MENU
klinika

Nga Luan Rama

Arthur Rimbaud: Poeti, një vjedhës zjarresh

05.11.2018 - 17:01

Gjatë shumë këtyre viteve dhe bredhjeve nëpër brigjet e Detit të Kuq, në Aden, në Choa dhe në Harare të Abisinisë, në asnjë nga letrat e tij, në asnjë dorëshkrim të kësaj periudhe nuk flitet më për libra apo poezi.

Madje ai inatosej kur i thonin se në Francë atë e cilësonin si poet të madh.

E urrente lavdinë e Artistit. Duket se «Alkimia e Verbit», aq e shtrenjtë për të kishte marrë fund, si të kishte qënë thjesht një ëndërr, apo më mirë një zhgjëndërr. Por vetëm dikush kujtohej vazhdimisht për të edhe pse nuk e dinte se ku ndodhej Rimbaud.

Ky ishte Verlaine. Ishte ai që botoi Përshndritjet, (Illuminations apo Gravura të ngjyrosura – Colorated painting), çka tronditi akoma më shumë botën poetike.

Në parathënien e këtij libri, duke mos ditur se ku ishte miku i tij i shtrenjtë dhe ç’bëhej me të, si dhe në mjaft shkrime kritike të botuara në këtë kohë, Verlaine përshëndeste gjeniun.

“Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, ai shkroi vargjet më të bukura në botë, ku disa prej tyre u publikuan më parë në shkrimin me titull Poetët e mallkuar, (Les poetes maudits).

Ai tani duhet të jetë tridhjetedy vjeçar, diku në udhëtim, në Azi, ku merret me punime artistike. Mund të thonim për të ashtu siç mund të thuhej për Faust-in e veprës së dytë Faust, pra për një shpikës gjenial, që kishte qënë poet, nxënës i Mefistofelit dhe profesor i bjondes së quajtur Margaritë!

Shumë herë për të u fol se kishte vdekur. Ne nuk dimë gjë për këtë hollësi, por do të ishim tepër të trishtë nëse do të ishte kështu. Këtë le ta dijë, nëse ai nuk e di, sepse ne ishim miqtë e tij dhe mbetemi të tillë, edhe pse shumë larg.”

r.arthur-konica.al
r.arthur-konica.al

Por gjeniu që ishte larg, i dërmuar tashmë dhe i lodhur nga jeta, edhe pse i ri në moshë.

Më 23 gusht të vitit 1887, pasi ka përshkuar shkretëtirat e Afrikës për të mbërritur në Kajro, që andej ai i shkruan familjes së tij: “Udhëtimi im në Abisini morri fund… Ortaku im vdiq dhe në Choa pata shumë vështirësi lidhur me detyrimet e mia.

Më detyruan të paguaj borxhet e tij. Gjuri më dhëmb. Jam tmerrësisht i lodhur dhe tani jam i papunë… Në Europë nuk mund të vij për shumë arësye dhe së pari sepse unë do të vdes në dimër, por edhe sepse unë u mësova shumë me këtë jetë boheme.

Më duhet t’i çoj kështu vitet që më kanë mbetur, duke bredhur, me perspektivën e vetme që të vdes në vuajtje…”

Ku vallë shkoi Rimbaud?… Papritur, një letër e tij në vitin 1888, na mëson se ai është kthyer përsëri në Harar, duke bërë shpesh rrugën Harar-Zeilah dhe duke bërë tregëti me mëndafshe, coha pambuku, kafe, goma, parfume, fildish dhe flirinj…

Pranvera e vitit 1891 do të ishte për të një pranverë tragjike. Nënës së tij ai i shkruante se tashmë i dhimbte këmba e djathtë.

Gjuri i ishte fryrë dhe për një kohë zuri krevatin. Por ndërkohë ai duhej të shkonte larg në Zeilah. Rrugës e zuri një furtunë e madhe dhe ai gati vdiq gjatë rrugës nga lodhja dhe uria e madhe.

Kur mbërriti atje, atë e hipën në një anije për ta çuar sa më shpejt në Aden. Tri ditë ai jetoi në jerm, i shtrirë mbi një dyshek në bordin e anijes.

Kur e çuan në spitalin evropian të Adenit, doktori që e pa e këshilloi të nisej me urgjencë në Francë pasi gjëndja e tij ishte tepër dëshpëruese.

Kështu do të niste udhëtimi i tij i Francës, pa menduar se nuk do t’i shikonte më brigjet e Arabisë, Afrikës.

