MENU
klinika

Opinion

Astrit Dehari mund të jetë vetëvrarë, por ai mbetet hero!

06.11.2018 - 10:32

Nga Sali Mehmeti 

Nuk ka nevojë me abuzuar me kujtimin e tij për nevoja ditore!

Nuk ka nevojë dritëpasti Astrit Dehari me i ndajshtue cilësime në eter e as me sajue kauza në emën të tij. Trashëgimia e tij poliedrike (dhe kjo nuk âsht pak për nji 26-vjeçar!) âsht bukur e madhe dhe nuk ban me u kornizue thjesht si avatar i VV-së. Astriti nuk bahet i madh pse makineria propagandistike e VV-së përkujdeset që imazhi i tij me u fiksue simbas nevojave të saj ditore e mujore, as pse mbahen përkujtime hipokrite, turnire në futboll apo pse stampohen maica me portretin e tij.

Ata që e njohën intimisht Astritin e përmendin si aktivist me cilësi organizative, aspak përjashtues e i dashtun, nji sortë e veçantë që sot nuk e gjen as me qiri në VV. Kjo e fundit kutërbon me arrogancën e të rinjve analfabetë, të keqshkolluem.

Aty ku peshojnë ma shumë ulurimat pro liderit suprem dhe mbizotnojnë tema eskatologjike, e jo njohje që dijnë me e lexue idiosinkracinë e këtij mileti…
E kam besue fillimisht, si shumë të tjerë, narrativën e stisun nga VV se Astritin e kanë vra me paramendim në burg. Asnjëri prej neve, koftë prej rrëfimeve të familjarëve ose të tjerëve, nuk âsht i shkëputun prej traumës kolektive me histori morti kur të burgosunit politikë në burgjet e Stara Gradishtës, Nishit, etj, ktheheshin të pshtjellun me qefin, njisoj si kur djemtë e sa e sa nanave shqiptare janë vra teksa kryenin shërbimin ushtarak në JNA (Ushtria Popullore Jugosllave).

Mbase nuk ka me u ditë asnjiherë se ç’ndjenjë fatalizmi e ka konsumue së brendshmi Astritin, por faktet e dritësume publikisht (prej raportit të parë zyrtar e deri te pohimet e dëshmitarëve) dhe ato të thanuna jopublikisht, nuk e mbështesin asnji fije versionin e atyne që ndjejnë nji nevojë nekrofile që tjetri me u shpall nevojisht viktimë e nji vrasje me paramendim, nji komploti a kushedi çka tjetër.

Vetëvrasja (nëse rikonfirmohet nga mjekoligjorët zviceranë) nuk e zhvleftëson Astritin dhe as nuk e portreton si nihilist të çmendun nën agoninë e nji trazimi të paskaj. Krejt ata që kanë histori personale me Astritin, që e mbajnë mend si nji shpirt i butë e i dhembshun, e kanë zor me besue që nji shok i buzëqeshun e aspak sherrxhi mundet me ba vetëvrasje.
Kjo âsht e natyrshme, por e panatyrshme âsht përshtypja jonë që thotë se fatalizmit i dorëzohen veç të çmendunit. Përtej buzëqeshjeve e mirësisë tonë, shpesh struket edhe e brendshmja jonë e trazuem, e thyem, e zemërplastë…

Leni pallavrat e atyne që thirren zyrtarisht në të, po veç kqyrne nji moment unik te Astriti. Ai nuk ka pas kurrfarë pengese me qenë shtetas zviceran e me frymëmarrë larg kësaj skëterre depresive. Përkundrazi, me zgjedh, madje familjarisht, me u kthye në Kosovë, me rrnue me shpresa, me zhgënjime e andralla…kjo âsht përmasa e jashtëzakonshme e Astritit, por edhe e familjes së tij.

Thjesht dhe shqip, Astriti nuk ka nevojë as me qenë “dëshmorë” dhe as “viktimë e nji vrasje politike” për me figurue në piedestalin e atyne që përkapin admirimin tonë kolektiv. E përbrendshmja e nji heroi të vërtetë âsht jeta me dritëhije: shpresa, zhgënjime, depresione, hakërrime, qeshje, vajtime, lajthime…

I jetëmëjetshëm koftë kujtimi i tij!

Dhjetëra sinjalizime për korrupsion dhe shpërdorim detyre

REL: Kurti erdhi në pushtet me premtimin për “duar të pastra”, por…

Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës

Albin Kurti: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira

Rindezja e konfliktit me Kosovën dhe rindërtimi i qeverisë

Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga protestat