Sot prokuroria kërkoi masën e arrestit me burg për Ervis Martinaj duke sjellë prova se prania e Martinajt në dyqanin ku ndodhi përplasja nuk ka qenë rastësore por e planifikuar.
Gjithashtu përgjimet kanë zbuluar se Martinaj i ka kërkuar shoqëruesve të tij të shkojnë me armë.
E gjithë përplasja ka ndodhur brenda një harku kohor rreth 60 sekonda, duke marrë në konsideratë faktin e daljes nga ambjentet e lokalit të personave të përfshirë në ngjarje
“Rezulton që konflikti brenda ambjenteve të dyqanit ndodh shumë shpejt pas këtij momenti dhe se e gjitha ngjarja, duke përfshirë konfliktin fizik dhe më pas atë me armë, ndodh brenda një harku kohor rreth 60 sekonda, duke marrë në konsideratë faktin e daljes nga ambjentet e lokalit të personave të përfshirë në ngjarje.
Rezulton nga ekspertimi teknik-elektronik i aparatit telefonik të personit nën hetim Ervis Martinaj se në orën 21.17 ka marrë një komunikim elektronik në aplikacionin “whatsapp” nga kontakti i regjistruar me emrin “Boli” me tekst “tek dyqani me veshje të shtrenjta përballë Billionerit”, pra rezulton që shkuarja e të hetuarit Ervis Martinaj në dyqanin ku ka ndodhur ngjarja nuk ka qenë rastësore siç ai deklaron por ai ka rakorduar për këtë takim me të hetuarin tjetër Ervin Mata.
Rezulton dyshimi se viktima Fabjan Gaxha dhe personi tjetër i paidentifikuar kanë qënë së bashku me të hetuarit Ervis Martinaj, Eljon Hato dhe personin tjetër të paidentifikuar përpara ngjarjes duke shkuar në afërsi të saj me automjetin tip BMW X5.
Të gjitha këto rrethana të rezultuara nga hetimet janë të tilla që rrëzojnë pretendimet e të hetuarit Ervis Martinaj se ai ka shkuar rastësisht në dyqan ku është takuar me Ervin Matën dhe se konflikti i ndodhur mes viktimës Gaxha dhe të hetuarit Bilo ka qënë rastësor dhe i shkëputur prej tij.
Po ashtu rezulton dyshimi se i hetuari Martinaj ka njoftuar përpara se të shkojë në vendin e ngjarjes personat shoqërues të tij madje, u ka shkruar të shkojnë me armë,” shkruhet në dokumentin e prokurorisë të dorëzuar sot në Gjykatën e Tiranës
Ja çfarë filmuan kamerat mbrëmjen e 4 tetorit
E gjithë përleshja ka ndodhur brenda një harku kohor rreth 60 sekonda, duke marrë në konsideratë faktin e daljes nga ambjentet e lokalit të personave të përfshirë në ngjarje. Në gjithë këtë ngjarje rezulton dhe një person tjetër ende i paidentifikuar
Ora 18:54, shtetasit Ervin Mata, Geldo Hoti (Liçaj), Fabio Allushi, Mevjol Bilo kanë hyrë brenda në ambjentet e dyqan “Monopol”.
Rreth orës 20:37, nga dyqani “Monopol”, ka dal shtetasi Ervin Mata, i cili është duke folur në telefon dhe sipas deklarimit të shtetasit Redi Popescu, Ervini del jashtë për tu takuar me të fejuarën e tij shtetasen Elvana Gjata, për të shkëmbyer një çelës shtëpie.
Ajo e kishte parkuar automjetin e saj në rresht për dy. Në momentin që Ervini ka qenë duke bashkëbiseduar me të fejuarën, në rresht të tretë, ka kaluar një automjet dhe personi/personat që kanë qenë brenda tij kanë ngacmuar të fejuarën e Ervinit.
Ky automjet ka vazhduar qarkullimin drejt “KFC” dhe për një moment ndalon dhe kryen manovrën e ecjes mbrapa dhe pasi qëndron aty afrohet shtetasi Ervin Mata, pamje të cilat janë regjistruar nga DVR e subjektit “KFC”.
Rreth 10 sekonda më pas, te vendi ku automjeti kishte ndaluar dhe bisedonte me Ervin Matën, afrohet edhe shtetasi Mevjol Bilo dhe bisedojnë me personin/personat që ndodhen brenda në automjet, ku vërehet se Ervini e shtyn me dorë shtetasin Mevjol Bilo me qëllimin për ta larguar.
Po sipas deklarimit të Redi Popescu-t, ku shprehet se ka dëgjuar nga Ervin-i se personi që ishte në drejtim të automjetit ishte ish shoku i ngushtë i tij, dhe kjo duket edhe nga pamjet filmike ku Ervini largon Mevjol-in me qëllimin për tu sqaruar vet, megjithëse Mevjoli nuk largohet por i qëndron aty pranë.
Pasi shkëmbejnë disa fjalë, rreth 1 minutë më pas Ervini me Mevjolin, largohen në drejtim të dyqan “Monopol”, ndërsa automjeti vazhdon në drejtim të “Sky Tower”.