Mbytja e anijes

Më së fundi, pas dhjetë vjet mërgimi në tokat e Abisinisë, në vitin 1890, i hipur në Aden në anijen franceze «Amazone», Arthur Rimbaud mbërriti në Marseille.

«Trembëdhjetë ditë dhimbje», do të shkruante Rimbaud për këtë udhëtim cfilitës nëpër Detin e Kuq e në Mesdhe. Më 20 maj të atij viti, kur mbërriti në Marseille, ai ishte tepër rëndë dhe menjëherë e çuan në spitalin «Immaculée Conception».

Dridhej i tëri.

Më së fundi mjekët që e panë konstatuan se vuante nga një kancer i kockës, një ”neoplasme” e kofshës, i cila i ishte shkaktuar pasi kishte rënë nga kali dhe kishte dëmtuar gjurin.

«Jam keq, shumë keq, – i shkruante ai nënës së tij. – Kjo sëmundje e këmbës më ka kthyer në një kufomë. Jeta më është bërë e padurueshme.

Ç’jetë fatkeqi! …» Mjekët u detyruan t’i prenin këmbën. «Gjashtë ditë më parë, – i shkruante ai një miku në Harare, – më prenë këmbën.

Tani jam mirë dhe mendoj të vij në Harare që të vazhdoj tregëtinë…» Ai mendonte të përdorte një këmbë druri, por kjo donte kohë. “Një mjerim i pafund!” – i shkruante ai të motrës Isabelle.

Me këmbë të prerë ai filloi të përpiqej të mësonte që të ecte, duke i dhënë shpresë vetes, por shpejt e kuptoi se mundi i tij ishte i kotë.

Ç’trishtim, ç’dhimbje e lodhje, – i shkruante familjes Rimbaud. – Ç’trishtim kur mendoj udhëtimet e mia të dikurshme. Ku janë ato rendje drejt maleve, shëtitjet dhe shkretëtirat, lumenjtë dhe detet?… Unë që pikërisht tani kisha vendosur të kthehesha në Francë dhe këtë verë të martohesha.

Lamtumirë martesë, lamtumirë familje, lamtumirë aveniri im. Jeta ime shkoi dhe tani nuk jam veçse një copë trung i palëvizshëm.”

Meqë mërzitej në spital duke pritur mbërritjen e këmbës artificiale, ai kërkoi të kthehej pranë familjes. Atëherë e transportuan drejt stacionit të trenit, ku përmes Parisit më së fundi mbërriti në stacionin e qytezës, në Voncq, ku e motra e priste për ta çuar në fermën e tyre, në Roche.

Por dimri i vitit 1891 ishte i ashpër. Pagjumësia e madhe e mundonte akoma më shumë. Një natë ai kërkoi të ngrihej nga krevati, por ra.

Me nënën e tij, marrëdhëniet e tyre ishin të ftohta dhe në tension të përhershëm. Kur hynte ajo fytyra e tij bëhej hijerëndë.

Kur i lexoja ndonjë libër dhe vinte rasti tek ndonjë varg, – kujtonte Isabelle, – ai më thoshte ta kapërceja: “Kaloje!”… Ai e kishte tmerr poezinë! E kishte mëndjen gjithnjë të kthehej në Harare”.

Ishin ditë të errta dhe të pashpresa. Arthur jetonte një dëshpërim të thellë. Dritaret e dhomës së tij mbeteshin të mbyllura dhe në heshtje.

Vetëm qirinj… E motra i ishte kthyer në një lloj infermiereje, pasi vetëm ajo i përkushtohej, vetëm ajo i përgatiste çajrat dhe ilaçet që të mund të flinte dhe të duronte dhimbjet. Por më në fund, një muaj më vonë ai kërkoi të ikte. Donte të nisej në Harare, në brigjet arabike, përmes Marseille-s.

Bashkë me të motrën, me njëmijë mundime, shkuan në stacionin e trenit, por dy minuta më parë treni kishte ikur.

Megjithatë ata morën një tren tjetër dhe mbërritën në Paris, në stacionin e “Gare de l’Est”. Parisi! Qyteti i ëndërruar i tij! Qyteti i komunarëve të pushkatuar! Qyteti i poezisë dhe i poetikës së dikurshme, i bredhjeve me Verlaine, i dehjeve dhe i çmëndurive pa fund…

Por kur përshkuan udhën e jugut të Francës, kur kaluan nga Arles drejt Camargue dhe më së fundi në mbrëmje mbërritën në Marseille, gjëndja e tij ishte tepër e rëndë dhe i vetmi vend ku mund të ndalonte ishte spitali.

