MENU
klinika

Letërsia britanike

Çfarë aventure të ofron shkrimtari Stenvenson?

13.11.2018 - 19:53

Robert Luis Stevenson lindi më 13 nëntor 1850 dhe vdiq në 3 dhjetor 1894. Krijimtaria e tij si shkrimtar, novelist, poet, skenarist skozez është tejet e gjerë, por për lexuesit mbetet i paharruar si autori i klasikut për fëmijë “Ishulli i thesarit” dhe i tregimit horror për të rritur “Rasti i çuditshëm i Dr. Jekyll dhe z. Hyde”.

Që të dyja novelat kanë burime të çuditshme. Harta e një ishulli imagjinar i dha Stevensonit idenë për historinë e parë, ndërsa për të dytën shërbeu vetëm një makth vetiak. Përveç burimeve të paharrueshme, këto tregime ndajnë gjithashtu edhe temën kryesore të Stevensonit: pamundësinë e identifikimit dhe kufirin ndarës midis së mirës dhe të keqes.

Long John Silver i “Ishullit të thesarit” është njëherazi shok guximtar dhe mashtrues i pabesë, kurse Dr. Jekyll, i cili nuk është tërësisht i mirë, por një përzierje e së mirës dhe të keqes, përfundimisht qeveriset nga Hyde për shkak të dobësisë morale. Me Silverin, Jekyll dhe të tjerë, Stivensoni vendos standarde për karaktere komplekse, të cilët, më pas, u pëvetësuan edhe nga shkrimtarët pasardhës. Mënyra për të krijuar personalitete të paqarta, enigmatike ishte një nga kontributet e Stevensonit në fushën e letërsisë.

Lindur në Edinburg të Skocisë më 13 nëntor 1850, Stivenson ishte djali i vetëm i Tomas Stivensonit dhe Margaret Balfurit. Trashëgoi mushkërit e dobëta nga e ëma, pra që në lindje qe i sëmurë. Para se të mbushte dy vjeç, Alison Kanigam, një grua e re, iu bashkua familjes për t’u kujdesur për shëndetin e djalit. Tridhjetë vjet më vonë, Stivenson i dedikoi “Djali i Kopshtit të Vargjeve”. Karakteri mbrojtës dhe dergjës i fëmijërisë zbulohet përmes poemave si “Toka e kuvertës” etj.

Gjithsesi, jo gjithë fëmijëria e tij kaloi brenda katër mureve të dhomës. Gjatë verës, ai jetoi në Colinton Manse ku luajti në ambientet e jashtme me kushërinjtë e shumtë. Burime të shumta thonë, se Stivenson e fitoi trofeun e parë kur ishte gjashtë vjeç, duke konkurruar me kushërinjtë, ku njëri nga xhaxhallarët e tij, Balfour, e nderoi për një histori të Moisiut.

Krijimtaria e ardhshme qe Libri i Jozefit”. Botimi i parë i Stevensonit “The Pentland Rising”, gjithashtu trajtonte një temë fetare, rrëfente një rebelim të pasuksesshëm nga Covenanters në 1666. Nisur nga këto krijime, tek i riu Stevenson vërehen bindjet e forta fetare të prindërve. Sidoqoftë, gjatë kolegjit, besimet e tij pësuan një ndryshim drastik.

Filloi shkollën që shtatë vjeç, por ngaqë ishte shëdetlig dhe ngase i ati dyshonte tek aftësia e arsimit formal pati shkëputje. Stevenson hyri në universitet kur ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç, me synimin për t’u bërë inxhinier.

Në vend që t’u përkushtohej studimeve, ai u bë i njohur për veshjen dhe sjelljen e tij të egër, nisur nga veshja ekstravagante mori nofkën “Xhaketë Kadifeja”. Kur mbushi njëzet e dy vjeç, u deklarua si agnostik, duke kurorëzuar kështu zhgënjimin total të të atit.

Për të qetësuar të atin, Stivenson studioi për drejtësi. U kërkua në avokati në vitin 1875, por asnjëherë nuk e praktikoi. Në universitet, u përpoq të shkruante, duke imituar stilet e autorëve William Hazlitt dhe Daniel Defoe, ndër të tjera. Para dhe pas marrjes së diplomës në drejtësi, esetë e Stivensonit u botuan në disa revista.

Një udhëtar i përhershëm, shumica e udhëtimeve në kërkim të një klime të përshtatshme për shëndetin e brishtë në Francë, ishin edhe tema kryesore e dy librave të parë: “Një udhëtim i brendshëm” (1878) dhe “Udhëtim me një gomar në Seven” (1879), ndërsa udhëtimi në Amerikë, më 1879, u bë për të ndjekur një grua, Fanny Van de Grift Osbourne. Udhëtimi qe gati vrastar.

