MENU
klinika

Nga Sali Mehmeti

Dimitrije Tucoviçi ndryshe

20.11.2018 - 16:57

Socialdemokrati serb zakonisht ndjesohet si modeli i nji serbi babaxhan, përdëllimtar e korrekt karshi shqiptarëve.

Emna rrugësh në Kosovë e nji vistër publikimesh divulgative e publicistike e ushqejnë bindjen se ai përfaqëson sqeto katharsisin serb kundrejt agresionit të vitit 1913.

Nuk ka dyshim se Tucoviçi âsht i pari serb që e farkëton nji kritikë ndaj pushtimit serb të Shqipnis’ (Kosovën dhe Maqedoninë).

Dimitrije-Tucovic-konica.al
Dimitrije-Tucovic-konica.al

Por nuk duhet me e shpërfillë nji element konstituiv të kriticizimit socialdemokrat serb: ai âsht njisoj i helmatisun me mantrën e imperializimit serb drejt jugut, e që Kosovën e sheh si “nukleusin” e serbizmës, kishat e hieroret ortodokse si simbole serbe.

Me e lexue Tucoviçin mes rreshtash, mënyra qysh e përshkruen Shqipnin’, rrnesën e njerëzve, prodhimin, etj âsht e asisojtë që gjithçka qëllimisht primitivizohet e si mesazh subliminal del që veç nji asistencë serbe do të ishte nji raison d’etre për Shqipnin’.

Me nji vend, Tucoviçi thotë që shqiptarët nuk e dijnë as çka âsht plori për lavër (pllugu) e demek plori i drunjtë që përdornin fermerët shqiptarë veçse gërvishte tokën disa centimetra (sic!).

Nji historian objektiv kish me vnue buzën në gaz me nji esencializim të kësillojtë.

Dimitrije-Tucovic-konica.al
Dimitrije-Tucovic-konica.al

Shqipnia, për pjesën ma t’madhe të shek.19-të, ka qenë nji drithnik i vërtetë: eksportet shqiptare në tregun habsburg kanë qenë pikënisht drithnat.

Me të tilla mjete rudimentare punonin shqiptarët sa të ishin ndër eksportuesit kryesorë në Perandorinë habsburge?

Të tilla objektifikime esencialiste nuk janë aspak ma të damshme sesa, ta zamë, taksomanitë antropologjike serbe që shqiptarin e vizatonin si të fundit troglodit (madje me bisht!) në kontinentin evropian.

Tucoviçi e Gjorgjeviçi janë dy skaje të nji diskursi hegjemonik e imperialist kundrejt shqiptarëve: i pari e mohon “homo faberus”-in ndër shqiptarë, i dyti e mohon edhe humanën ndër shqiptarë.