MENU
klinika

'Ditari i Ana Frank'

Aktorët shqiptarë emocionojnë zv.ambasadoren e Izraelit

17.11.2018 - 11:07

Zëvendësambasadorja e Izraelit në Tiranë, Liora Peleg, është mrekulluar nga loja e aktorëve shqiptarë në pjesën teatrale “Ditari i Ana Frank”, që po shfaqet me sukses në Teatrin e Metropolit në kryeqytetin shqiptar.

“Këtë javë, Teatri (shqiptar) i Metropolit solli në skenë historinë e Ana Frank. Ishte emocionuese të dëgjoje aktorët të këndonin Hatikva (himnin e Izraelit) dhe unë besoj, ne morëm shumë dashuri. Shabbat Shalom nga Tirana”, shkruan diplomatja izraelit, Peleg.

“Ditari i Ana Frank” është përshtatur për skenë nga autorët Frances Goodrich dhe Albert Hackett. Pjesa me regji të Armela Demës sjell në skenë aktorët Vanesa Guri, (në rolin e Anës), Myzafer Zifla, Klea Konomi, Ketjona Pecnikaj, Bruno Shllaku, Marjana Kondi, Roerd Toçe, etj.

Në vitin 1940, Gjermania pushtoi Holandën dhe filloi menjëherë zbatimi i ligjeve antihebreje.

Babai i Ana Frankut, i frikësuar për familjen e tij me prejardhje hebreje, ra në ujdi me bashkëpunëtorët e biznesit të tij për ta vazhduar punën në një vend të fshehtë, ku edhe do të fshiheshin derisa lufta të përfundonte.

Disa muaj përpara se familja Frank të fillonte të fshihej, Anës i dhuruan për ditëlindje një ditar. Ajo e quajti ditarin e saj Kiti dhe shkruante në të gjithçka i ndodhte asaj dhe familjes.

Anne Frank filloi të shkruante në ditarin e saj që në moshën trembëdhjetëvjeçare, nga 12 qershori i vitit 1942 deri më 1 gusht 1944.

Ditari i Ana Frankut u bë një ndër librat më të lexuar në botë dhe u përkthye në dhjetëra gjuhë. Shtëpia, ku ishte fshehur familja Frank në Amsterdam, sot është e hapur për vizitorët. Aty gjendet edhe ditari që shkroi Ana, i cili ka vlerën e një dokumenti unik njerëzor.