Këmba kishte filluar t’i paralizohej. “Kur flinte natën, ai kishte ëndrra të llahtarshme”, – kujtonte e motra. “Zgjohej duke u hedhur përpjetë.

Qante gjithnjë dhe nuk e besonte se mund të ishte i paralizuar. Ai më pushtonte krahët dhe duke qarë më lutej që të mos e braktisja.”

Më së fundi, këmba artificiale i erdhi në 4 tetor të atij viti, por gjithçka ishte vonë. Shtrirë në shtrat, Rimbaud e pa atë “këmbë” me një vështrim të vajtueshëm, duke i përshpëritur të motrës: ”Unë s’do ta përdor kurrë atë! Gjithçka tani ka mbaruar.

Unë do të vdes!” “Një ditë tjetër, – kujtonte Isabelle, – ai më tha: ”Unë do të shkoj nën dhé, ndërsa ti do të ecësh në diell!” Rimbaud jetonte kështu momentet e tij të fundit.

Nëntori sapo kishte hyrë dhe ai tashmë po bënte paqe me Zotin. Rimbaud ateist dhe që dikur tallej me Krishtin, tani dukej se donte të rikthehej në gjirin e kishës, në altarin e Krishtit.

A thua Isabelle ka treguar të vërtetën në kujtimet e saj?

Ndoshta… pasi vdekja ka një pushtet të jashtëzakonshëm te njeriu dhe më në fund, e bën te dorëzohet nën mistikën, magjinë dhe pushtetin e vet.

Atë ditë, kur prifti doli nga dhoma e Rimbaud-së, ai iu drejtua Isabelle-s: «Bija ime! Vëllai tënd beson!» «Unë putha tokën duke qarë e duke qeshur, – kujtonte Isabelle, – O Zot! Ç’lumturi! Edhe në vdekje, edhe përmes vdekjes !…

Kur shkova pranë Arthur-it e gjeta atë të mallëngjyer, por nuk qante, edhe pse ishte më i trishtuar se kurrë. Donte që t’i afrohesha. «Ti ke të njëjtin gjak si unë. Thuamë, a beson? – Po, besoj! – i thashë…O Zot! Që nga ai çast ai tashmë thërret Krishtin dhe lutet !…

Shumë historianë e kritikë të letërsisë, këtë kthim të Rimbaud-së drejt fesë e shohin si një dëshirë të Isabelle-s dhe jo si një e vërtetë reale që i ka ndodhur Rimbaud-së.

Ndër shumë kritikë, dhe poeti Louis Aragon e analizon këtë në shkrimin e tij mbi Rimbaud-në, duke përmendur dhe letrën që Rimbaud i ka shkruar Delahaye-së: «Shtutgart, 6 mars 1875. Dje erdhi këtu Verlaine me një tespie me kryq në duar.

E ngacmova shumë. Tre orë më pas ne e mohuam Zotin e tij dhe bëmë të rrjedhë gjak nga nëntëdhjetë e tetë plagët e Zotit Tonë…

Por edhe nëse ai do të ishte konvertuar për të ndjekur shëmbullin e motrës së tij që ishte mjaft fetare, prapë është e pamundur që ta gjesh këtë gjë në tekstet e admirueshme të poetit, vepra e të cilit është e shkruar e gjitha para letrës dërguar Delahaye-it, pra të gjesh dhe argumentin më të vogël në favor të kësaj teze katolike.

Dhe kjo sepse poezia e Rimbaud është bashkëkohëse me ateizmin e tij, me mallkimet e tij kundër fesë dhe madje edhe kundër Zotit. Dhe kjo duhet kuptuar…»

Ditët e fundit të Rimbaud-së ishin një kalvar i vërtetë, pasi kanceri tashmë i kishte pushtuar trupin dhe i shkaktonte dhimbje të mëdha koke dhe gjymtyrësh.

Asgjë nuk mund ta kthente nga rruga që kishte marrë dhe ai e ndjente këtë. Por ideja e vdekjes dukej se e bënte të heshtë. Në letrën e 28 tetorit, e motra i shkruante të ëmës: “Marseille, e mërkurë 28 tetor… Gjithnjë e më shpesh ai bie në një letargji të thellë gjatë të cilës ai i ndjen të gjitha zhurmat me një pastërti të habitëshme.

Natën, që të mund të flinte, atij i bëjnë gjilpëra morfine. Kur zgjohet, ai e shikon jetën si vazhdimin e një ëndrre: thotë gjëra të çuditshme, fare butë, me një zë që do të më gëzonte nëse ato fjalë s’do më godisnin në zemër.

