Ura kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, sinonim i qytetit të ndarë, u shndërrua në simbol të kronologjisë pothuajse të të gjitha ngjarjeve të errëta në këtë qytet, duke bartur mbi supet e saj mbi një mijë incidente të ndryshme prej pasluftës e deri më sot.
Bisedimet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel rreth saj dhe situatës së përgjithshme në vend, duke përfshirë edhe temat si korrigjimi i kufijve dhe ndarja e Kosovës, kanë krijuar konfuzion, paqartësi e mos besim tek qytetarët, sidomos ata të Mitrovicës, të cilët fajësojnë BE-në, por edhe politikanët kosovarë për situatën më të re të krijuar këtu.
Për sa i përket fajtorëve për gjendjen aktuale në Mitrovicë, mendime të ndryshme ndajnë edhe vetë politikanët kosovarë.
Derisa kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, në deklaratat e tij të fundit fajëson homologun e tij nga veriu i Mitrovicës, Goran Rakiç, për vonesat rreth hapjes së urës, duke insistuar se Ura e Ibrit do të hapet shumë shpejt, pa përmendur ndonjë datë se kur do të ndodhë kjo, ish-kryenegociatorja e bisedimeve me Serbinë, Edita Tahiri, vonimin e procesit të hapjes së urës e ka quajtur dështim të Bashkimit Evropian. /Konica.al/