 

Më 18 gusht 1879, Stevensoni zbarkoi në Nju Jork, pasi udhëtoi përmes Atlantikut. Tashmë i sëmurë, shëndeti iu përkeqësua si rezultat i kalimit të fushave amerikane me një tren emigrantësh. I varfër, i sëmurë dhe i uritur, jetoi në Monterrei dhe më pas në San Francisko, ku gati vdiq. Vuajtja e tij u shpërblye, sepse Fanny u divorcua nga i shoqi dhe më 19 maj 1880, ajo dhe Stevensoni u martuan.

Thuajse gjithë aventurat amerikane të Stevensonit u bënë material për krijimtarinë e tij. “Silverado Squatters” (1883) rrëfen përvojat e muajit të mjaltit, ndërsa “Përmes rrafshinave me kujtime të tjera dhe ese” (1892), si dhe “Emigranti amator nga Clyde në Sandy Hook” (1895) lidhen me udhëtimin e tij në Kaliforni. Një vit pasi ishte larguar nga Skocia, Stevenson e solli Fanin në vendlindje. Ai, Fanny dhe Lloid, thjeshtri i Stivensonit, u vendosën përfundimisht në vilën Braemar në verën e vitit 1881, ku Stevenson filloi të shkruante “Ishulli i thesarit”.

Më 1 tetor 1881, revista “Young Folks” filloi të botonte në seri rrëfenjat me pseudonimin e kapitenit George North. Në këtë mënyrë, historisë iu kushtua fare pak vëmendje. Gjithsesi, “Ishulli i thesarit” u botua në format libri dhe arriti të shndërrohet në best seller.

Stivenson e pasoi “Ishulli i thesarit” me një tjetër aventurë “Shigjeta e zezë”, e cila u botua me pjesë në “Young Folks” më 1883 dhe në format libri në 1888. Ndonëse fitoi më shumë popullaritet tek lexuesit e rinj, “Shigjeta e zezë” nuk konsiderohet klasik si “Ishulli i thesarit”. “Rrëmbimi” pati të njëjtin nivel me “Ishullin e thesarit”, madje personazhet e tij janë në shumë mënyra superiorë. Jim Hawkins dhe Long John Silver e librit të mëparshëm janë stereotipa simpatikë, por Balfour dhe Breck janë personalitete me psikologji të thellë.

“Rrëmbimi” u shkrua në Bournemouth të Anglisë, e cila qe shtëpia e Stevensons që prej vitit 1884. Pasi jetoi përkohësisht në Liqenin Saranac, Nju Jork, më 1887, Stivenson, Fanny, Lloid dhe nëna e Stivenson filluan të udhëtonin në Paqësorin e Jugut. Përfundimisht, familja u vendos në ishullin Upolu në Samoa në 1890. Më 3 dhjetor 1894, në moshën dyzet e katër vjeç, Stivensoni vdiq nga një hemorragji cerebrale. La pa përfunduar “Weir of Hermiston”, çka premtonte të ishte puna e tij më e madhe. Lëndina ku u varros Stevenson, në majën e malit Vaea, u pastrua nga afro gjashtëdhjetë burra samoanë.

Menjëherë pas vdekjes së tij, biografët dhe komentuesit u treguan zemërgjerë me lavdet që i kushtuan Stivensonit, mirëpo ky portret i idealizuar u kritikua në vitet 1920 dhe 1930 nga kritikët që e cilësonin prozën e tij si imituese dhe hipokrite, që përfshinte shumicën e marrëzive të kohës së kolegjit të Stevensonit.

Gjithsesi, në vitet 1950 dhe 1960, krijimtaria e tij u rishqyrtua nga komuniteti akademik. Jashtë akademisë, “Ishulli i thesarit” dhe “Rasti i çuditshëm i Dr. Jekyll dhe z. Hyde” vazhdojnë të lexohen gjerësisht prej më se një shekulli pasi u botuan dhe premtojnë të mbeten popullorë edhe në shekujt që do të vijnë.

Ernest Heminguej, Vladimir Nabokov dhe Borgesi u frymëzuan nga stili i Stevensonit. Veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Shpesh i shkrirë me literaturë popullore për fëmijët dhe adoleshentët që nuk kanë aventurë, puna e tij fsheh, për kureshtarët, thesare në shpirtin njerëzor.

Mjeshtër i romanit të aventurës. Deti, ishujt, mbytja e anijeve, endacakët e plazheve dhe kontrabandistët qëndrojnë në qendër të punës së këtij klasiku të ndritur, i cili, siç shprehet Emmanuel Roussel: “brimoi qiellin viktorian dhe zhyti ishujt e Paqësorit në errësirën e ndërgjegjes, madje edhe në nënvetëdije”.

Gjithsesi, thënia e Borgesit shpreh shumë më shumë: “Unë mendoj se Stevensoni u ka dhënë lexuesve më shumë lumturi se çdo shkrimtar tjetër”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit