Menu

Shqetësuese për nënat!

Bebi juaj mund të lindë me “Duktus arterioz të hapur”!

08.11.2018

Ndërkohë që zemra fetale zhvillohet gjatë shtatzënisë, krijohet një tub që lidh aortën me arterien pulmonare.

Shkarkoni Aplikacionin e Konica.al

Ky tub quhet ductus arteriosus ose duktusi i Botallit dhe është përgjegjës që gjaku i anashkalon mushkërive, duke zhvendosur gjakun nga arteria pulmonare në drejtim të aortës.

Meqenëse fetusi apo fëmija gjatë shtatzënisë merr gjak të oksigjenuar nga nëna e tij nëpërmjet placentës, atëherë nuk ka nevojë për funksionimin e mushkërive të tij.

Pasi fëmija lind, atëherë mushkëritë fillojnë funksionimin e tyre dhe duktusi arterioz nuk nevojitet më. Normalisht mbyllet brenda dy orëve të para deri në dy ditët e para pas lindjes.

Në rast se mbetet i hapur dhe funksional, atëherë konsiderohet një defekt i lindur i zemrës dhe normalisht kërkon trajtim. Duktusi arterioz i hapur është një anomali e cila konsiston në një tub që lidh arterien pulmonare me aortën duke përzier gjakun e oksigjenuar me gjakun e paoksigjenuar.

Normalisht ky tub është i hapur gjatë jetës intrauterine (brenda mitrës) kur mushkëritë e fëmijës nuk funksionojnë dhe duhet të mbyllet menjëherë pas lindjes.

Në disa raste duktusi arterioz është aq i madh sa një sasi e konsiderueshme gjaku mund të kalojë nga aorta në drejtim të arteries pulmonare duke kongjestionuar mushkëritë me gjak.

Insuficienca kardiake mund të shfaqet pasi zemra pompon me shumë vështirësi në një rast të tillë kur gjaku nëpërmjet një cirkuiti të shkurtër kalon në mushkëri. Në raste të tjera, mund të ndodhin infeksione në këtë tub, ose me kalimin e kohës, presioni i lartë në arterien pulmonare mund të shkaktojë sëmundjen vaskulare të mushkërive.

Kjo sëmundje dëmton enët e gjakut të mushkërive, në të cilat rritet rezistenca ndaj fluksit të gjakut, dhe në raste tepër ekstrem, gjaku mund të kthehet prapa. Në një rast të tillë, ventrikuli i djathtë, i cili normalisht pompon gjakun e paoksigjenuar në drejtim të mushkërive, fillon të pompoje gjak të paoksigjenuar në drejtim të aortës.

Kur ky fenomen ndodh, atëherë shfaqet ngjyra blu e lëkurës dhe cianoza dhe është një tregues që gjendja është tepër serioze. Fatmirësisht, duktusi arterioz diagnostikohet shumë më shpejt se sa të zhvillohen këto probleme, dhe defekti mund të korrigjohet.

Ekzistojnë tre rrugë të mundshme për të mbyllur duktusin arterioz.

Në bebet e sapolindura, veçanërisht në prematurët, mund të mbyllet duke dhënë një preparat që quhet indometacione, i cili shkakton një kontraktim të duktusit duke dhënë mbylljen e tij. Ky trajtim nuk funksionon gjithmonë.

Trajtimi konvecional është trajtimi kirurgjikal. Kjo realizohet duke hapur kraharorin në anën e tij të majtë dhe duke ndarë duktusin në dy fundet e tij dhe duke i qepur ato.

Ekzistojnë katetere të cilët nëpërmjet enëve të gjakut mund të zhvendosen deri pranë duktusit arterioz dhe atje të vendosin një pajisje të vogël e cila e mbyll duktusin nga brenda. Kjo shmang deri diku intervenimin kardiokirurgjikal.

Kjo procedurë ka avantazhet dhe disavantazhet e saj të cilat duhet të diskutohen me pediatrin dhe kardiologun pediatër. Me të gjitha këto metoda, shanset për të mbijetuar janë më shumë se 99 për qind dhe në shumicën e rasteve pacientët shërohen plotësisht.

Dukusi arterioz: Është një tub që lidh arterien pulmonare me aortën. Pas lindjes kur mushkëritë fillojnë të funksionojnë, ky tub mbyllet.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Historiku i trajtimit kirurgjikal

Veset e lindura të zemrës tek të sapolindurit