MENU
klinika

Kanarina e Hekurt

Ermonela Jaho, mbretëresha e muzikës klasike

11.11.2018 - 16:27

Lindi në Rreshen në vitin 1974. Nënën nga Vlora dhe babai nga Skrapari, vetë ajo me një shpirt ekspresiviteti sa dhe reflektive rreth së shkuarës, që është pjesë e fortë e personalitetit të saj. Ajo është origjinale dhe realiste. Ajo do të niste rrugëtimin e saj të gjatë në riformimin e gjithkohshëm të vetëvetes nëpërmjet një lloj ”katarsisi” të pafundëm emocional.

Familja e saj vjen nga një traditë vlonjate, ku dy njerëz zihen, tre këndojnë.

Kjo energji dhe ky zë tradite ishte që në fëmijërinë e saj një pjesë e ngjizjes së personalitetit me përkushtim për një këngëtare lirike me ëndërr shekullore të një fëmije, ëndërr e quajtur Traviata.

Ajo sot është madhështia e mirësisë, një femër e ëmbël dhe një femër e mirë sa të kujton dhe të ngelet buzëqeshja e saj në mendje, me humor dhe e dashur.

Me këtë energji, dhe në kohë të vështira mbrujten njerëzit e mëdhenj. E sigurt, me humor, këmëngulëse, e bukur sa të bën per vete, e çiltër. Një femër e respektueshme nga të gjithë dhe e adhuruar për atë që është.

Një personalitet i fortë dhe një profesioniste e pa krahasueshme me të tjerë, ajo është thjesht më e mira me thjeshtësisht njerëzoren e saj, ajo është Ermonela Jaho. Brenda saj vlon mbinjerëzorja që nxirret nga një instrument që si thotë ajo ‘’e mban gjithmonë me vete’’, zëri. Një e rritur me shprehi fëmije që ngjall mirësi.

Një emër që i rezistoi vështirësive dhe doli në skenën botërore ashtu si është, e pakrahasueshme me asnjë për zërin e saj, këmbënguljen e vullnetin që ka brenda në shpirt.

 

Ajo i ka dyert e hapura kudo që të shkojë. Vetë ajo i quan ‘’stacion të rrugëtimit të saj’’, çdo metropol ku ajo interpreton, dhe vetë ajo një bisht të syrit e mban gjithmonë nga vendi i saj i dashur, Shqipëria, karakteristikë kjo e njerëzve të mëdhenj me identitet të qëndrueshëm.

Stacionet janë kudo në qendra dhe në shtete si Itali, Zvicër , Francë, SHBA, Gjermani, Spanjë, Kinë, Japoni, Australi e shumë të tjerë që presin radhën në axhendën e saj të ngjeshur.

Sa herë që ajo hipën në skenë ka filozofinë ‘’Është herë e parë dhe herë e fundit’’, o tani o kurrë të jap dhe marrë emocion të pamatë.

Një kanarinë shqiptare në skenat madhështore të botës, dhe një femër veprimtare për Shqipërinë kudo që shkon falë imazhit të saj, por më shumë falë veprave të saj.

Magnet që të ngjit pas vetes derisa të mbarojë shfaqja, dhe ti nuk mund të bësh asgjë tjetër, duhet të dorëzohesh gjenialitetit të saj profesional në zë dhe interpretim. Ajo e ka në dorë skenën dhe në zemër.

Ajo është pak të thuash femër dhe pak të thuash që është e paimagjinueshme. Është e ndërgjegjshme si njeri normal për mungesat dhe për ato që s’i bën dot normal në jetën e përditshme, dhe e ndërgjegjshme gjithashtu për përgjegjësinë që ka në skenë ku ajo shndërrohet në gjithçka për të dhënë dhe marrë emocione.

 

Ajo del nga e arritshmja që falë punës së saj të palodhur me vullnet të hekurt ka arritur tek e paarritshmja, ‘’një kanarinë e hekurt në skenë’’ që lodron me zërin e saj.

Një zë që njeriu-zot e dëgjon këndshëm dhe natyrshëm kur pi kafen e drekës ulur këmbëkryq në sallonet e parajsës së tij mendore duke tundur këmbën me ritmikë.

Muzika klasike nuk është se nuk dëgjohet, po do kulturën e saj që të vijë nga këngëtarë të mëdhenj e të thjeshtë, të vërtetë si janë dramat dhe dashuritë njereziore.

Në dallim nga të famshmet e tjera Ermonelën e dallojnë tre elementë kryesorë që e bëjnë njeriun madhështor, mirësia, thjeshtësia, ëmbëlsia që krah përkrah me bukurinë natyrore që ajo ka, shpall fenimitet dhe bën për vete edhe një bebe që qan mjaftueshëm shumë ashtu si kot për t’u qetësuar nga muzika klasike.

 

‘’Klasikja ngelet gjithmonë klasike!’’.

Artisti po nuk u fut në shumë botë njerëzore dhe në shumë karaktere nuk është artist.

Së pari futet në botën e vet interpretuese për t’u shpallur mbret, më pas këtë mbretëri duhet t’ia falë publikut. Ajo si mbretëreshë është një Elisabetë që ua dhuron mbretërinë e saj të zërit kujtdo që e dashuron muzikën klasike.

Falë inteligjencës në improvizim karakteresh bën për vete artëdashësit, falë zërit kritikën muzikore dhe falë sjelljes një botë të tërë me mirësi. Roli te ajo ngjit.

 

Muzika e saj është thjesht e mrekullueshme, madhështore, virtuozitet.

Nuk është e lehtë të futesh në karakterin e kompozitorëve të mëdhenj klasikë, por për të nuk është as e pamundur.

Falë punës së saj këmëngulëse interpreton dhe ngjizet njësh me skenat në rolin e Angelikës në “Suor Angelica”, Violeta e Traviatës, Cio-Cio-San Madamës Butterfly që ajo nuk është më ajo, është tashmë një magji e kthyer në Butterfly, rolin e Luizës në Luiza Miller e Verdit, kryesor Thais (e kompozitorit Zhyl Masene) në operën e Tulonit, paraqitet me Mimin, me Teatrin e Operës Michigan, rolin e Norinës (Don Paskuale) në Mynih, Safo të Massenet, dhe Vajza e Orleanit të Çajkovskit, në rolin e Mimit (La Bohème e Puçinit që ajo e quan të mrekullueshëm, madhështor si kompozitor drejt së thjeshtës.), rolin e Suzanës (Dasma e Figaros).

Ermonela Jaho ka kënduar në jetën e saj Traviatën në 232 herë që është jo pak.

Që e mitur ajo fillon të këndojë. Me këtë dëshirë në 1992 mbarron Liceun Artistik ‘’Jordan Misja’’, dhe më vonë me ëndrrën e saj, studion në Akademinë e Arteve po në Tiranë.

Ajo e nis rrugëtimin e saj të plotë profesional dhe të arrirë pas ikjes nga Shqipëria në 1993 falë ëndrrave të saj që i kishte të pamata për t’u vendosur në akademinë e Mantovës. Më vonë studime muzikore ne Akademinë Kombëtare të Santa Cecilia, në Romë.

‘’Korri frytet e suksesit sa më vonë, dhe atëherë në doza sa më të vogla’’ shprehet një filozof për njerëzit e famshëm për të mos qenë mendjemëdhenj. Megjithë suksesin e saj duke qenë e famshme ajo është më njerëzore se sa një njeri që duket i thjeshtë dhe nga ana tjetër sillet si i famshëm në kotësinë e tij.

Në kritikën e botuar në faqen zyrtare të Bachtrack Opera Awards për Madame Butterfly theksohet: “Jaho jo thjesht këndon Butterfly, Ajo shndërrohet në Butterfly.’’

‘’Aty ku diktatura lulëzon, arti që shpëton është shumë shpesh muzika.’’ shprehet The Economist në lidhje me Ermonelën.

Ermonela Jaho, e cila fitoi çmimin e Vitit për këngëtaren lirike më të mirë nga lexuesit e Opera Magazine e konsideruar “Bibla e Operas”.

”The Economist” në kritikën e saj si media e quan Ermonela Jahon ‘’një natyrë me humor, një bukuri që nuk tenton të jetë divë por që shndërrohet e tillë në skenë. Të pajisuar me një magnetizem fatal në skenë, ndërsa interpretimin e saj si të plotësuar nga një prezencë fizike shumë e veçantë.‘’

”Daily Telegraph” e ka përshkruar atë si “një fenomen të pandalshëm” dhe ”The Independent” si “më i miri Madama Butterfly London që ka parë në vite,”.

Ajo u nominua në kategorinë më të mirë të këngëtarit më të mirë në Çmimin Ndërkombëtar të Opera.

Këngëtarja më e mirë e Festivalit të Wexford në 2000.

Sopranoja shqiptare u nominua sërish për trofeun, “International Opera Awards”, çmimin të cilin e fitoi si këngëtare lirike për vitin 2016.

Vlerësimet e jashtëzakonshme të kritikës dhe të mediave botërore kanë bërë që Ermonela Jaho, të nominohet sërish si zëri më i mirë për trofeun “International Opera Awards”.

Në faqen zyrtare të këtyre çmimeve, Jaho është nominuar përkrah emrave si, Malin Bystrom, Carmen Gianattasio, Barbara Hannigan, Hui He dhe Eva Maria Westbroek.

Pasi janë selektuar rreth 600 produksionet ndërkombëtare më të mira gjatë sezonit artistik 2016- 2017 emri i Ermonela Jahos renditet në garë si Best Female Singer.

Hapja e sezonit 2018-2019 sheh Jaho të bëjë debutimin e saj rol të Valentine në Les Huguenots Meyerbeer në Paris dhe të marrë rolin e Anna në versionin e një akt i operës së parë së kompozitorit Le Villi nuk i ka dëgjuar publikisht që nga viti 1884 të paraqitur nga Opera Rara në Londër.

Po a mbarojnë emocionet, çmimet, duartroktijet, gëzimet, përgjegjësitë dhe rolet e kësaj profesioniste të muzikës klasike? Kurrë! Ajo do të vazhdojë gjithmonë të suprizojë dhe të japë më tepër nga mbretëria e saj për aq kohë sa zëri do t’i falë skenave madhështore mrekulli dhe do të kujtohet për e tillë. Një zë i madh nga një ikonë madhështore! Agjenda e saj është gjithmonë e zënë kudo në botë për të falur, ëmbëlsi, mirësi dhe thjeshtësi nga e pazakonta e saj, zëri plot inteligjencë kanarine.

Dëgjojeni atë me kujdes dhe keni për ta besuar, ajo thjesht është më e mira!

Nga Eugent Kllapi

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit