MENU
klinika

Por nuk përfshin eurobondin

Borxhi publik, 66% në fund të shtatorit

03.11.2018 - 13:46

Shifrat e 9-mujorit konfirmuan ecurinë e stabilizmit të borxhit publik të vendit. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në fund të shtatorit borxhi publik kishte vlerën e 1 trilionë e 89 miliardë lekëve. Që nga fillimi i vitit, borxhi publik është rritur me vetëm 1.5 miliardë lekë.

Në terma realë, Ministria e Financave e vlerëson borxhin në rreth 66% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Vitin e kaluar, borxhi publik ishte sa afro 70% e PBB-së, megjithatë, shifrat aktuale pritet të rishikohen deri në fund të vitit.

Në tetor, realizoi me sukses emetimin e eurobondit në tregjet ndërkombëtare, për një vlerë totale huamarrjeje prej rreth 500 milionë eurosh. Gjithashtu, edhe pjesa tjetër e huamarrjes së parashikuar në tregun e brendshëm pritet të intensifikohet. Përgjithësisht, tremujori i fundit i vitit sjell një rritje të shpenzimeve buxhetore dhe realizimin e vlerave të parashikuara të deficitit.

Një ndikim të konsiderueshëm këtë vit ka luajtur forcimi i lekut në kursin e këmbimit valutor. Kjo ka sjellë uljen e vlerës së konvertuar të borxhit të jashtëm me rreth 13 miliardë lekë që nga fillimi i vitit.

Edhe këtë vit Ministria e Financave po ndjek strategjinë e zgjatjes së maturitetit të borxhit. Borxhi me maturim afatgjatë tashmë përbën 65% të totalit të borxhit të brendshëm, ndërsa pesë vjet më parë zinte vetëm gjysmën e këtij borxhi.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN