kundër emigrantëve.

Në Gjermani, migrimi ka pasur një efekt të përzier në rezultatet e zgjedhjeve. Zemërimi me bujarinë e Merkelit për migrantët fillimisht ndihmoi në përkrahjen e Alternativës anti-imigrante për Gjermaninë (AfD).

Në këtë sfond të ndërlikuar, komentet e Clintonit nuk kanë patur të njëjtin interes në Evropë si në Amerikë.

Pak politikanë reaguan ndaj vërejtjeve të Clintonit, madje edhe në Hungari, ku qeveria historikisht shquhet për deklarata të fuqishme, nuk reaguan.

Patrick Kingsley raportoi nga Berlini dhe Jason Horowitz nga Roma, për New York Times