MENU
klinika

Parashikimet më të fundit

Brexit/ Ekonomia britanike 3.9% më e ulët pas 15 vjetësh?

28.11.2018 - 18:27

Britania e Madhe do të jetë më e dobët ekonomikisht nën çdo formë të Brexit, krahasuar me qëndrimin në BE, sugjerojnë analizat më të fundit të qeverisë.

Shifrat zyrtare thonë se ekonomia e Britanisë së Madhe mund të jetë deri në 3.9% më e ulët pas 15 vjetësh sipas planit Brexit të Theresa May, krahasuar me qëndrimin në BE.

Kryeministja tha se marrëveshja e saj ishte më e mira në dispozicion për vendet e punës dhe ekonominë. “Marrëveshja jonë është marrëveshja më e mirë në dispozicion për vendet e punës dhe ekonominë tonë, që na lejon të respektojmë referendumin dhe të kuptojmë mundësitë e Brexit”, tha  May pak ditë më parë.

Marrëveshja e Brexit e qeverisë do të përballet me një votim potencialisht të vështirë më 11 dhjetor.

Si kanë reaguar politikanët? Sekretari i mëparshëm i Brexit David Davis tha se gjithë parashikimet e mëparshme kishin qenë të gabuara.

Philip Hammond tha se marrëveshja e planifikuar Brexit kombinonte përfitime ekonomike nga qëndrimi në BE me përfitimet politike të largimit nga BE.

I pyetur nëse Britania e Madhe do të ishte më e varfër sipas marrëveshjes së Mayt, ai tha: “Ekonomia do të jetë pak më e ulët në këtë version”.

Theresa May ka hedhur poshtë vlerësimin e Donald Trump për marrëveshjen e saj Brexit, duke këmbëngulur se Britania e Madhe do të jetë në gjendje të arrijë marrëveshje të reja tregtare, përfshirë edhe me SHBA-në, pasi të largohet nga BE.

Duke folur në Uells ku May po promovonte marrëveshjen para publikut britanik, kryeministrja tha: “Ne do të kemi aftësinë, jashtë Bashkimit Evropian, që të bëjmë marrëveshje të reja tregtare. Nuk do të jetë më një vendim që merret nga Brukseli”.

Për Presidentin amerikan, pakti i tërheqjes së Londrës “tingëllon si një arritje goxha e madhe për BE-në dhe nënkupton se Britania mund të mos jetë në gjendje të tregtojë me Shtetet e Bashkuara. Downing Street këmbëngul se Mbretëria e Bashkuar do të jetë në gjendje në vazhdimësi që të bëjë marrëveshje tregtare me vendet anembanë botës. Por, Trump nuk e sheh kështu.

“Nëse do t’i hidhnit një sy tani tekstit të marrëveshjes, do të shikoni se Britania e Madhe mund të mos jetë në gjendje të bëjë tregti me ne. Dhe kjo nuk do të ishte aspak gjë e mirë. Nuk besoj se kanë pasur këtë në mend”, deklaroi Trump.