Në pragun zyrtar të dimrit, piktorë të njohur nga e gjithë Shqipëria arritën t’i “vjedhin” disa ngjyra vjeshtës, përpara se ajo të largohet plotësisht.
Rrapët shekullorë në Byshek të Elbasanit nuk i zhgënjyen mjeshtrit e penelit, të cilët po aq bukur i pasqyruan në telajo. Për piktorët, vjeshta, me magjinë e ngjyrave dhe kombinimeve të saj, mbetet stina më e bukur.
Por nuk është vetëm vjeshta. Artistët kanë një lidhje shpirtërore me bukuritë e Elbasanit, në përgjithësi, sidomos të zonave turistike apo luginës së mrekullueshme të Shkumbinit.
Zgjedhja e Byshekut nga piktorët ka qenë edhe një mundësi e mirë promovimi për këtë perlë të natyrës, shumë pranë Elbasanit.
Promovimi i saj, por edhe shtimi i investimeve pritet ta rikthejnë në identitet Byshekun e dikurshëm të elbasanasve, që frekuentohej në masë.