Gjermania dhe Anglia kanë bindur në miqësoret e zhvilluar në prag të ndeshjeve në Ligën e Kombeve, duke fituar përkatësisht nga 3-0 ndaj Rusisë dhe SHBA-së.
Takimi në Gjermani është zhbllokuar pas tetë minutash lojë me vendasit që kanë kaluar në avantazh falë Sane, i cili ka shënuar golin e tij të parë në 16 ndeshjet të luajtura me Gjermaninë.
Goli i dytë ka ardhur 17 minuta më vonë dhe është realizuar nga Sule, teksa Gnabry ka realizuar golin e tretë dhe të fundit të takimit në minutën e 40-të. Ky ka qenë goli i katërt për Gnabry në katër ndeshjet e para të luajtura me kombëtaren e Gjermanisë.
Ndërsa takimi i zhvilluar në “Wembley”ka qenë i veçantë për shkak të rikthimit për herë të fundit të Wayne Rooney në kombëtare. Sulmuesi anglez është aktivizuar në pjesën e dytë.
Mesfushori i Manchester United, Jese Lingard ka kaluar në avantazh anglezët me një goditje të mrekullueshme nga jashtë zone në minutën e 26-të, teksa një minutë më vonë ka ardhur edhe goli i dytë i realizuar nga mbrojtësi i Liverpool, Trent-Alexander Arnold.
Momenti më drithërues i takimit ka ardhur në minutën e 58-të, kur ndeshja është ndalur për futjen në fushë të Wayne Rooney, i cili ka marrë vendin e Lingard. Të gjithë të pranishmit në “Wembley” janë ngritur në këmbë dhe kanë duartrokitur golashënuesin më të mirë të historisë së “Tre Luanëve”, i cili ka marrë edhe shiritin e kapitenit.
Kjo ka qenë ndeshja e 120-të me kombëtaren për ish-sulmuesin e Manchester United. Ai mban vendin e dytë pas Peter Shilton (125) për numrin e takimeve të luajtura me përfaqësuesen.
13 minuta para fundit ka ardhur edhe goli i tretë i anglezëve, që kanë shënuar me Wilson, i cili e ka festuar debutimin me kombëtaren në mënyrën më të mirë të mundshme.