Ajo çka thotë janë ëndrrat e tij… Meqë murmuriste gjëra të tilla, “suora” më tha ngadalë: “Pra e ka humbur mendjen përsëri?… Por ai e dëgjoi dhe u skuq i tëri. “Këtu më kujton si të çmëndur, – më tha ai, – po ti? – Jo, unë të besoj!…”

Arthur Rimbaud, “poeti i mallkuar”, mbytej ngadalë si një anije në oqeanin e natës së përjetshme, ku nuk kishte më tallaze.

Stuhitë kishin pushuar. Qielli ishte i qartë, i pastërt, si sytë e tij blu. A nuk kishte shkruar Isabelle atë ditë se “sytë e tij kurrë s’kishin qënë aq të bukur e të zgjuar”? Po, ai po shuhej si flakëza e një qiriri në fund të tij, gjersa më 10 nëntor të vitit 1891, në orën dhjetë të mëngjesit dha frymën e fundit.

r.arthur-konica.al
r.arthur-konica.al

Trupin e tij e vendosën në kishën Saint-Nicolas dhe më pas e nisën drejt Charleville. Isabelle u kthye në shtëpi duke lënë pas trupin e vdekur të vëllait.

Dy ditë më vonë arkivolin e Arthur-it e hipën në tren. Përsëri po ajo udhë kthimi. Por tani, në arkën e drunjtë, Arthur-i i kishte mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë.

Megjithatë Isabelle e kishte shpirtin e lehtësuar, se ajo besonte se Zoti tashmë e kishte pranuar atë dhe shpirti i tij do të ngrihej në qiell.

Që në orën nëntë e gjysmë të mëngjesit, nënë Vitalie i priste në stacionin e trenit, bashkë me Isabelle-n dhe karron që do ta sillte atë në shtëpi. Ajo donte t’i bëheshin funerale të fisme, të klasit të parë, siç i thonin atëherë, dhe porositi arkivolin më të mirë për birin e saj.

Por ajo nuk donte njerëz. Të nesërmen, në orën dhjetë, u bënë funeralet. Në hyrje të kishës ishte vendosur një cohë e zezë me emrin e Arthur-it, shkruar në një bojë argjendi.

Vitalie kishte paguar madje dhe një korr fëmijësh, shumica jetimë, për të kënduar psallmet. Në kishë erdhi vetë organisti Louis Létrange, ai që i kishte dhënë mësime pianoje djaloshit Arthur. Do duhej një “Meshë në SI”… Dhe ai u ul të luante një “Dis Irae!”…

Nën tingujt e muzikës, figurat e atyre dy grave dukej sikur zvogëloheshin akoma më shumë nga dhimbja. Kambanat e kishës rrahën fuqishëm dhe altari shkëlqente nga dritat. Nuk pati asnjë fjalim për të vdekurin. Kur ceremonia mbaroi, arkivolin e vendosën në karrocë, e cila u tërhoq nga dy kuaj të zbukuruar, e ndjekur nga prifti dhe njëzetë fëmijët e korrit.

Pas tyre, mbuluar nga një vello e zezë, vetëm Vitalie dhe Isabelle, e askush tjetër. Frederic, i vëllai, nuk dukej gjëkundi. Madje as të afërm të familjes. Vitalie donte ta mbante mbi vete gjithë tragjedinë e birit të saj.

Kur të gjithë ikën, ai varr i freskët filloi të lagej nga një shi i hollë, një “rosé”1 që aq shumë i pëlqente Rimbaud-së në poezi. Pikat binin mbi petalet e atyre luleve të hedhura mbi varr sikur t’i jepnin puthjen e fundit poetit të madh.

r.arthur-konica.al
r.arthur-konica.al

Kishte diçka jashtëtokësore, mbinjerëzore, diçka që e përmban vetëm përjetësia. Dhe Rimbaud i kishte kënduar përjetësisë:

“E gjetën.

Kë? – Përjetësinë!

Eshtë deti që shkon bashkë me diellin.

O shpirti im që më ruan atje lart,

Le të mërmërisim rrëfimin tonë

Të kësaj nate që po zbardh

Dhe të ditës së ndezur zjarr.

Zëra njerëzorë

Hove të përbashkëta.

Pra ti po më ikën,

Dhe fluturon…

Vetëm nga ju

Dielli e deti shkëlqejnë bashkë

Detyra u dha

Pa mundur të themi fund.

Shpresë nuk ka kurrë

As zgjim nuk ka

Shkencë dhe durim,

Tortura është e sigurtë.

“E gjetën.

Kë? – Përjetësinë!

Eshtë deti që shkon bashkë me diellin.