Automjeti në dukje është i markës “Mercedes Benz”, tipi “G – Class”, ngjyra e zezë me disqe të zezë por pa targë të identifikueshme.
Duke këqyrur pamjet filmike të “Monopol”, vërehet se Ervin Mata nuk futet brenda në dyqan, por vetëm Mevjoli i cili pasi futet del përsëri, dhe në pjesën e derës së daljes, në dukje ka një armë zjarri pistoletë, të cilën e fut në brez nga krahu i djathtë i tij me dorën e majtë.
Gjithashtu, në rend kronologjik, pas tij dalin Geldo, Fabio, një person i paidentifikuar, dhe në fund një person i identifikuar në rrugë operative si shtetasi A. B.
Duke kaluar përsëri te pamjet filmike të “KFC”, vërehet se Ervini kalon përpara këtij subjekti dhe pas tij vijnë me rradhë Mevjoli, Fabio, Geldo, Redi dhe i fundit, i distancuar nga këta, shtetasi A. B. dhe të gjithë ecin në trotuar në drejtim të “Sky Tower” dhe pas një vonese rreth 1 minutë më pas, në pamje shfaqet Ervini, i cili po kthehet duke ecur në trotuar dhe pas tij janë Mevjoli, Redi, Fabio, Geldo dhe në fund A. B.
Duke kaluar te pamjet e “Monopol”, vërehet se të gjithë personat e përmendur më sipër hyjnë përsëri brenda dyqanit. Rreth 14 (Katërmbëdhjetë) minuta më vonë, kur ka shënuar ora 20:58, brenda në dyqan ka hyrë shtetasi Ajaks Boshnjaku.
Rreth orës 21:26:58, në dyqan hyjnë shtetasi Ervis Martinaj, i shoqëruar nga shtetasi Eljon Hato dhe një person ende i paidentifikuar.
Rreth orës 21:28:08 në dyqan futet një person ende i paidentifikuar dhe direkt pas tij, vjen viktima Fabian Gaxha.
Rreth orës 21:28:36, nga dyqani duket që del shtetasi A. B. i cili largohet duke dal nga shkallët e dyqan Monopol.
Rreth orës 21:29:16, nga dyqani largohet me vrap personi i paidentifikuar që shoqëron shtetasin Ervis Martinaj.
Rreth orës 21:29:19, nga dyqani largohet me vrap shtetasi Ajaks Boshnjaku.
Rreth orës 21:29:36, nga brenda dyqanit dalin në rrjedhë kronologjike shtetasit Mevjol Bilo, Ervin Mata, Geldo Hoti dhe Fabio Allushi.
Rreth orës 21:29:48, nga dera e dyqanit ka dalur Redi Popescu dhe pas tij ka qenë Ervis Martinaj.
Rreth orës 21:30:27, nga dera e dyqanit ka dal personi i paidentifikuar që hynë disa sekonda përpara viktimës Fabian Gaxha.
Rreth orës 21:30:30, në dyqan hynë përsëri Redi Popescu, ku duhet theksuar se dera në hyrjen e dyqanit është e hapur dhe i shtrirë përtokë duke rënkuar është i plagosuri rënd Eljon Hato.
Rreth orës 21:31:10, Redi Popescu ka dal përsëri nga dyqani.
Rreth orës 21:34:41, i plagosuri rëndë Eljon Hato, duke u zvarritur ka arritur të kaloj derën e dyqanit dhe aty vjen e merr një person i cili është ende i paidentifikuar.
Ky person bën transportimin e Eljonit duke e mbajtur në krahë dhe kalojnë në trotuar te “KFC”, dhe më pas i humbin objektivit të kamerës së “KFC”
Fotot e personave që kanë qenë pjesëmarrës në këtë ngjarje i janë dërguar komisariateve me qëllim kapjen e persona në kërkim dhe identifikimin e personave të tjerë.
Po ashtu, janë kryer sekuestrimet e pamjeve filmike të kamerave të sigurisë së Kuvendit të RSH dhe Bankës Credins (ndodhur në rrugën Ibrahim Rugova).
Kqyrja e këtyre pamjeve filmike është në proces nga policia gjyqësore.
Përgjimi që zbuluan izraelitët
(Shënim redaksional: Ky është përgjimi i marrë nga prokuroria. Redaksia nuk ka ndërhyrë për korigjimin e tij.)
Në rrjetin telegram më datë 04.10.2018 ka rezultuar të ketë pasur komunikime me kontaktin e regjistruar me emrin “Aldoo” që i përket numrit në regjistrin e kontakteve të aparatit telefonik 069……. nga ora 21.04 deri në orën 21.19 :
Ku je (shkruan E.Martinaj)
afrohu
Po pres Olsin me ik me taku (shkruan Aldoo)
Te local
Ols
Ols
Mos bono
Ca veni je
Lidhu me cunst
Afroh
Me arm
Ok
Ndalo para lokalit arit
Ok
Erdhem
Jam me Olsin
Qunat po vin
Po cunat
Afroji
Po sapo dalin nga shpija
Ti ku je
Un per 1 sekond aty
Cunav te dyqani redit rrobave afroh
A erdhe
Po te lokali arit jam
Ku