MENU
klinika

Pagesat, gati ligji i ri

Bankat s’do ta kenë më llogarinë “monopol”

20.11.2018 - 15:15

Banka e Shqipërisë ka përgatitur një projektligj të ri “Për shërbimet e pagesave në Republikën e Shqipërisë”. Ky projektligj synon të nxisë zhvillimin e shërbimeve të pagesave në vend dhe e përafron pjesërisht legjislacionin shqiptar me Direktivën PSD 2 të Parlamentit Europian.

Ndër risitë kryesore të kësaj direktive ishte detyrimi i bankave për t’u dhënë akses edhe kompanive të tjera të licencuara në shërbimet e llogarisë të pagesës. Kjo dispozitë reflektohet edhe në projektligjin e hartuar nga Banka e Shqipërisë. Neni 30 i projektligjit parashikon se aksesi duhet të jetë i tillë që të lejojë këto institucione të ofrojnë shërbime të pagesave në llogaritë e klientëve të tyre.

Një mundësi e tillë pritet të rrisë konkurrencën në tregun e shërbimeve të pagesave, çka do të ulte kostot dhe do të sillte më shumë përfitime për publikun e gjerë.

Banka e Shqipërisë nënvizon se hartimi i projektligjit adreson një sërë objektivash strategjikë, me qëllim krijimin e një tregu modern dhe gjithëpërfshirës të pagesave me vlerë të vogël në Shqipëri, mbështetur nga infrastruktura të sigurta dhe efikase pagesash, si dhe nga një gamë e gjerë instrumentesh e shërbimesh pagesash që plotësojnë nevojat e përdoruesve.

Transpozimi i direktivës së BE përbën gjithashtu dhe një nga detyrimet për t’u përmbushur nga Banka e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit, si pjesë e kapitullit për lëvizjen e lirë të kapitalit të “Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit” dhe në përafrimin me tregun e pagesave të Bashkimit Europian.