Kur vdiste Rimbaud, Verlaine dilte nga kalvari i tij i spitaleve pariziane, duke gjetur strehë tek dashnoret e tij, Evgenie dhe Philomena.

Lajmi i kobshëm e goditi si një rrufe, aq sa për një kohë të gjatë mbeti si meit, pa gojë dhe shpejt, me njeriun që i dha këtë lajm në rrugë u fut në pijetoren më të parë dhe filloi të pinte.

Qante dhe pinte. Përplaste kokën gjersa më së fundi, koka e tij u shëmb mbi tavolinë. Aty kishte mundur ta puthte të dashurin e tij për herë të fundit. Të dashurin e tij të vdekur, Arthur Rimbaud, poetin që kishte shkruar “poema kristali, ndër më të bukurat në botë”.

Siç do të kujtonte dhe miku i tij Adolphe Retté, Verlaine i kishte thënë: ”Që nga vdekja e Rimbaud-së çdo natë e shoh atë në ëndërr. Te ai djalosh kishte një joshje demoniake. Kujtimi i tij është si një diell që djeg brënda meje dhe nuk do të shuhet”.

Vdekjes së mikut të tij, Verlaine do t’i kushtonte një poezi të shkruar në dhimbje e lotë, një sonet që më vonë do të botohej në revistën letrare Plume, më 15 shkurt të vitit 1893:

“Ti, i vdekur, i vdekur, por të paktën i vdekur siç doje ti

Si një negër i badhë, si një banor i egër plot shkëlqim

I qytetëruar, duke qytetëruar në mënyrë neglizhente…

Oh, vdekje! Më mirë të jetosh te unë me njëmijë zjarre.

Rimbaud! Pax tecum sit. Deus fovcat te!…”

Pak kohë më vonë, i tronditur nga lajmi i vdekjes së mikut të tij të vjetër, Paul Verlaine do t’i kushtonte një poezi dhimbjeje dhe zije, e cila do të mbaronte me fjalët latinisht: “Rimbaud! Pax tecum sit, Dominus sit cumte!”

Tetë vjet më vonë, nëna Vitalie i shkruante vajzës së saj Isabelle: “Dje në meshë isha ende në gjunjë duke bërë lutjen, kur dikush që nuk e vura re, u ul pranë meje. Para syve të mij e pashë të vendoste patericën e tij, siç kishte Arthur-i ynë i mjerë. Ktheva kokën dhe mbeta pa frymë.

r.arthur-konica.al
r.arthur-konica.al

Ishte njëlloj si Arthur-i: po ai shtat, po ajo moshë, po ajo figurë me lëkurën e bardhë në gri, pa mjekër, por me mustaqe të vogla dhe me një këmbë më pak.

Dhe ai djalosh më shikonte me një simpati të jashtëzakonëshme. Megjithë përpjekjet e mia, nuk i përmbajta dot lotët. Kujtoja se pranë meje ishte djali im i shtrenjtë… O Zot, vallë mos ishte Arthur-i që erdhi të më kërkojë?…”

Gati dhjetë vjet më vonë, në hyrje të shekullit të ri, një komision u krijua për të ngritur një monument për Rimbaud në qytetin e tij të lindjes, në Charleville. Krahas poetëve Adam dhe Fénéon, ishte dhe poeti arvanitas Jean Moréas, apo Jani nga Morea, themeluesi i simbolizmit poetik francez dhe mik i Verlaine-it.

Monumenti do t’i përkushtohej kujtimit të poetit-gjeni. Vite më pas, André Gide do të shkruante: ”Drita e Rimbaud-së erdhi me vonesë, ashtu siç vjen drita e yjeve të largët.” Jeta e Rimbaud-së ishte padyshim veç “një stinë e shkurtër në ferr”…

Një ferr i përshkëndritur nga rrufe zjarri! Monumenti që u ngrit për Rimbaud-në, në kohën e Luftës së Parë Botërore u zhbë. Prusianët kishin pushtuar Charleville-n dhe bronxi i monumentit duhej për predhat e luftës.

Ah, kujtimi poetit… Kohë lufte. Pas luftës, në paqen e kërkuar pas miliona të vrarëve, monumenti do të ngrihej sërrish në Charleville.

Shumë vite më parë, në letrën e “Profetit” dërguar mikut të tij Paul Demeny, ai shkruante: “Poeti është vërtet një vjedhës zjarri”.

Atë ditë që shuhej Arthur Rimbaud, ai zbriste nën dhé me zjarrin që u kishte vjedhur hyjnive të tij. E ai zjarr do të digjej në vite, dekada, shekuj…