MENU
klinika

Kriza ekonomike

Buxheti italian, Roma duket se do të tërhiqet nga ngërçi me BE-në

26.11.2018 - 16:58

Kryeministri italian Giuseppe Conte shpreson shumë se vendi i tij nuk do të përballet me masa ndëshkuese, për ngërçin e buxhetit që e ka vendosur në kurs përplasjeje me Bashkimin Europian.

Conte u shpreh optimist pas takimit me kreun e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, se procedura e ndëshkimit do të mund të evitohet.

Por, nuk dihet ndërkohë me saktësi se çfarë lëshimesh do t’i duhet Romës të bëjë për të përfituar nga një skenar i tillë.

Conte e ka theksuar në disa raste më parë se, për heqjen dorë nga buxheti polemizues as që bëhet fjalë. Konsultimet me bllokun, nga sa pohon ai, do të vazhdojnë, sepse kjo është në interes të të gjithëve.

Dënimi që kanoset mbi Italinë është i paprecedentë për një vend anëtar të BE-së, e mund të mbërrijë në disa miliarda euro.

Autoritetet në Bruksel këmbëngulin që projektbuxheti i Italisë për vitin 2019 të korrigjohet, sepse konsiderojnë që ai paraqet rrezikun e zhytjes së vendit në borxhe të reja, e kjo do të binte ndesh me rregullat e Eurozonës.

Italia ka një borxh prej 2.3 trilionë eurosh, që do të thotë rreth 130% më shumë sesa fuqia e saj vjetore ekonomike. Në kriteret e Mastrihtit thuhet se, një vend anëtar mund të ketë borxhe që mbërrijnë deri në 60% të prodhimit vjetor kombëtar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN