MENU
klinika

Premier League, java 12

City fiton derbin e merr kreun, ngec Arsenal

11.11.2018 - 19:34

Manchester City ka triumfuar në derbi ndaj United dhe rimerr shumë shpejt kreun e renditjes. “Qytetarët” fituan 3-1 në “Etihad” dhe me këtë sukses kërkojnë të mbrojnë titullin, për më tepër që edhe Arsenal është ndalur 1-1 në shtëpi.

City ushtroi presion që në sulm ndaj një United të përgjumur në minutat e para. Dhe si pasojë arrin të zhbllokojë rezultatin në minutën e 12’ me David Silva. Reagimi i United nuk erdhi, teksa ishin vendasit ata që vazhdonin të dominonin ndeshjen duke mos lejuar kundërshtarin të futet në lojë.

Pas pushimit erdhi goli i dytë i “Qytetarëve”. Sergio Aguero kombinon bukur brenda zonës me Mahrez dhe lëshon një predhë në drejtim të portës, sërish e pakapshme për De Gea-n.

Mourinho reagon menjëherë duke futur në fushë Lukaku-n i cili një minute, pasi ishte futur në lojë fiton një penallti pas kontaktit me Ederson. Martial merr përsipër penalltinë dhe nuk gabon duke i dhënë shpresë miqve.

City vazhdon të luajë më mirë duke mos lejuar United të krijojë shumë mundësi përpara. Dhe në minutën e 86’ ishte zëvendësuesi i Pep Guardiola-s ai që vulosi fitoren për vendasit. Gundogan shënon vetëm për vetëm me portierin pas krosit të përsosur të Bernardo Silva-s.

Ndërkohë, Arsenal është ndalur nga Wolves në Emirates. Të besuarit e Unai Emery kanë vuajtur shumë për të marrë një pikë ndaj një prej skuadrave më të organizuara në Premier League.

Ishin miqtë ata që kaluan të parët në avantazh në pjesën e parë me Cavaleiro, i cili arriti të shënonte pas gabimit të Granit Xhakës. Dhe duhej pritur minuta e 86’ që Mkhitaryan të barazonte rezultatin. Arsenal mbetet në vend të pestë me këtë barazim dhe ka humbur mundësinë të ruajë ritmin e katër të mëdhave.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN