MENU
klinika

Nënshkruhet marrëveshja

Albgaz do të mirëmbajë TAP në Shqipëri

14.11.2018 - 15:11

Në një ceremoni të zhvilluar në Tiranë, u finalizua sot negocimi për Marrëveshjen e Mirëmbajtjes midis TAP-it dhe shoqërisë së përbashkët të krijuar nga Albgaz e Snam, me qëllim ofrimin e shërbimit të mirëmbajtjes për Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP) në territorin e Shqipërisë.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri e vlerësoi si mjaft të rëndësishme marrëveshjen për të ardhmen e infrastrukturës së gazit në Shqipëri.

“Do ta quaja një gur kilometrik në suksesin e këtij projekti kaq kompleks si gazsjellësi TAP. Për herë të parë, një kompani shqiptare si Albgaz, me ndihmën e asaj italiane SNAM do mund të marrë përsipër kryerjen e një shërbimi për një projekt kaq të madh e të rëndësishëm si gazsjellësi TAP. Krijohet një vlerë e shtuar jo vetëm nga pikëpamja ekonomike por mbi të gjitha nga ajo që Shqipëria ka nevojë, mbajtjen e njerëzve të kualifikuar brenda vendit”, tha ministri Gjiknuri.

Sipas tij, suksesi i projektit të gazsjellësit TAP do të bëjë të mundur shumë shpejt edhe gazifikimin e Shqipërisë, por edhe ndërlidhjen me projektin tjetër të gazsjellësit Jonian-Adriatik (IAP).

“Po ka provë të vërtetë sesi funksionon administrata shqiptare karshi investimeve të mëdha TAP-i është shembulli i vërtetë. Shqipëria doli vendi më i suksesshëm që ky projekt të implementohej në kohë. Kjo realisht është një dekoratë krenarie që ne e themi kudo sepse bëmë këtë të mundur karshi shumë dyshimeve që kishin të tjerët në momentet kur filloi ky projekt”, shtoi ai.

“Jam me të vërtetë i lumtur që sot shënojmë një hap tjetër përpara në plotësimin e hapave infrastrukturorë strategjikë, që na sjellin akoma më pranë fillimit të operimit në vitin 2020. TAP-i është jep kontribut për zhvillimin e tregut shqiptar të gazit me krenari.Ne mirëpresim të mbështesim dhe të bashkëpunojmë me ofruesin e shërbimit të mirëmbajtjes që do të krijohet së shpejti”, u shpreh Drejtori Menaxhues i TAP-it Luca Schieppati.

Marrëveshja e Mirëmbajtes nënshkruhet midis TAP dhe Albania Gas Services Company për një periudhë fillestare 7 vjet, me një staf fillestar prej 52 të punësuarish, 90% të të cilëve të rinj shqiptare. Ata do të trajnohen dhe do të certifikohen nga SNAM, në Itali dhe në Shqipëri, në 6-mujorin e parë të 2019. Albania Gas Services Company do të ketë degët e saj në të paktën katër qytete të vendit: Korçë, Çorovodë, Berat dhe Fier.

Albgaz, Operatori shqiptar i Sistemit të Transmetimit, u krijua pak pas nënshkrimit të Marrëveshjes me Qeverinë e Vendit Pritës të ndryshuar në vitin 2016 ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe TAP. Kompania shtetërore italiane SNAM është një nga Operatorët e Sistemit të Transmetimit me përvojën më të pasur në Evropë.

Për një periudhë afro 6 muaj Albgaz dhe partneri i saj SNAM negociuan me TAP në terma ligjorë, teknikë dhe komercialë një marrëveshje mirëmbajtjeje. Për këtë qëllim Albgaz (75%) dhe partneri i përzgjedhur SNAM (25%), në koordinim të plotë me TAP, kanë themeluar shoqërinë aksionere “Albania Gas Services Company” ShA (AGSCo) si subjekti i cili hyn në marrëdhënie kontraktuale me TAP.